Të dashur P. dhe A.,

Vitet në Shqipëri më rrëshqisnin ngadalë dhe, si gjithë të vegjëlit e të rinjtë, atëhere s’rreshtja së dëshiruari ritme të shpejta e ngjarje të shpeshta në ngutje të padurimtë për të zbuluar se ç’do të thoshte të ishe e të verproje si të rriturit… Pavarësisht viteve, një zbulim të tillë vijoj ende ta përjetoj si rrugëtim të papërfunduar e besoj të papërfundueshëm. E ndofta prandaj mendja nën yshtjen e kujtesës shpesh kthehet të vështrojë mbrapsht, si dëshirë për të udhëtuar në kah të kundërt, ‘në gjurmim të hieroglifeve ose në hetim të shenjave sa të pavëna re mirë aq edhe të padeshifrueshme ngaqë ndrynin hartat sekrete të së ardhmes ashtu si molusqet perlat’; por ndoshta edhe si dëshirë për ndaljen e pamundur të revanit të së sotmes, ose edhe si mall për t’u transportuar në atë hapësirë kohore e gjeometrike që tani s’mund të ekzistojë më kund përveçse në gjeografinë e kujtesës. Prandaj, si duket, sa më shumë vitet kalojnë, aq më fort mendja ngulmon t’ju shohë njësoj si këtu e më shumë se një a dy dyzina motesh të shkuara.

Në këtë stinë festash dimërore, si film i vjetër e i dashur më shpërfaqen fund-dhjetoret e dikurshme në trajtë padurimi e përjetimi imagjinar të gëzimit më të bukur të vitit, për të mos folur për pushimet e shumëpritura. Por nuk di pse kujtimi i para-festës (gjithnjë më e shndritshme se festa vetë) më fanitet para së gjithash si videoklip ecejakesh plot preokupim e trokitjesh energjike këpucësh mbi pllakat e ballkonit tonë të madh, për t’u shndërruar më pas në hipje-zbritje gazmore shkallësh duke mbajtur mandarinat, portokallat e limonat e sapovjelë prej kopshtit.

Më përhihet si stërvitje fizike me pesha në trajtë stivash të vogla me dru të larë në banja të përsëritura shiu – stiva që më pas duheshin tharë e ruajtur pranë stufës për t’i bërë kështu gati mirë e bukur për natën e ditën e Vitit të Ri. Më përsillet në mend edhe si ndonjë vizitë eskapiste te ju në përpjekje për t’i shpëtuar mërzisë a zbutur irritimin shkaktuar prej tregut të zbrazur, gjë që na shtynte drejt gjithëfarë improvizimeve e planeve kulinarike rezervë e pak të preferuara.

E si të mos harroj kur vinim poshtë e zinim vend rreth stufës për një dorë të shpejtë muhabeti, lezetuar me garniturë të lehtë thashethemesh të rastit; për të pirë kafe të mirë e të bluar taze, a për t’u qerasur me pak strudel a kek me arra ruajtur nga dreka e së dielës; ose përndryshe për çaj mali me feta të holla buke të zezë (kore mundësisht) thekur sipër stufës, me gjalp të freskët e djath të bardhë?

Tek më shkojnë të gjitha këto në mendje, kujtesa më grish të shtyhem edhe më herët në vite. A ju qëllon vallë ndonjëherë të kujtoni njësoj si unë, kur na privilegjonit e përkëdhelnit aq shumë ne të vegjëlve, sa na dhuronit majën e majave e të gjitha kënaqësive – ritualin e dashur të karamelizimit në sheqer të arrave në xhezve të kafes, produkt që ish pagëzuar s’di pse me termin aq të dashur, ‘karikanto’? Nderime të tilla të posaçme zakonisht parathonin një tjetër festë mbi festa: ftesën ngazëllyese për të fjetur të gjithë poshtë, për t’u ulur mbi qilimin e dhomës së pritjes e për të ndjekur të mrekulluar projektimin në mur të filmave pa zë bardh-e-zi me anë të aparatit të vjetër rus vendosur mbi karrige, për të lexuar më pas e për t’u shkrirë në gaz me Aventurat e Din Pakut, të Çipolinos, e Ushtarin e Mirë Zhvejk dhe për të bërë gallatë pa kufi, siç dinim vetëm ne.

Por si mund t’i lë pa përmendur edhe zbritjet e paevitueshme të shtunave me peshqirë e ndërresa për të gjetur shpëtim në skaldabanjën tuaj me dru sa herë që uji s’kish presion të mjaftueshëm për t’u ngjitur lart, e sidomos dimrave kur humbnim betejën e pamundur me erën inatçore të Krastës, që kur e merrte seriozisht e kthente skaldabanjën tonë me vajgur në kuçedër që villte flakë e blozë për të pudrosur e zgjyrosur paq zgavrat tona të hundës e grykës bashkë! Skaldabanja me dru doemos shndërrohej kështu në vend të bekuar. Edhe flakët e gëzueshme nën kërcitjen e buashkave erëmira si të mos e shndërronin atë banjë të paharrueshme në vend parajsor, aq sa kredhur mendjehumbur në kënaqësinë e avullit e ujit të ngrohtë përmendesha vetëm me trokitjet pas dere, ‘Ke edhe shumë? Mbarove?’. Ashtu, befas kujtohesha se kish edhe të tjerë që prisnin radhën për banjë, e se s’duhej ta kapërceja kufirin e caktuar të harxhimit të ujit, shpesh shënuar me laps mbi bombol, (kufi që unë gjithësesi e tejkaloja pavarësisht qortimeve pa dobi) e as të harroja madje të llogarisja e ruaja ujë të mjaftueshëm për larjen e ndërresave…

Sa përulësisht u ka rezistuar dimrave e mira skaldabanjë e vjetër, lyer me varak! E sa peripeci i është dashur të heqë: ndezje të zorshme zjarri me vajgur të mezigjetur radhave të gjata e shpesh të holluar tinaz me ujë, (ju kujtohen bidonat 6-të e 10-të litërsh rrugës për në shtëpi, ndërsa ndonjë kalimtar pyeste nëse kish mbetur ende vajgur për t’u shitur e nëse ish e gjatë shumë radha e myshterinjve); ndezje torturuese zjarri mbi përsheshin special hi-vajgur, ku shkreptinin pa sukses shkrepëse të pashkrepshme prodhimi të imët; flakë të sajuara me ndihmë fletësh gazetash e lajmesh aksionesh, asgjësimesh, fitoresh, fjalimesh, goditjesh, ngjitjesh, kongresesh, korrjesh-shirjesh, shkrirjesh, marshimesh, planesh, përparimesh, plenumesh, punimesh, prodhimesh, programesh, qëllimesh, qarkullimesh, rrethimesh, shpartallimesh, tufëzimesh, zhvillimesh.

Skaldabanja me dru qe sidomos edhe dëshmitare e pagojë çastesh frike dhe dëshpërimi, e pranverës së 1976-s aq të pafat për ne të gjithë, e panikut prej shumëçkaje reale ose të imagjinuar nën sforcimin e nervave shpënë tejskajeve të tendosjes, dhe kapitjes mendore në përpjekje për superkujdes në sjellje e zgjedhje fjalësh, të cilat kurdo mund të përfundonin fatalisht në veshin e kudogjendur politik. Sytë e kujtesës sot akoma e shohin time ëmë duke shpuar me shtizë hullitë ndarëse midis tullave të mureve a nëpër qoshe e vrima gjithëfarësh në shtëpi, e bindur se ashtu mund të diktonte ose mbase nxirrte jashtë përdorimit ndonjë përgjues të mundshëm. Ishte kohë kur ju të mëdhenjtë vështrimshtangur e supembledhur i rrëfenit njeri-tjetrit me trishtim e duke pëshpëritur për të njohur e miq që me t’ju pikasur këmbenin trotuar e nuk jua kthenin përshëndetjen, për horror-e politike të sapokryera, ose të pritshme me siguri. Ishte kohë kur merrnit në sy mundësinë e uljes në rang profesioni, kur përfytyronit veten në qarkullime kuadri, kur planet e aspiratat për të ardhmen i shihnit të vrara, kur netëve të gjata mendjen jua pushkatonte ideja se mos ish radha juaj për degdisje a përjashtim…

Po në ato vite skaldabanja me dru shërbeu edhe si furrë djegieje librash me zarar dhe vend asgjësimi tekstesh a dokumentash. Pas derës së kyçur të banjës ajo ishte edhe vështruese e heshtur e trishtimit që sillnin andrallat me sekretarë partie (ju kujtohet, herë S. D., herë N. C. a herë V. B.?) të stërvitur për të diktuar efektet morale e politike që gjerësia e devijuar plus-minus e pantallonave prej kadifeje a blue jeans-i mund të ushtronte mbi shpirtrat e mendjet tona të brishta. Qe edhe vrojtuese e dëshpërimit që mbillte ankthi e kalvari i të drejtave të studimit për të vijuar më vonë me të tjera zemërthyerje prej emërimeve në Belsh, Zavalinë, e gjetiu. Por, këto janë copëza kujtimesh që ndoshta nuk e kanë radhën për t’u rrëfyer këtu e as vendin në këtë letër…

Hipje-zbritjet më të bukura ishin ato të mbrëmjes së 31 dhjetorit, më saktë të para-darkës, si të qe përfunduar pastrimi e zbukurimi shembullor i shtëpisë; si të qe kryer shtrimi i hijshëm i tryezës së bukës me mbulesat e picetat prej linoje qëndisur hollë, mbi të cilat rrinte plot elegancë kompleti ‘i mirë’ prej porcelani, që mbante gjelin e famshëm tradicional, sallatat e ujdisura artistikisht dhe byrekun petëhollë me djath e vezë ku fshihej monedha e argjendtë e fatit; edhe natyrisht si të qe stolisur pema modeste e ‘Vitit të Ri’ – siç e quanim atëhere – me lodra e xhingla fanatikisht te ruajtuara enkas për atë datë, grumbullimi i të cilave e kish zanafillën, por njëkohësisht edhe fundin (për shkak të zhdukjes nga tregu) te lindja e femijëve të parë, në fillim të viteve 60-të.

Por, hipje-zbritjet në shkallët prej graniti të kuqërremtë, dikur të shkëlqyeshme e syprinëlëmuar, bëheshin sidomos të bukura, kur qëllonte që në atë prag-darke speciale moti befas të zbutej, veshët t’i gëzoheshin ndaljes së beftë të kuisjes së veriut, lëkura e faqeve më në fund të merte frymë e lirë e prehej në paqe pa fshikullimën prej hislle ndëshkuese të erës zemërake, ajri të pastrohej e të kundërmonte portokall të sapokëputur, hëna e artë të zinte vend sipër kopshtit si fetë gjigante limoni, e yjet prej territ blu të përshkënditnin shend festiv. Ky çast shpesh përkonte me mesin e natës, kohë kur mblidheshim të gjithë tok për të çukitur gotat e verës e për t’i uruar njeri-tjetrit mbarësi.

Ju uroj edhe unë si atëhere edhe me mall Gëzuar Vitin e Ri!

Konferenca për shtyp që kryeministri Berisha mbajti më 2 dhjetor 2009, sikurse edhe herë të tjera, karakterizohej nga një sërë inkoherencash, të cilat tani po bëhen proverbiale. Këtu do të ndalem te përgjigjia e njërës prej pyetjeve që i drejtuan. Po paraqes më poshtë transkriptimin që gjeta te gazeta Shekulli:

Pyetje: Me faktet që keni publikuar sot, me sa duket kriza politike do të vazhdojë të ashpërsohet dhe opozita do të vazhdojë të qëndrojë jashtë parlamentit. A do të keni ju një mënyrë për ta sjellë opozitën në parlament? (Theksimi është imi.)

Përgjigje: Nuk ekziston krizë politike. Kriza është kriza e mafies. Krizë politike ekziston në grupin mafioz, ekziston në PS e cila mbahet peng e kësaj kupole. Për çfarë krize politike bëni fjalë kur për Shqipërinë janë marrë vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme, pas këtyre zgjedhjeve? Mendoni ju se këto vendime do të merreshin, nëse do të kishte krizë në vend? A u morën këto vendime duke mos qenë opozita në parlament? Nuk ka asnjë lëshim ndaj mafies. Zero tolerancë ndaj mafies. Perandoria e saj do të ketë fatin që patën bandat. Mandati i parë ishte mandati i asgjësimit të bandave, mandati i dytë është mandati i asgjësimit të klaneve mafioze. Ky është zotimi imi me i madhi para shqiptarëve. (Theksimi është imi.)

Ditët e fundit, kupola punisto-mafioze, me kryetarin e saj Edi Rama, tek klubi i Fidelit, deklaroi se “nuk ka duhen të huajt”. Kjo është dëshmia më e qartë se ky grup, kjo kupolë ka vetëm interesa mafioze. Dërgoi ditëzinë me raporte, poshtë e përpjetë. Asgjë. Interesat e tyre nuk janë as vizat, as integrimi, as kutitë. Janë këto dosje, janë pronat e grabitura e plaçkitur shqiptarëve.

Unë e kam theksuar dhe e theksoj se për këto, nuk do të ketë njeri tjetër përgjegjës në Shqipëri përveç se Edi Ramës. Ai të jetë i bindur se përgjigjja do të jetë jashtëzakonisht e merituar. A e dini ju teorinë e tij të fundit? Revolucioni dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron. Por le ta provojë. Ne do të qëndrojmë fuqishëm.

Me shqipen pak të keqtrajtuar në fjalinë që paraprin pyetjen nuk po merrem. Por më duket se ka vend që pyetjen ta formuloj pak më shqeto e disi më modestisht: “Në ç’mënyrë do ta sillni opozitën në parlament?” E bëj këtë sepse, në fund të fundit, pyetjes pompoze “A do të keni ju një mënyrë për ta sjellë opozitën në parlament?”, si të vinte drejt e nga ndonjë përkthim i pluhurosur i shekullit të 18-të, mund t’i përgjigjesh fare mirë: “Po, shpresoj të kem një mënyrë, e kur ta kem do t’ju njoftoj me siguri, i/e dashur. Po ju a do të keni gjë në plan të më intervistoni atëhere?” ose “Jo, nuk do të kem, jo hë për hë. Falemnderit shumë e gazetari të mbarë!” Por, le t’i lemë këtu shakatë, sepse këto nuk sosin kur është fjala për intervista.

Pak ironike e pak komike që pyetja merr po kaq pak, në mos aspak përgjigje – të tillë sikur të ishte duke u trajtuar po me atë tolerancë zero, me të cilën Berisha rreket të na mbushë mendjen se do të asgjësojë krimin. Tolerancë zero ndaj krimit? Po si kështu? Kur ndonjëherë ka qenë një gjë e tillë e mundur që të jetë tani? Tani, kur një sërë çështjesh shkojnë në gjykatë e ngecin rrugës kacavarë rrjetave të merimangave? Kur tavanet e shkollave, spitaleve e tuneleve shemben si lodra me kuba? Tani kur Rrëshen-Kalimashi është i freskët, sepse Gërdeci sikur po vjetërohet?

Ta marr pak më ngadalë. Cili është ai vend që mund të krenohet se zbaton tolerancë zero ndaj krimit dhe thyerjes se ligjeve e rregullave shoqërore? A është vallë e mundur një gjë e tillë? Le të marrim Amerikën Veriore prej ku i ka fillesat ky koncept, pak sepse kjo sikur preferohet e konsiderohet superiore ndaj Evropës, e pak sepse kjo “s’të fal hiç për punë sundimi të ligjit në fushë të ekonomisë e biznesit koorporativ”. A mund të krenohen Shtetet e Bashkuara, madje edhe Kanadaja, për zbatim të efektshëm të tolerancës zero? Natyrisht, jo! Jo me Enronin, as me Arthur Andersen, sa për t’u shtyrë pak në të kaluarën. Kurrë natyrisht as me drejtuesit ekzekutivë të perandorisë së perënduar të Wall Street-it. Kaq mjafton besoj për mafian e përtej oqeanit. Sa për mafian shqiptare, nuk e di se si e kur ka ndër mend ta aplikojë Berisha metodën e tolerancës zero, ose përndryshe siç e thotë vetë solemnisht, të shkuljes me darë të dhëmbëve e dhëmballëve me gjithë nofull bashkë. E kam më kollaj t’i shoh këto premtime të çveshura nga kuptimi metaforik, ose ad litteram, ose më saktë pak si video e nofullës së kundërshtarit politik në coptim e sipër.

Ku tjetër toleranca zero është zbatuar e ka dhënë rezultat? Në New York-un e “tolerancës zero të dritareve të thyera” – teoria e praktika që i dha famën Rudy Giuliani-it gjatë viteve 90-të, sipas së cilës, një vitrinë e thyer duhej riparuar sakaq për t’i bindur kështu keqbërësit e rrugaçët njujorkezë se shteti kish “gjithçka nën kontroll duke zbatuar ‘tolerancën zero’ ndaj çdo vandalizmi”? Natyrisht, jo! Përqindjet e krimeve siç ranë në New York, ranë edhe gjetiu në Amerikë, madje edhe në Kanada. Arsyet janë disa, e midis tyre ndoshta edhe teza e Levitt & Dubner qe e shpjegon zvogëlimin e numrit të kriminelëve të lindur në fillim të viteve 70-të me miratimin e ligjit të abortit. Më pak bebe nga nënat pa burra e me të ardhura modeste në vitet 70-të, e më pak keqbërës e kriminelë të mundshëm në vitet 90-të.

Në ç’fushë tjetër? A ka dhënë ndonjë rezultat në trajtimin e thyerjes së disiplinës në shkolla? Prap më duhet të them pak, në mos aspak. Madje mund të ketë prishur më tepër se ka ndrequr punë, sepse vetëm ka kontribuar në përshkallëzimin e paranojave, shtimin e kamerave në korridore e nevojtore, ndëshkimeve jo-proporcionale, trajtimin shpesh të rëndë e të pamerituar të gabimeve triviale (sikurse sjellja e thikave të vogla posaçërisht të destinuara për ngrënie vaktesh të thjeshta gjatë pushimeve midis seancave mësimore), shpenzimeve kolosale të survejimit në vend të shpenzimeve që synojnë cilësi më të mirë të programeve mësimore, të nxënies së dijes, të ri-krijimit të energjive mendore e fizike, të aktiviteteve kulturore e artistike.

Toleranca zero, ka sjellë në këto vende edhe pasojën e dëmshme, shpesh të shpërnjohur, e ndoshta më të rëndësishmen nga të gjitha – të zbatimit mekanik të ligjeve e normave ose përndryshe të mendjes dembele e të varur nga skriptimi, të mungesës së gjykimit kritik, imagjinatës dhe empatisë. Pikërisht defekte si këto kanë qenë të lidhura me disa nga periudhat më të errta e të freskëta të historisë jo më të largët se shekulli i kaluar – sikurse fashizmi e nazizmi.

Për këto arsye e të tjera që unë s’i përmenda, sot janë specialistët e ligjeve vetë që po kritikojnë filozofinë e mbrapshtë të tolerancës zero në Amerikën Veriore. Por Berisha me siguri bën pak shaka e s’është për t’u marrë seriozisht kur në mënyrë estradeske e importon këtë koncept tashmë të diskredituar në një vend ku ligji është i fundit që sajdiset – e që akoma pas dy dekadave në tranzicion është pak bonjak e pret të përfillet. Ose, përndryshe toleranca zero duket se i shkon fare mirë mendësisë tonë të djeshme e të sotme, “sy për sy, dhëmb për dhëmb”. As më pak as më shumë!

Shkrimi që vijon është marrë prej një shkëmbimi elektronik real kryer në 2009 midis një moderatoreje trejnimi (Ursula), Drejtores së Komitetit të Diversitetit (Alison), dhe Drejtorit të Departamentit të Trejnimit dhe Zhvillimit (Marcos) të një korporate. Ursula është në dilemë dhe lyp këshillë nga Alison dhe Marcos lidhur me përdorimin e pranueshëm të terminologjisë në trejnim. Për të ruajtur anonimitetin emrat janë fiktivë.

Dy fjalë për shprehjet kyçe në qendër të bashkëbisedimit, Flip Chart dhe Easel Pad:

S’jam e sigurt nëse këtyre togjeve u gjegjen terma krejt ekuivalente në shqip. Të dy shënojnë praktikisht të njetën gjë - një kornizë ose zakonisht 3-4 këmbësh mbi të cilin qëndron një bllok i madh letre ose tabelë plastike ku mbahen shënime ose ilustrohen grafikisht koncepte a ide gjatë seancave prezantuese, mësimore, informuese, etj.

Për qëllimet e këtij shkrimi, kuptimit më të detajuar e të përafërt në shqip mund t’i qasemi si vijon:

vijo leximin…

Tani që kjo garë e ethshme përfundoi, natyrisht që kritikat e vlerësimet për humbësit edhe e sidomos nga humbësit vetë nuk mungojnë. Po si është e mundur që eksponentë të lartë të Partisë Socialiste dalin e thonë tani se nuk ishin në dijeni të programit? Ja ç’thotë B. Blushi te “Humbja, Faji i Edi Ramës” botuar te Balkanweb:

Ne nuk i dhamë shqiptarëve asnjë premtim, sepse nuk i dhamë asnjë program. Dhe, në ketë pikë nuk bëmë dot diferencën me Partinë Demokratike dhe të djathtën. Dikush thotë se në kishim një program me 1000 faqe, por unë duhet të pohoj sot se nuk kam parë asnjë faqe të këtij programi. Aq më pak shqiptarët nuk kuptuan dot se çfarë do bëjmë ne për ekonominë, çfarë do bëjmë për taksat, si do ta ulim papunësinë, si do shpërndajmë të ardhurat e këtij vendi, ku do investojmë, si do i bëjmë më të lira dhe me cilësore shërbimet nga arsimi deri tek shëndetësia dhe të tjera. Edhe nëse thamë diçka, ato ishin aq të përgjithshme, dhe për ketë arsye mbetën po aq të paqarta, dhe prandaj nuk bënë dot diferencën që prisnim në vota (theksimi është imi).

vijo leximin…

Albrecht Durer - Betrayal of Christ, from The Engraved Passion, 1508

A. Durer - Betrayal of Christ

Përgatitjet për zgjedhjet politike të 2009 i kam ndjekur me aq sa kam mundur, pothuaj rregullisht, qysh rreth dy vite të shkuara e në vijim. Informimi im ka qenë tërësisht virtual, i dikujt qe e ka lenë Shqipërinë 14 vjet më parë e nuk e ka shkelur që prej më shumë se një dekade. Kam qenë e jam e ndërgjegjshme se si i tillë ky informim ka qenë i mangët e i paplotë, por vetëm tani që zgjedhjet kanë mbaruar shoh sesa të pasakta i kam patur parashikimet e sidomos gjykimet ku i pata mbështetur. Farat e para të dyshimit, por që gjithsesi s’desha t’i përfill fort, zunë të më turbullonin kur para nja dy muajsh pata rastin të njihem me mendimet për situatën para-zgjedhore të dy individëve nga Shqipëria.

E para, me natyrë prej pragmatisteje virtuoze, pasi ma bëri të qartë se ishte absolutisht indiferente, shprehu mendimin se pavarëshit nga kjo, besonte se do të fitonte PD-ja. Kur e pyeta se përse mendonte kështu, u shpreh se Edi Rama “vërtet ia ka marrë dorën e flet bukur në TV”, porse personi që shfaqet ne media s’ka asgjë të përbashkët me personin jashtë mediave. E përshkroi Ramën si arrogant dhe të pasjellshëm me popull e kolegë – sfacciato është fjala e preferuar e saj. Mendonte se ai vetë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë vetëm “ishin të zot për fjalë”. Në fund diskutimin e mbylli duke thënë se, pavarësisht se cila palë do të fitonte, ajo hellin e saj e kishte në zjarr mirë e bukur, sepse kish njëlloj perspektiva të mira pune falë njohjeve në të dy krahët.

vijo leximin…

nga Adrienne Rich

Doorway w Figures_H.Altman

Këtë portë
o ke për ta kapërcyer
o mbanë s’ke për t’ia dalë.

Nëse mbanë ia del
kujtimi i emrit
pas gjithnjë ka për të ndjekë.

Gjërat për sysh dyshtaz të përballen
edhe të shohësh prapa lipset
që udhë të shkojnë atyre t’u lësh.

E nëse për matanë dot s’ke për të dalë
të rrosh denjësisht
e mundshme është

t’u përmbahesh qëndrimeve vetiake
t’i mëshosh vendimit tënd
të vdesësh trimërisht

Mirëpo shumëçka sytë ka për t’i mveshë
shumëçka mendjes ka për t’i shkarë
se me ç’çmim, kush mund ta dijë?

Premtime porta vetë dot nuk bën,
Se porta s’është, veçse portë.

scapegoat2

Duke e falenderuar Bizantinin për mendimet e ofruara po përpiqem ta shtjelloj edhe pak më tej temën e të kaluarës që e zbulojmë sot hera herës si të ishte sënduk, kapakut të të cilit dikur i vjen radha të ngrihet. Çka gjendet në këtë sënduk e që gjer dje pati qenë tabu, sot s’ka arsye që të mos vështrohet e përsiatet. Edhe nuk e kam fjalën këtu për sënduqet që ndryjnë lëvere e fëlliqësira të totalitarizmit, të cilat përpos dëshirës tash të kotë pothuaj 20-motëshe për t’ia zbuluar lakuriq syrit publik, me ç’duket do të mbeten baule të rënda fajesh, ngarkuar ad perpetum mbi ratio dhe irratio. Përkundrazi, e kam fjalën te kontributi intelektual dhe në përgjithësi shkrimtaria e publikuar, sado modeste a trup pakët qoftë, që është përftuar përgjatë boshtit kohor prej para-diktaturës e që vijon më thellë në të shkuarën.

Vë re se me pak përjashtime fjala e shkruar prej autorëve të censuruar ose përndryshe të panjohur mirë të para Luftës së Dytë i shkon publikut të sotëm e përzgjedhur pa ndonjë kriter (po të mos marrim parasysh kriterin e thjeshtë që imponojnë datat historike të përvjetorëve të lindjes a të vdekjes, të cilat zakonisht janë edhe raste të mira për t’i gjetur punë presidentit, komisioneve të festave e jubileve dhe stafeve të dekorim-dëfrimit).

vijo leximin…

Të tashme a të ardhme nuk ka, vetëm të shkuar, që përsëritet sërish e sërish, tani. – Eugene O’Neill

Dobia e vetme e njohjes së të shkuarës është të na gatisë për të tashmen. Në të tashmen gjendet gjithë ç’na duhet. Eshtë trualli i shenjtë, ngase është e shkuara dhe ngase është e ardhmja. - Alfred Whitehead

Mustafa Krujën, me ç’kujtoj prej Historisë së Partisë të Punës së Shqipërisë, bibël të cilën dikur qemë të detyruar ta mësonim e recitonim si në shkollë të mesme ashtu edhe në atë të lartën, e mbaj mend të vizatuar në mënyrë të tillë saqë, mjaft t’ia përmendje emrin e sikur të hiqte barku, të kaplonte ankthi e të zinte data. Aq të urryeshëm ia patën vizatuar portretin prej kuislingu, sa gjithë nëmat e shqipes qenë të buta ballë monstruozitetit të bëmave të këtij ultra-antikombëtaristi.

Sot, pothuaj një çerek shekulli qysh atëhere, kur nëmat pak frigojnë dot kënd tek pështyhen të kapitura prej gurmazi në gurmaz, pulpit-e partish a skrivani burrash e burrneshash shteti, studiosh vezulluese televizive a tribunash shtypi dingas në reklama laramane, penash editorialistesh qibarë a komentuesish të çartur, shpesh kam pyetur veten se ç’do të mendoja vallë po të më jepej mundësia të njihja diçka prej punës intelektuale e kontributit publik të Merlikës (madje të cilësdo figure njëlloj të diskredituar dikur) e lirë dhe drejtpërdrejt, pa ndërmjetësi të tretësh, pa u ndikuar nga adhurues të ekzaltuar a kundërshtarë të betuar qofshin, e aq me pak pa imponime ideologësh partiakë, të kaltërt a të trëndafiltë qofshin. Prandaj këto dy vitet e fundit me kureshtje të posaçme kam mirëpritur ndonjë shkrim që më ka rënë në dorë, duke e konsideruar pothuaj si një ushtrim mendor që ndihmon për të kuptuar evoluimin e kritereve të gjykimit; për të hetuar se në ç’kah lëviz sot shigjeta e vlerave në peshore të aktualitetit; për të vështruar përmes tejqyrash a kornizash referimi që sendërtohen mbi perspektiva që shtrihen përtej sinorëve të djeshëm ideologjikë, pikërisht atë që dikur e kanë përçmuar e damkosur me vulën e turpit.

vijo leximin…

Fushata e sapopërfunduar elektorale në SHBA, siç është vënë re prej shumëkujt, qe mbresëlënëse e vemendje rrëmbyese jo vetëm sepse u zhvillua në çaste kur Bota e Lirë, aq e ndërvarur me krejt Botën Planetare, lëngon ekonomikisht e politikisht dhe lyp ngutësisht mjekë të zotë që ta përshëndoshin, por edhe sepse siç ndodh shpesh kur çasti historik piqet, arriti të përnxjerrë kandidatë presidencialë të kalibrit, dialogu i të cilëve u shqua për mirëpeshim e qendërzim në argumente. E megjithatë pavarësisht nga elokuenca, nervi dramatik dhe zhdërvjelltësia e gjuhës, ligjëratat e konkurruesve nuk ishin të ndryshme nga ato të fushatave të mëhershme, në kuptimin që misionin për të fituar zemrën e votuesit ose për ta bërë me vete emocionalisht ngulmuan ta kryejnë duke u rrekur ta projektonin ligjëruesin si “bir a bijë si gjithë bijtë e thjeshtë të popullit”, pavarësisht shtresës sociale, nivelit të edukimit, a nivelit të pasurisë ku ky përkiste.

Dihet se suksesi në politikë ka fort të bëjë me “komunikimin efektiv” edhe se prapa fjalimeve, sado të thjeshta e spontane të duken edhe sado të dala fill prej zemre që të tingëllojne, qëndron një shpurë e tërë këshilluesish e fjalëgdhendësish që vigjilojnë mbi cilindo detaj që mund të luhatet sado pak përtej kuptimësisë së përllogaritur të kumtit. Në këtë kontekst, për t’u perceptuar prej elektoratit si “bir a bijë e popullit” ligjëruesit i duhet të thurë rrëfenjën e vetes si individ i çfarëdoshëm, që e ka çarë rrugën e suksesit me mund të madh, falë sakrificave, dashurisë për familjen, përulësisë, këmbënguljes, përkushtimit të paepur, etikës së shëndoshë, dëshirës për të ndihmuar të tjerët, besimit te njerëzit dhe Perëndia, e kështu me radhë.

vijo leximin…

Shkrimi Shtigje të Alfabetit Shqip të L. Shamku-Shkrelit në Peizazhe të Fjalës më nxiti të vras mendjen për disa pyetje, të cilat do t’i parashtroj më poshtë. Përmbledhtazi duket se autorja ngre këto çështje lidhur me alfabetin që u përftua si rezultat i Kongresit të Manastirit:

  1. Jo të gjithë tingujt u përfaqësuan me një shkronjë të vetme. Peshorja e kompromiseve në atë kongres anoi nga toskërishtja. Për shembull, kemi grafemat GJ, NJ (që iu gjegjen tingujve toskë gj, nj), por nuk kemi grafema të ngjashme gjegjëse për fonemat gege MB, ND, dhe NG.
  2. Nuk u bë dallimi midis germave dhe grafemave transkriptuese. Për shembull, DH, GJ, dhe NJ janë grafema transkriptuese të këtyre tingujve, por nuk janë germa. Kështu alfabeti në vend që të krijohej vetëm me germa të thjeshta ka ngërthyer në vete si pyka edhe grafema transkriptuese.

Gjithë ç’u arrit në Kongres të Manastirit ishte fitore e madhe për shqipen falë tolerancës dhe mirëkuptimit të grupeve pjesëmarrëse. Mirëpo ka ardhur koha të shihen mundësitë për përmirësime të mëtejshme. Ç’duhet bërë? Pasaktësitë thotë autorja duhen korrigjuar, për ta lehtësuar kështu alfabetin prej teprive dhe shpërpjestimeve e për ta orientuar më fort për nga shtegu fonematik sesa fonetik. Ç’përfitime do të rezultonin? Alfabeti i ri do t’u ndihte më mirë gegëve - pa u prishur punë toskëve - madje të gjithë përdoruesve duke ua bërë më të lehtë mësimin e përdorimin e shqipes. Standardi nuk do të cënohej, e për më tepër do të ndreqeshin lidhjet hisorike të shqipes dhe alfabeti e gjuha shqipe do të zinin vend më mirë në hollin europian të gjuhëve.

vijoni leximin…

Next Page »