Skip to content

Ismail për Ismail? (I)

August 4, 2008
tags:

Ajo që më duket shqetësuese në idenë e fshirjes së emrit (etiketës?) Ismail Qemali nga emërtimi i universitetit të Vlorës është arsyetimi që mbeshtetet te nevoja për marketueshmëri dhe ndërkombëtarizim. Po të jetë puna kështu, mua më duket se do të qe mënyrë më efikase që ndryshimi të mjaftohej me këmbim mbiemrash, prej Qemali në Kadare. Ismail për Ismail, nëse i pari nuk e ka, i dyti e ka tashmë të sprovuar marketueshmërinë si ikonë mediatike. Madje, duke qenë se ky universitet hë për hë duket të tërheqë studentë, më mirë të them “konsumatorë” prej Bangladeshi, Pakistani, Indie e Kine, etiketa Ismail Kadare (edhe pse myslimane), për shkak të pranisë së këtij shkrimtari në mediat planetare, në temat e seminareve e promovimeve, në bibliotekat e lexuesve dhe libraritë perëndimore, me siguri do të ndikonte pozitivisht në vendosjen e lidhjeve me të frytshme midis këtij universiteti dhe botës akademike perëndimore. (Jam kureshtare megjithatë të di se ç’i bën këta studentë të huaj të lindjes të zgjedhin Universitetin e Vlorës? Ç’degë studimore preferojnë? Dhe ç’përfitime tamam ka Universiteti i Vlorës prej tyre? Po të tjerë universitete shqiptare, krahasuar me atë të Vlorës, ç’përvojë kanë me “konsumatorë” të huaj? )

Përse qenkan nevojat për marketueshmëri më të rendesishmet? Konteksti nga i cili mbijnë këto nevoja më duket mua është përgatitur në humusin e një filozofie të arsimit që shkruhet sipas parimeve të tregut – madje të kohës së Adam Smith-it, filozofi e cila është për të ardhur keq që e gjen shprehjen e vet më agresive dhe regresive në një sërë artikujsh të një brezi të ri të diplomuarish në perëndim kryesisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Që universitetet shqiptare kanë nevoja urgjente për fonde të bollshme me të cilat të ndreqen që nga librat e pagesat e instruktorëve e deri te pajisja me dritare, dyer, mure të suvatuara e të lyera me gëlqere, banka e dërrasa të zeza, e kështu me radhë, këtë nuk mund ta kundërshtoj dot kurrsesi. Por që universitetet të mbijnë si këpurdhat pas shiut dhe të konkurrojnë me njeri-tjetrin si në treg të gjësë së gjallë, këtë e kam të vështirë ta kuptoj. Dhe pretendimet për lidhje e komunikim, e shkëmbim idesh sado të admirueshme e pjacëlarta, me duken në thelb profka. Arsyen e super-ambicieve të tilla e gjej te mendësia që ushqen etjen për pasuri materiale, dhe dëshira për ekzibicionizëm të shëmtuar, të cilat mediat kujdesen të na e përcjellin dhe edukojnë sa më mirë.

Më fals nga të gjithë më duket se është pretendimi i “nevojës për kërkimtari”. Po, ç’kanë parasysh këta polemistë e drejtues të nderuar universitetesh me “kërkimtari”? Të pretendosh se prioriteti primar i një universiteti është kërkimtaria, kjo nuk është ambicie dokudo – jo të gjithë universitetet guxojnë të vetë-karakterizohen si të tillë. Universitete me profil kërkimtarie shkencore janë zakonisht ata që dallohen për traditë të mirënjohur e të suksesshme hulumtimesh, të themeluar dora-dorës përmes përsosjes së kulturës së punës studimore, avancimit të metodave të kërkimit edhe arritjeve graduale tulle pas tulle e bllok pas blloku, sa individuale aq edhe kolektive. Përndryshe qendrat kerkimore që shquhen në këtë sferë, por që s’kanë traditë, themelohen si grumbullime studiuesish me arritje të spikatura e interesa të përbashkëta studimore dhe me mbështetje të mirëmenduar financiare. Mirëpo për çfarë përvoje të kaluar universitare e kërkimore dhe unike shqiptare mund të flitet, e tillë që t’i vendoset si bazament mbështetës shkollës së sotme shqiptare, deri diku me përjashtim të “cepit albanologjik”? Edhe, në një kohë që të gjithë duket se e ngrejnë në piedestal rendësinë e kësaj fushe për shkak të prestigjit të lidhur me ndjeshmeritë atdhetariste, gjendja e mjeruar e shqipes së tanishme është treguesi më evidentues i batakut arsimor, akademik dhe intelektual ku ndodhet vendi. Shqipja e shkruar dhe e folur sot është në të vertetë denoncuesja më e mirë e falsitetit të përbetimeve dhe përgjërimeve patriotike.

Por, përndryshe për Kërkimtari shkencore Teorike sui generis si përpjekje e njeriut për te avancuar nivelin e sotëm të të kuptuarit të botes, si të thuash për hir të njohjes, nuk mund të flitet as se është bërë dje, as se po bëhet sot – aq më pak sot. Madje pak mund të flitet edhe për Kërkimtari të Aplikuar, që synon shfrytëzimin e dijes në mënyrë praktike për t’i shërbyer drejtpërdrejt rritjes së mirëqenies e begatisë së shoqerisë, komunitetit dhe vendit. Kësisoj, kërkimtaria nuk mund të themelohet, aq më pak të avancohet mbi boshllëk, makar edhe sikur universitetet shqiptare të laheshin e kullonin në fonde. Përpara pretendimit për krijim dijesh të reja, shkollave e universiteteve shqiptare u duhet të punojnë fort në drejtim të kulturës së punës e të nxenies së dijeve të lartuara përmes mundit e punës së tjetërkujt. Edhe përpara shkencëtarëve të laboratoreve, vendit i duhen teknikë e specialistë, punonjës shërbimesh, mësues të kualifikuar, drejtues të aftë në sferë të prodhimit, qarkullimit dhe shërbimeve – të cilët përpara njohurive teknike u falen vlerave morale dhe etike.

Po përse xhanëm nuk flitet për mbështetje më të mire shtetërore e private në drejtim të përmirësimit të bibliotekave dhe aksesit të informacionit? Me mundesitë e sotme të zhvillimit të teknologjisë së informacionit – të cilat mbërrijnë në Shqipëri qoftë edhe për arsyen se kur bota e gjithë rrotullohet e bën përpara doemos edhe Shqiperia do të ketë vetiu ca përfitime edhe sikur vetë të mos bëje shumë – vallë a nuk ka mënyra të shumta e jo doemos të shtrenjta, që varen më shumë nga burimet dhe vullneti ynë i brendshëm jo nga të huajt të cilët i shohim në sy si konia të zonjën, të cilat mund t’ua mundësojnë studentëve dhe shkollarëve shqiptarë njohjen dhe nxënien e dijeve që kanë arritur të tjerë? Vallë kjo të jetë ambicie e papërfillshme?

Edhe sidomos shkollës shqiptare përpara nevojës për kërkimtari sui generis, i duhet urgjentisht të rehabilitojë rolin parësor të mësuesit në formimin e qytetarit të së nesërmes dhe respektin për instruktorin si trajner, mentor dhe ndërmjetësues i pazëvendësueshëm midis dijes dhe nxënësit.

(vijon…)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: