Skip to content

Ismail për Ismail? (II)

August 4, 2008
tags:

I gjendur në vorbullën mediatike, reagimet e rektorit Shaska lënë për të dëshiruar, për nga cektësia dhe pamjaftueshmëria. Krahasimisht, më vjen ndër mend Barack Obama, i cili i gjendur në mes të imbroglio-s që i shkaktoi pastori i vet prej tri dekadash i Kishës së Bashkuar të Trinitetit, Rev. Jeremiah Wright, me retorikën e tij kontroversiale, diti t’i manipulojë e kthejë mjeshtërisht mediat dhe elektoratin në anën e tij duke e shndërruar një moment problematik e pengues në shtysë pozitive e favorizuese për kauzën e vet. Kështu në vend që të ngecte në rrjetën e shpjegimeve mbrojtëse (pavarësisht se rasti në vetvete ia vlen të këqyret me detaje nga shumë kënde që nuk po i shtjelloj këtu), ngarkësën negative të retorikës inflamatore e ngërçin e çastit Obama e ktheu në një diskutim parimor për racat, kuptimin e konflikteve dhe mërive historike, duke parashtruar vizionin e tij për ndryshim e vështrim për nga e ardhmja.

Përkundrazi, Shaska duke u gjendur papritur në qendër të vemendjes, në vend që ta shfrytëzonte median në dobinë e vet, për të shndërruar ngarkesën e çastit nga negative në pozitve e për të nyjëtuar bindshëm se ku synon ta shpjerë institucionin që ka marrë përsipër të drejtojë me anë të kumteve të mirëpeshuara, fatkeqësisht nuk arriti ta kapërcejë dot qerthullin e banalitetit dhe idealistit orëmbetur.

Për shembull, ja se si i përgjigjet Shaska pyetjes së drejtuar nga HermesNews më 30 korrik 2008, “Cfare ju shtyu ne te vertete [qe] te nderrronit emrin e Universitetit ?”

Vlora eshte ajo qe me shtyu te bej kete propozim. Vlora me kodrat e ullinjve, me Sazanin e Karaburunin, me perendimin e saj te arte, ajo Vlore qe si brezin tone ka br[u]mosur breza te tjere per mijra vjet. Vlora e Orikut, Qesarit, Gjergj Aranitit, Ismail bej Vlores, Qazim Koculit, Eqerem bej Vlores e Seit Qemalit, Ali Asllanit e Petro Markos, Mexhit Haxhiut e Vasil rucit, e mijra te tjere. Une dua qe kur njerezit neper bote te degjojne per universitetin tone t’a dine se eshte ne Vlore, te kene parasysh Sazane e Karaburune, perendimin e diellit dhe kodrat e ullinjve.” (Theksimi është imi.)

Për të gjithë ata që vemendshëm mbajnë vesh se ç’thotë Shaska e presin të mirëpredispozuar arsyetime më të pjekura, ëndërrime të tilla prej romantiku të Rilindjes, tingëllojnë fare fëminore (në rastin më të mirë), sado me dorë në zemër. Bukurite e bekuara te Vlorës, Rektori natyrisht le t’i shfrytezojë kur të organizojë piknikë, lojra sportive dhe evente fondngritëse me studentë e dashamirës. Përndryshe, ajo që pres të dëgjoj në daç në rolin e lexueses me mend në kokë, apo si studente që peshon ose zgjedh universitetet që i përshtaten më mirë, qoftë si bashkëpunëtore potenciale apo thjesht si qytetare e interesuar, s’ka të bëjë fare me përgjigjen prej çunaku të Shaskës.

Ky në të vërtetë do të qe rast i mirë që Shaska, t’ia mbyllte derën diskutimit për punën e Ismailit e t’ia hapte portat parashtrimit të vizionit të tij për univerisitetin e diskutimit ku të shtjellonte synimet e objektivat që ka për të. Disa përgjigje do të kuturisja t’i modeloja si vijon:

  • Dua ta kthej universitetin në një vend ku mesimdhënia të shkëlqejë e të bëhet model për të gjitha shkollat e vendit.
  • Dua ta kthej universitetin në një qendër mësimore ku të lulëzojë mendimi kritik, nderohet e vërteta shkencore, dhe luftohet dogma.
  • Dua ta kthej universitetin në një mjedis pune të shëndetshëm ku dijet nxihen me punë e djersë, e ku studentë e prindër të ndjejnë se ia kanë besuar formimin akademik, instruktorëve me integritet të lartë moral e profesional.
  • Dua që kush aspiron te studiojë për matematikë, të zgjidhë universitetin e Vlorës, si vendin ku kjo disiplinë mësohet më mirë se kudo tjetër në vend.
  • Dua që për Universitetin e Vlorës të thonë: “Po deshe të mësosh gjuhë e letërsi shqipe, shko në Vlorë!”
  • Dua që Universiteti i Vlorës t’i japë vendit menaxherët më të mirë të hoteleve dhe turizimit.
  • Dua ta kthej në një universitet që falë dijeve dhe mjeshtërive superiore me të cilat pajis studentet, t’i bëje këta të preferuarit e parë për punësim nga organizata të mirënjohura në mbarë vendin sikurse: Qendra e Riparimit të Jahteve dhe Motobarkave të Lehta, Kompania e Prodhimit të Barkave të Shpëtimit, Instituti i Studimeve Navigacionale, Akademia Mbarëkombëtare e Peshkimit.
  • E kështu me radhë…

Mirëpo, Shaska parapëlqen të na e mbushë mendjen e dëftojë se ç’zemër të mirë ka dhe sa shumë e dashuron vendlindjen. Kjo strategji populiste për fat të keq i shkon për shtat konsumatorit të mediave, ashtu sikurse edhe indinjimet dhe opinionet e farefisit te Ismail Qemalit u ngjisin shijeve aq mirë. Po, këta kush i fton e ç’duan në këtë gosti mediatike? A mos lidhja farefisnore i ndihmon gjë të gjykojnë më mirë e më asnjanshëm?

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: