Skip to content

Pikëpjekjet Edukim-Kulturë

August 5, 2008
tags:

Vallë cilit nuk i kujtohet ta ketë dëgjuar, a t’ia ketë bërë vetes të paktën një herë pyetjen “Ç’dëshiron të bëhesh (kur të rritesh)?” Në larminë e tyre, përgjigjet të shoqëruara edhe nga artifakte – qoftë materiale si, veshjet e lodrat; qoftë konceptuale si, vizatimet, këngët, vjershat e përrallat – mund të merrren si një lloj relievi më vete shenjash të zhvillimit shoqëror-kulturor, ideologjik, ekonomik e teknologjik. Gjatë viteve të diktaturës do të ishin shprehje e uniformitetit dhe indoktrinimit ideologjik; për moshat më të rritura edhe dëshmi frike, dëshpërimi e ankthi për të ardhmen. Sot, në hyrje të shekullit XXI, mund të vështrohen edhe si një provë më tepër se depërtimi pothuaj i dhunshëm deri në mendjet e të vegjëlve i utilitetit ekonomik dhe konsumerizmit, është realitet i pakundërshtueshëm, me prirje për t’u bërë gjithnjë e më i pushtetshëm. Edhe më pikëllues duket ky realitet, kur konstatojmë se po ua grabit fëmijërinë qytetarëve të së ardhmes duke i ekspozuar pa mbrojtje e pa mëshirë ndaj informacionit të destinuar për të rritur; duke përfushur si në cirk aradhe promiskuitetesh gjithëfarëshe; duke përcjellë dialogje primitive e kacafytje politikanësh sikur të ishin akte vaudeville-i; duke përdorur imazhin e bukuroshes tru(p) zbuluar si ilustrimin automatik e më të goditur të kumtit komercial; duke shndërruar pa ndrojtje në publike atë që është e duhet të mbetet private; duke zbuluar sekrete të rriturish, trupi e shpirti, në emër të shkëmbimit të lirë e të hapur të fjalës; duke çmistifikuar dhe përtretur ndjenjat e turpit, modestisë e vetë-përmbajtjes.

Në prani të mykut dhe të kalbësisë së trashëguar nga totalitarizmi; me infrastrukturë të rrënuar; gërryer nga hemorragjia e trurit; privuar nga burimet financiare, njerëzore e teknike; dhe në vështirësi të skajshme organizative e administrative, edukimi shqiptar këtë fillim shekulli duket i rrëgjuar si mos më keq, pa zë që ta dëgjojnë e pa autoritetin e nevojshëm për t’i ofruar shoqërisë një sens drejtimi a vizioni. Rolin e edukimit vijnë dhe e marrin kështu përsipër kanale inferiore, që informacionin nuk dinë veç ta përcjellin të modeluar si spektakël e të konceptuar si mall – sikurse reklamat, filmat komercialë, librat e botimet surrogato, muzika MTV, Interneti, intervistat banale, e garat e bukurisë (bashkë me inteligjencën që ua testojnë misseve!). Ndoshta ekonomia e pështjelluar e tregut nuk bën dot pa këto mënyra, mirëpo përkthimi i gjithçkaje në transaksione utilitare s’ka si të mos shoqërohet me fenomene të tilla si: dashurimi me mjetet dhe mospeshimi i qëllimeve e që këtej pështjellimi etik; liria e pabalancuar me vetëpërgjegjshmëri e që këtej kaosi; grykësia për gratifikim imediat dhe indiferenca ndaj pasojave e që këtej shkatërrimi moral.

Nëse edukimi shihet si shpresë për rimëkëmbje, nuk mund të anashkalohet shqyrtimi i kujdesshëm i pyetjeve të tilla sa të vjetra, aq edhe të reja: Cili është qëllimi i edukimit? Ç’lloj publiku kërkon të krijojë e t’i shërbejë? Mos vallë një publik pa sens drejtimi; një konglomerat uniform e indiferent konsumatorësh? Apo, një publik me sens identiteti, i aftë të udhëhiqet nga qëllime, me respekt për veten e për vendin? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, më së pari do kuptuar se edukimi është një ndëmarrje e karakterit moral, ku orvatjet për të nxënë njohuri janë të pandashme e në funksion të mbjelljes së kodeve dhe vlerave psiko-kulturale dhe përkujdesjes së pandërprerë ndaj tyre.

Në këtë pikëvështrim, ndërmarrja edukuese do marrë jo thjesht si përpjekje për t’u mësuar të vegjëlve shkrim e këndim; jo vetëm si një proces prodhimi teknokratësh në seri, apo si bashkësi diskrete ngjarjesh që kurorëzohen në konvertim të suksesshëm diplomash; as si një treg ku dijet perceptohen si sende që mund të blihen e të shiten. Edukimi është para së gjithash bashkësi procesesh e praktikash shoqërore që rreken t’i mësojnë individit (qoftë i mitur a i rritur) si të sillet e të kontribuojë në grupe shoqërore; si të marrë e të japë reciprokisht me individe të tjerë; si të shkëmbejë vlera. Por është edhe udhëtim grishës që synon krijimin e një brezi të ri të vetëmotivueshëm e vetadaptueshëm; mëkon tolerancë ndaj pluralizmit të ideve, kulturave e politikës; stërvit aftësitë e të menduarit kritik e të pavarur; zëvendëson cinizmin me skepticizmin e shëndetshëm e krijues; emancipon mendjen duke e çliruar nga vargonjtë e ideologjisë dhe dogmave; e fton njeriun në ekskursione transformuese që synojnë korrigjimin e gabimeve të mendjes; krijon dinjitet njerëzor duke i vënë njohuritë dhe aftësitë teknike e shkencore në shërbim të parimeve morale; plazmon dashuri e respekt për familjen, komunitetin, vendin, rajonin e planetin.

Parë nga konturet e një horizonti të tillë, edukimi shqiptar me vështrim nga e ardhmja, nuk mund t’u shërbejë nevojave kombëtare, pa qenë i përgatitur të ballafaqohet edhe me nevojat e oportunitetet e diktuara nga shndërrimi i botës në “fshat global”, si rrjedhim i zhvillimeve të reja politike e shoqërore, por edhe sidomos për shkak të përparimeve të pashembullta teknologjike dhe ekonomike, të cilat po e ripërmasojnë hapësirën dhe kohën. Mirëpo që t’u përgjigjet nevojave lokale e njëherësh të jetë i mirëkolauduar me synimet, kërkesat e standardet diktuar nga gjithëpërfshirja e përshkallëzuar rajonale, kontinentale e planetare, edukimi shqiptar para së gjithash lipset të jetë autentik. Dhe s’mund të jetë i tillë pa qenë njëherësh sa “i diferencuar”, aq edhe “i integruar”. Janë pikërisht këto dy kushte që duke bashkekzistuar përcaktojnë qëndrueshmërinë, mëvetësinë dhe aftësinë mbijetuese të një sistemi.

Një ndër sfidat më kryesore të edukimit, për të qenë i diferencuar, është zhvillimi i një sensi identiteti për publikun. Pa restaurimin e identitetit, vështirë se ekzistenca mund të ketë kuptim; zor se mund të ketë vetangazhime e ndërmarrje objektivash me vlerë; e pamundur të ndihet një sens drejtimi në jetë që ia vlen të ndiqet. Kjo do të thotë punë për të rehabilituar dhe korrigjuar vlerat, tashmë të përthara e të neglizhuara, që burojnë nga faktet, narrativat, kultura e historia shqiptare – e cila punë mund të bëhet me themel, nëse nga njëra anë merret në dorë e drejtohet vertikalisht nga shteti nëpërmjet arsimit publik, dhe nga ana tjetër ndihmohet nga përkushtimi i paepur i shoqërisë, veçanërisht familjes. Në të kundërt kumte të kallëpit: “Bianca Nygård: Aty ku moda me teknologjinë puqen!” do të parapëlqehen (siç edhe janë) e do t’u mbivendosen aksiomave kombëtare të tilla si “Feja e shqyptarit âsht shqyptaria!”, të cilat s’do të arrijnë dot të luajnë rol plehërues për trurin standard; te papërpunuar e shabllon-ndjekës; skllav i përgjunjëzuar i teknologjisë mediatike.

Nga pikëvështrimi kognitiv (i njohurive), një ndërmarrje e tillë nuk mund të kryhet nëse nuk mëton më së pari t’u mësojë qytetarëve të së ardhmes gjuhën shqipe – si “pasqyra më qartë e kombit dhe kulturës së tij” (Çabej); gjuhën tonë korrekte (pa ndotjet dhe shtrembërimet e vajtueshme me të cilat jemi mësuar ta lexojmë e ta dëgjojmë); gjuhën shqipe si mjet bartës, por edhe krijues të mendimit; sepse sa më e zhvilluar gjuha, aq më i zhvilluar mendimi; aq më të mëdha gjasat për të përmirësuar komunikimin, etikën, politikën, e shijet; aq më shumë shqip-përdoruesit nga çdo skaj komunikimi do të mund të ndihen pjesëtarë të bashkësisë shqiptare. Mirëpo mësimi i gjuhës shqipe nuk mund të kryhet, pa vizituar historinë e Shqipërisë, jo si propagandë a koleksion dogmash, të cilat mit-dashësit diletantë priren t’i marrin à bouche ouverte për prova që kinse verifikojnë bindje të pavërtetueshme shkencërisht; por, përkundrazi si thesar i çmuar, analiza e të cilit, duke ushtruar gjykimin kritik, shërben për të mësuar, në atë masë që lejon shkalla e njohjes, të shkuarën e të tashmen, me shkëlqime vlerash mes ndryshkut dhe pluhurit; me të vërtetat, pikëpyetjet e paplotësitë që bartin. Vetëm kështu do të mund të mësojmë se ku të referohemi, si ta vështrojmë, ta kuptojmë e t’i afrohemi të ardhmes.

Nga ana tjetër, që të jetë autentik, po aq vendimtare është që sistemi i edukimit njëherazi të jetë i integruar, ose me fjalë të tjera, i aftë t’i përshtatet trysnive për bashkëfrymëmarrje e ndërshkëmbime sistemike rajonale e më gjerë, trysni të cilave jo vetëm nuk kemi pse, por as edhe nuk mund t’u shpëtojmë. Ato duan njohur thellë dhe përkthyer në vendim-marrje të dobishme në mënyrë që edukimi shqiptar të arrijë të bashkërendohet mes hallkave homologe të bashkësisë evropiane. Së pari do kuptuar se sistemi i edukimit nuk është strukturë konkrete e lehtësisht e transferueshme teknologjikisht. Ndryshe nga industria e motorëve për shembull, “teknologjia e edukimit” nuk mund të identifikohet me impostimin e shablloneve strukturore a proceduriale në mënyrë standarde e mekanike si të ishin manuale instalimi programesh kompjuterike, as si zbatim virtuoz recetash gastronomike nga amvisa të specializuara. Nisur nga ky pikëvështrim, nëse e përfytyrojmë reformimin e edukimit shqiptar, të themi, si një riprodhim modeli, qoftë ai edhe ndër më të mirët modele perëndimore, kjo do të ishte jo vetëm një strategji simpliste, por edhe e gabuar. Nëse mëton të zgjidhë probleme shqiptare, edukimi doemos duhet të ketë një fytyrë shqiptare, profili i së cilës të përcaktohet nga nevojat dhe problemet unike e të miridentifikuara të shoqërisë shqiptare.

Që hallka shqiptare të lidhet harmonishëm në vargun e integruar evropian, është e nevojshme të mbështetet në një mendësi që shkon përtej modeleve binare të të menduarit, lipset të jetë sa sistematike dhe e mbështetur në parime e praktika të sprovuara botërore, aq edhe e improvizuar e reflektuese e rrethanave unike shqiptare; sa logjike, aq edhe intuitive; sa teorike e shkencore, aq edhe praktike; sa teknologjike, aq edhe shoqërore; sa filozofike, aq edhe pragmatike. Kreu i radhës në këtë varg punësh, pa dyshim, i takon shqyrtimit të kujdesshëm e kritik të filozofive e strategjive më të përparuara të edukimit botëror duke peshuar e analizuar pyetje të tilla si: Përse janë të suksesshme? Ç’gjëra të çmueshme përmbajnë? Ç’të meta bartin? Ç’mund të mësohet e huazohet prej tyre? Sa janë të zbatueshme në mjedisin unik shqiptar? Cilave u ndihemi historikisht e kulturalisht më pranë? Kërkimi i përgjigjeve e rrugëzgjidhjeve, nëse bëhet në mënyrë të studiuar e duke ndjekur metodologji rigoroze, nuk do të vonojë – për ta thënë me John Dewey-in – të “vetësugjerojë” zgjidhjet e shumëkërkuara. (2004)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: