Me rënien e perdes së hekurt në fillim të viteve 90, krahas sukseseve dhe dështimeve ekonomike dhe politike, kontributi emancipues i krijimtarisë intelektuale e letrare, zuri të shtypej e përfundej nën peshën e prodhimit masiv të po së njejtës krijimtari, grafiku i së cilës mbetet shpat i thepisur mali në lartim e sipër. Mendësia në thelb anti-intelektuale që bazohet në konkurencën atomistike të tregut duket të jetë e plazmuar aq fort në fushën e krijimtarisë artistike, saqë edhe shkrimtarët më në zë të Shqipërisë sot suksesin bruto në vija të trasha e masin me sasinë e shitjeve, ndërsa atë të mirëfilltin, “që ia vlen”, neto e në vija më të holla, e çmojnë plotgojën me numrin e përkthimeve, vlerësimit të të huajve ndër gjithëfarë sesionesh, konferencash e kremtimesh, dhe natyrisht me çmimet e korrura. Sa për të ofruar një shembull, po citoj shkrimtarin Y. Aliçka (tanimë edhe ambasador i Shqipërisë në Francë), i cili gjatë një interviste botuar te Panorama, e më pas postuar te Peshku pa Ujë, për librin e vet “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” shprehet:

Them se [libri] ka një sukses më tepër nga tema. Ndërsa për vlera artistike do e mat me botuesin jashtë. Botuesi jashtë do e shohë, a ka vlerë apo nuk ka vlerë ky roman, sepse këtu falë sensacionit që po ngjall ai po shitet mirë.

Dihet që një vepër e mirë shpesh përkthehet, sepse vlera nuk njeh kufij gjeografikë, sikurse dihet se ç’përkthehet jo gjithnjë mund të njejtësohet me vlerën. Mirëpo mëtimi i statusit bestseller brenda ose jashtë vendit pak ka të bëjë me intelektualin si misionar të fjalës që rreket ta krijojë lexuesin duke ia mbrujtur shijet përmes modeleve të epërme. Në të vërtetë shkrimtari dhe lexuesi mund të shihen si fytyra të njeri-tjetrit, sepse shijet letrare të lexuesit s’janë veçse përftim i letërsisë që e mëkon në kuptimin që “Thuamë ç’lexon, të të them cili je.” Por, ndofta sot, në kohë të teknologjisë dhe shpejtësisë e ngutjes, ngesë e dëfrimit, papërmbajtjes dhe grykësisë, ka më shumë kuptim ta zbrisnim aforizmin arkaikisht e përulësisht në rrafshin “Thuamë a lexon, të të them a je.” Në mungesë të bashkëpunimit me redaktorin si dorë ndihmëse e burim i pazevendësueshëm përmirësimi e vlerësimi paraprak dhe kritikës së kualifikuar si auditim i shëndetshëm e kontroll cilësor, krijimtaria letrare zor t’i mbërrijë qiejt që mëton. Përkundrazi shkrimtari që kryemerak ka t’i gjejë mallit të vet konsumatorin s’ka si të mos kthehet në peng të tekave të modës e t’u përulet shijeve vulgare që krijojnë e riprodhojnë ultësirat e tregut në partneritet me mediat. Në këto rrethana dallimet midis shapit dhe sheqerit, të bukurës dhe të shëmtuarës, mençurisë dhe banalitetit, bëhen sa të pamundura aq edhe të pavlefshme.

A thua ky lloj hibridi lindor i kapitalizmit, do bekuar për dhuratën më të vyer që pruri – lirinë e fjalës dhe të shtypit nga njera anë, por edhe do blasfemuar që si klimë s’po u prin intelektualëve, krijuesve e njerëzve të penës në përgjithësi, nga ana tjetër?

Si çdo prodhimtari, edhe malit të sotëm letrar që të mbahet në këmbë e të vijojë të rritet iu dashka një platformë mbështetëse e inkurajimi në formë çmimesh, promovimesh, e përlavdimesh, të cilat të mund të shquajnë kështu hierarkisht gjeneralët e oficerët prej ushtarëve e kadetëve. Kjo strukturë incentivash, që tani është sendërtuar prej gjithëfarë organizatave, shoqatave, instituteve e klubeve shpesh të dyshimta e obskure, sa në Shqipëri edhe diasporë, në thelb nuk është veç surrogato ose kopje më kitsch se kitsch-i vetë i modelit amerikan Oskar.

Në këtë peizazh, ndër shembuj jo të paktë po zgjedh njerin, të cilin e shoh si një ndër ilustruesit më elokuentë të krijuesit ose intelektualit post-totalitar.

Lexoja në lajmet kulturore të Balkanweb në fillim të shtatorit se ministri Pango kish firmosur krijimin e çmimit “Teodor Keko”. Po ky krijues, i cili në 2002 për fat të keq u nda nga jeta para kohe, u dekorua në 2007 nga presidenti A. Moisiu me “Medaljen për Merita të Veçanta Civile”, ndërsa një rrugë në Tiranë sot mban emrin e tij. Dekorimi u shoqërua me këto fjalë:

Njeri, poet, shkrimtar, publicist, politikan, për Teodor Kekon vdekja ishte sfida më e madhe.

Tani, kush mund të thotë se vdekja nuk na qenkesh sfida më e madhe edhe për cilindo vdektar tjetër? Vetëm ata, të cilët sfida të përnjimendta konsiderojnë çështje etike e bindjesh. E karaktere të tilla, të cilat do të ishin gati të flijoheshin në mbrojtje të së vërtetës ku falen, a në emër të një kontributi a besimi, siç e ka vënë në dukje me kohë Solzhenitsyn, sot nuk ekzistojnë më. As në Shqipërinë e sotme të piramidave të pareve, të piramidave të fjalëve, të piramidave të lavdeve...

Duke e lënë gjuhën çalamane mënjëanë (e cila kur çalon ia merr këmbët edhe mendimit), një vlerësim i tillë i lartë, veç të tjerash, më shtyn të mendoj: A janë vallë 6 vjet të mjaftueshëm për të vlerësuar krijimtarinë e dikujt deri aq sa ta kthesh këtë në etalon të suksesit? Ta zemë se janë. Por, përtej namit prej bestseller-i, përtej lexuesve të cilët falë nektarit të embël të rrëfimeve të lehta urbane, mjaltit sensual dhe chic-ut të ankthit ekzistencial nuk do të mungojnë kurrëndonjëherë, a gjenden vallë mendime të mirëpeshuara shqyrtuese të tilla që në mos piedestalin, të paktën t’ia kenë përgatitur këtij autori vendin e përafërt në shkallaren e vlerave ekzistuese të shkrimtarisë shqiptare? Tek e fundit, a ka ndonjë vështrim kritik të veprës së Kekos në mënyrë që kush ia hyn punës për ta fituar çmimin e nderuar Keko të dijë mbi ç’kritere është vlerësuar e kësisoj të mësojë se ç’duhet të mbajë parasysh për të konkuruar efektivisht? Përndryshe, si mund t’i vlejë një çmim i tillë kulturës shqiptare? Ketu s’po e cek fare rrafshin e botimeve publicistike, sepse prej tyre nuk gjej gjësendi elektronikisht. Mos ndofta ngaqë ky zhanër është lodhës për lexuesin e Kekos poet, tregimtar, hokatar? Veç mendimeve, përshtypjeve e kujtimeve dashamire e mallëngjyese prej të afërmëve dhe miqve (përfshirë një parathënie nga A. Bejtja dhe një shkrim nga N. Lako), ja ç’vlerësime ofrohen nga Balkanweb:

… veprat e shkruara nga ai nuk rrëmbehen nga e jashtmja dhe as nga metafora e qëllimtë.

Veprat nuk u rrëmbekan nga e jashtmja, as nga metafora e qëllimtë! – Ç’kod të frikshëm të jenë duke bartur këto fjalë? Ç’të jenë vallë duke thënë?

Ja edhe një fjali tjetër e çuditshme në vijim:

Thjeshtësia dhe origjinaliteti i frazës krijojnë në prozën e tij, një ansambël harmonik, dinamik dhe pa deklarata cerebrale.

Deklarata cerebrale? Mjerë vepra e Kekos me gjithë çmimin që i blatojnë e varakun me të cilin e lyejnë! A thua gazetarë janë këta apo kafshë laboratori të cilëve shkencëtarët ua masin kapacitetin cerebral duke u rrekur t’u mësojnë aftësi që përndryshe duhet të jenë domen përjashtimisht i njeriut…

Veprat e shkrimtarëve të mirë shpesh kanë fuqi të ndikojnë botëkuptime, frymëzojnë ndërmarrje veprimesh e filtrojnë zgjedhje e dilema etike. Nëse vepra e Kekos është përnjimend e denjë për t’u bëre etalon, atëhere kam të drejtë të pyes: sa mund të frymëzojë botë veprimesh te lexuesi, gazetari, publicisti, e shkrimtari? Ç’bindje do t’u influenconte e ndryshonte? Në ç’mënyrë do t’ua pasuronte botëkuptimin? Për të ditur përgjigjen, ministria që shpërndan çmime, lypset që kryesëpari të kujdeset t’ia botojë veprën.

Ky vlerësim kaq spektakular natyrisht është kështu krejt jashtë-letrar, edhe s’ka si të lidhet me ndonjë peshim profesional publicistik dhe artistik të veprës, qoftë edhe për faktin e thjeshtë se Keko për fat të keq nuk arriti të piqej mirë si krijues. Por edhe sikur vërtetë ta kishte arritur pjekurinë, vlerësimi më së pari duhej të vinte nga kritika e kolegët krijues, jo nga shteti, domethënë nga minstri Pango, miq deputetë e politikanë, a kolegë kupash rakie e vere. Për të mos përmendur pastaj B. Mustafajn, shkrimtarin, politikanin, dhe celebrity i teatrit të neomondanëve shqiptarë – i cili në mbyllje të fjalimit të përmortshëm, sa bombastik aq edhe të nginjur në lavde të velshme, nuk gjen shprehje më të natyrshme, më me këmbë në tokë, më të sinqertë, më të shpenguar, më spontane, e më artistikisht të ndjerë sesa, po citoj:

E kupton ti, ç’i ke bërë vdekjes o budalla? Edhe punët e perëndisë i ke sjellë të behen sipas deshirës tënde. Ik tani, ik!…

Më mirë po e lë Mustafajn mbi mullar të mufkave të veta, e po kthehem sërish te Keko. Ky është shndërruar kështu, për fat të keq, ne mitin e shkrimtarit modern, edhe për shkak të sensacionit e sentimentalizmit ngashëryes që kaplon publikun sa herë që komponente dramatike sikurse kanceri e vdekja shtohen “si një dorë miell më shumë, por vendimtare” në magjen që gatuan famën, vit pas viti. Për të mos përmendur pastaj hollësi të tjera banale të cilat i serviren publikut sehirxhi të tabloideve, sikurse lajmin që tejçuan gazetat anembanë për gjetjen e Amanetit të Dorit të Vogël; tatuazhi me emrin e tij në trup të të birit; pusullat e dashurisë për bashkëshorten (tek e fundit, vallë sa gra shqiptare ka që agimi i zgjon me pusulla të ëmbla që bashkëshorti ua le me përdëllim e delikatesë pranë jastëkut ose filxhanit të kafesë?); ç’bëri, ku vajti, kë takoi, te cilët pushtetarë trokiti e qau hallin; si e nderuan e si iu zotuan; ç’masa mori për t’ia siguruar familjes mbarëvajtjen para se të mbyllte sytë; ç’i tha mjekja në shtrat të spitalit; me cilin mik po drekonte (duke sfiduar vdekjen) pak para frymës së fundit; si i mësuan familjarët rrethanat e vdekjes, e kështu me radhë – Të gjitha “hollësi fatale” që shtangin e mbajnë mbërthyer vemendjen e publikut ose skenar i gatshëm filmi me sukses të sigurtë! Ose privatja lakuriq në ankand…

Pyes veten vallë a i bën nder Kekos një çmim e reklamë shitjeje e tillë? Ç’do të kish menduar vallë po t’i mësonte të gjitha këto? Po të shihte prej dritares që nga banesa e nëndheut a qiellit ku pushon, ç’do të mendonte për Dorin e Vogël me dekoratë në qafë tek falenderon ministrin Pango me gjithë shpurë për vlerësimin luksoz? Nëse veten e ka konsideruar krijues të lirë e shijehollë, vëzhgues skeptik e kundërvënës të çinteresuar dhe jo pllakë – sado me yll të stampuar – të çimentuar mbi dysheme të establishmentit, mendja më thotë se do të ndihej ngushtë.

Nga ana tjetër një tjetër pyetje lind vetiu: Pse nuk ka çmime të tilla si, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi, Ernest Koliqi, Anton Harapi, Aleksander Xhuvani e të tjerë luminarë? A nuk ka kaluar boll kohë për t’ia përsiatur veprën, për t’u mejtuar mirë, për të ndryshuar mendje, e për t’u bindur nëse këta e meritojnë apo jo? Vallë cilët shtetarë e deputetë ta kenë në dorë këtë punë? Bindem se duke i lënë të qetë i nderojnë më shumë.