Skip to content

Çmimi i Fjalës

August 6, 2008

Në një kohë kur tehu i zhvillimit teknologjik e mediatik e rikonfiguron jetën e përditshme gjithnjë e më fort, kur pragmatizmi bëhet qëllim në vetvete dhe etja e pashueshme për parajsë materiale ethshëm mban peng dëshirat e lakmitë, rëndom nyjtojmë shprehje që kanë të përbashkët fjalën “treg”, të tilla si: tregu i ideve, informacionit, opinioneve, shtypit, etj. Kombinime të tilla sado të formuluara shkujdesshëm e vetvetishëm, në thelb fshehin domethënie kontradiktore e sidomos shkurajuese, sepse ç’mund të kenë të përbashkët idetë e njohuritë, mendimet a opinionet e në përgjithësi aftësitë mendore me “tregun”, si interstic transaksionar? Vallë a ka çmim që të etiketojë shkëmbimin e pyetjeve, arsyetimeve, krahasimeve, shpjegimeve, këndvështrimeve, parashikimeve, propozimeve, përvojave njerëzore? E më tej, a mund të maten numerikisht luhatjet, ndikimet a shndërrimet mendore, por edhe shpirtërore që përftohen përmes ndërkëmbimbeve të mësipërme? Vështirë se mund të përqasen me “produktet a shërbimet” konkrete për të cilat një palë paguan dhe tjetra arkëton, sepse ç’mund të kenë të përbashkët qoftë kënaqësia që përfton blerësi prej mallit që ia përmbush a kapërcen përfytyrimin, qoftë ngazëllimi në sytë e shitësit prej pagesës që barazon a tejkalon shifrën e dëshiruar me atë çka, për shembull, njeriu përjeton kur në ligjëratën e shkruar a të folur pikas një vërejtje udhërrëfyese, mëson se ç’mund të (ri)vlerësojë a (vetë)korrigjojë, kupton se ç’mund të kontribuojë; ose shtanget nga hijeshia e fjalës, kthjellësia e gjuhës, finesa e parashtrimit? Ata që e kanë ndjekur ujësinë e turbullt të mediave shqiptare, veçanërisht gjatë dy-tre viteve të fundit, do të kenë ndeshur aty edhe në shkrime të cilat nëpërmjet persiatjeve të mprehta që mëtojnë të masin thellësi çështjesh me peshë ia kanë hapur portat vëmendjes publike, e ndoshta po këta kanë vënë re aty përkushtim, idealizëm e seriozitet jo të pangjashëm me atë çka rrezatonin shkrimet e një grushti publicistësh të shquar të fillimshekullit të kaluar.

Mirëpo pikëpjekje të tilla piktoreske pak kanë të bëjnë me oqeanin e informacionit, që ngop mediat për t’u riprodhuar pastaj po prej tyre, ku përgjithësisht llokoçiten copëza të shkëputura informative të çveshura nga arsyetimi, sensi i qëllimit e gjykimi kritik si botë-vështrim. Është fjala për shembuj të tillë informacioni të paketuar si rrëfenja të lira që synojnë të sjellin personazhe ikona pranë zemrave, si Lady D a Jacqueline Kennedy, por jo abstraksione pranë mendjes; përmbledhje zbavitëse peripecish martesore të çiftit Beckham; tregime për rrëmbime tinëzare çmimesh bukurie; publikime trillimesh hokatare për incidente të njëmendta e të çuditshme përplasjesh shtetesh fqinje; histori të trishtueshme vajzash të ngecura në çarkun e prostitucionit, por që ndonjëherë lumturisht mbarojnë me happy ending si të ishin skenarë taze për soap opera-n e rradhës; por ndonjëherë edhe si intervista me tentues vetëvrasjeje, të cilat në vend të mesazheve sensibilizuese e këshillimore çimentojnë paragjykimet, thellojnë moskuptimin dhe ushqejnë përçmimin publik ndaj plagëve e vuajtjeve mendore. Për të mos përmendur pastaj kronikat e pashtershme të kapërthimeve të papërmbajtura verbale (ndonjëhere edhe fizike) të politikanëve, por edhe polemikat e padenja midis gazetarësh të regjur e veteranë që e bëjnë publikun përfundimisht të mos dijë më se ç’të besojë.

Ajo që bie ne sy është se funksioni i informacioneve e narrativave të tilla nuk e tejkalon kënaqjen e kuriozitetit të cekët a nevojën për argëtim të lirë. Ato nuk lidhen me ndonjë përmbajtje të mëhershme e as shërbejnë për të krijuar ndonjë të re. Janë të çveshura kështu nga konteksti, sepse i mungojnë hallkat e referimit. Shkojnë e vijnë nga dhënsi te marrësi si listë faktesh e vështrohen si album idiosinkratik ngjarjesh. Duke qenë të divorcuara nga kuptimi e qëllimi nuk ka si të frymëzojnë vendim-marrje, a të cysin deshirën për vetë-veprim, përkundrazi inkurajojnë apati e indiferentizëm ngaqë nuk hyjnë në punë.

Harlisja e pakontrolluar e informacionit të tillë, që tani është realitet edhe në Shqipëri, është pa dyshim shembëlltyrë e garës së egër për ekzistencë dhe fitim, filamentet e panumurta të së cilës dalin nga serat e interesave dhe intrigave të kupolave ekonomike e politike. Por është e lidhur ngushtë edhe me zhvillimet marramendëse teknologjike, të cilat i çajnë shtigjet edhe për në mediat shqiptare. Mirëpo, ndërsa organet e shtypit nxitojnë të gjejnë vend ne www a rreken të modifikojnë kostumin elektronik (për shembull, Shekulli ose tani së fundi Korrieri), duke i bërë web site-t më të thjeshta në përdorim; më konsistente në klasifikimin e tematikave; me shpërndarje më proporcionale të tekstit, hapësirës dhe ilustrimeve grafike; e më tërheqese e të sofistikuara vizualisht, problem numër një mbetet gjithnjë ai i vjetri – përmbajtja – gjetja, përzgjedhja dhe trajtimi i saj, sepse teknologjia ndërsa shërben për të krijuar lehtësira komunikative, rrit shpejtësinë e marrje-dhënies së kumteve, dhe ofron modele të shumta paketimesh e përcjelljesh nuk mund megjithatë të zëvendësojë informacionin vetë a të ngatërrohet me përmbajtjen, e cila përpara se të paraqitet do gdhendur më parë në mendje.

Disproporcioni midis numrit relativisht të madh të organeve të mediave shqiptare në raport me kapitalin njerëzor të aftë për të kontribuar me njohuri, ide, opinione e propozime në mënyrë kompetente e autoritare si dhe mungesa e strategjive, praktikave e normave të përparuara gazetareske doemos çojnë në fabrikimin e lajmeve që kundërshtojnë njëri-tjetrin, çinformojnë lexuesin e çedukojnë publikun e interesuar. Mendësite, shijet e preferencat e publikut vijnë e pështjellohen e bëhen kështu lodra plasteline të TV-së, radios, gazetave e revistave të lira, derisa të dyja palët – publiku dhe shtypi – kthehen në një masë të përbashkët tutkalli informativ ose “massmedia për massnjeriun”, gjuhësisht të nyjëzuar përmes lidhëzes “dhe” në vend të “sepse”; vizualisht vulosur me “imazhin” si fotografim i së jashtmes, por jo si shqyrtim i së brendshmes; emocionalisht të vidhosur nëpërmjet kënaqjes së nevojës për zbavitje, egzaltim, e shlodhje pasive; kognitivisht të bashkuar nga njëtrajtshmëria, cektësia, vëmendja e papërqëndruar, gjykimi i dobët, mungesa e koherencës dhe kompleksitetit.

Të shpërndarë skajesh planeti por njëherazi edhe banorë të “lagjes globale”, shqiptarët sot megjithatë nuk ndihen më të informuar, pranë njeri-tjetrit e problemeve të përbashkëta përtej parapëlqimeve të ngjashme për markat e TV-së a kompjuterave; titujve të bestseller-ve dhe emërtimeve të dietave për peshë-renie; pertej gëzimit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në festivalin europian të këngës; apo dilemës lidhur me zgjidhjen e problemit se cilës i takon të jetë first lady. Edhe liritë e fituara; shpëtimi nga shtypja ekstreme totalitariane; mundësitë më të shumta për të eksploruar qoshet e planetit e bashkë me to larmitë e kulturave e mënyrave të jetesës; e shndërrimi i largësive gjeografike në njëvendësi elektronike nuk po duken ta konkurrojnë lehtë kërcënimin e uniformitetit me të cilin mediat rrafshojnë shumëllojshmërinë, pavarësinë dhe kreativitetin e mendimit.

Në këto rrethana shteti shqiptar nuk mund t’ia falë vetes – në emër të lirisë (reale a false) së shprehjes e konkurrencës – indiferencën ndaj medias, këtij rrjeti çudibërës me mundësi te hatashme për ndryshime social-kulturale si në dëm ashtu edhe në dobi të demokracisë. Por në ç’mënyrë mund ta mbrojë e mbështesë shteti zhvillimin e shëndetshëm të mediave, që ato të mos bëhen pasqyra para të cilave aktorët e teatrit politik dhe ekonomik të admirojnë veten, ndonjëherë duke u puthur, por më shumë duke u kafshuar, sipas rrethanave? Shumë po përflitet kohët e fundit “çmimi dysheme” si një mënyrë për t’u dhënë mundësi të barabarta mbijetese e lulëzimi si të fortëve ashtu edhe të dobtëve të mbretërisë mediatike. Duke mbajtur parasysh se ekonomia shqiptare e tregut zhvillohet në terren kaotik që rregullohet me ligje të shkruara por të paushtruara, kod etik të nëpërkëmbur e mirëbesim në agoni, ndoshta “çmimi dysheme” është teorikisht i pranueshëm e do të sillte sadopak drejtësi duke u ofruar të gjithëve të njëjtën bazë nisjeje. Duke lënë mënjëane çështjet e ngatërruara të implementimit e monitorimit, a do të ishte vallë e mjaftueshme një nismë e tillë? A thua roli dhe përgjegjësia e shtetit ndaj një pasurie të tillë të rëndësishme kombëtare siç janë mediat të përmbushet e mbarojë me kaq? Po të jetë kështu, një nismë e tillë do të ishte një ndërmarrje e ngutur dhe e dëshpëruar edhe, sepse ndër të tjera, një problem me natyrë të theksuar kualitative komplekse, si ai i konkurrencës, vështirë se mund të zgjidhet në mënyrë kuantitative. Zor se do të ndikonte në mpakjen dhe kontrollin e magmës informative. Do të ishte një orvatje për t’i dhënë zgjidhje “të shpejtë” një problemi ndreqja e të cilit duhet menduar si një proces i vazhdueshem, i ngadaltë e i shkallëzuar e suksesi i të cilit matet me hapa cilësore të hedhura kujdesshëm në kahun e shndërrimit të “masspublikut” në “shoqëri të emancipuar” e të përgjegjshme.

Në këtë pikëvështrim, përshëndoshja e mediave, krijimi i kushteve për mirëinformim të publikut duhet parë si një rrjet i bashkërenduar masash që plotësojnë njera-tjetrën e që vihen në zbatim nën orkestrimin e shtetit. Kjo do të thotë që shteti të marrë përsipër hartimin e planeve afat-gjatë e afat-mesëm që të synojnë jo vetëm grumbullimin e shpërndarjen e drejtë e të studjuar të fondeve e teknologjisë dhe përmirësimin e shtratit ligjor ku mbështetet mirëadministrimi e mbarëvajtja e mediave, por edhe ndërtimin e programeve të edukimit nëpërmjet të cilave t’i hapen sytë publikut për efektet psikosociale dhe politike të mediave. Sepse është edukimi publik më shume se imponimi i kornizave ligjore ai që luan rol katalizues në procesin e krijimit të një shoqerie me imunitet të shëndetshëm ndaj mediave e të ndërgjegjësuar se, duke mos qenë terren neutral, mediat janë në thelb sa teknologji aq edhe ideologji, sa miq aq edhe armiq të kulturës, sa përplotësuese e përforcuese të edukimit aq edhe alternativa përkeqësuese e minuese të tij. Për të qenë rezultative hapa të tillë duan përforcuar e mbështetur më tej me kontribute të njëmendta prej botuesve (të cilët duhet të ndjejnë e ripërtërijnë përgjegjësinë e edukatorit për lexuesin), të organizatave publike e private (të cilat mund të ndihmojnë me financime, ekspertizë njerëzore, burime materiale e teknologjike) dhe të shoqërisë civile (në rolin e vëzhguesit të paanshëm, zërit të ndërgjegjes e kritikuesit të dobishëm).

Ndërkohë, ndërsa bëjmë sehir e zbavitemi përqark ringut ku kafshohen politikanët e kohëve moderne, pehlivanët e tenderave e akrobatët e show business, vallë a do t’i bjerë kujt ndër mend të pyesi: ç’të ketë mbetur prej asaj shoqërie dikur aq të etur për të zbuluar përmes dritares së fjalës së shkruar rrugët e çlirimit të mendjes e shpirtit prej prangave e për të vizituar që andej të ardhmen? (2004)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: