Skip to content

Hijet e së Djeshmes

August 7, 2008
tags:

Nga pikëpamja ekonomike lindja e nazizmit erdhi si pasojë e logjikshme e reparacioneve të rënda dhe masave tejet të shtrënguara që fuqitë e mëdha sanksionuan mbi Gjermaninë pas Luftës së Parë Botërore. Kasandrën (midis profetësh të tjerë) e luajti John Maynard Keynes, i cili kur pa si po rrokulliseshin punët ne Konferencën e Paqes (1919) ku shërbente si këshilltar i lartë për palën britanike e duke mos mundur të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, protestoi me dorëheqje e fill pas saj shkroi librin që bëri éclat: “The Economic Consequences of the Peace” (“Pasojat Ekonomike të Paqes”). Këtu, si ekonomist i kalibrit të parë shpjegon strategjinë e gabuar të Katër Fuqive, të cilat shpërfillën shtigjet që do të çonin në krijimin e një Evrope të konsoliduar e të barazpeshuar përpara interesave të ngushta e afat-shkurtra territoriale. Si mjeshtër i hollë i artit të kritikës, me penën e mprehur në Bloomsbury-in elitar, Keynes-i vizatoi dobësitë, mungesën e kthjelltësisë, syleshësinë, vetë-qendërzimin dhe epshin për përfitime të katër më të famshmëve burra shteti të kohës: George Clemenceau (Francë), Woodrow Wilson (SHBA), Vittorio Orlando (Itali) dhe Sir Lloyd George (Mbretëri e Bashkuar).

Gjermania me këmbët në një këpucë u detyrua të gjente marifete e përdorte metoda djallëzore për t’u rimëkëmbur. Vendi i filozofëve që ndriçuan mendjen; kompozitorëve e poetëve qe krijuan shijet e edukuan shpirtin; shkencëtarëve që e sollën njerëzimin më pranë përparimit, së vërtetës e arsyes nisi të përpunojë strategjitë e hakmarrjes e të urrejtjes. (Paralajmërimi i Keynes-it: Njerëzit nuk duhen lënë të egërsohen e dëshpërohen në ekstrem!) Nazizmi po lindte nën rrogoz, fatkeqësisht i frymëzuar edhe prej mendjesh nga më të nderuarat e adhuruarat e mbarë njerëzimit, të tillë si Schopenhauer, Nietzsche, Heidegger, Beethoven e Wagner. Por shoqëria evropiane e lulëzimit intelektual të viteve 20-30 e neveritur dhe lodhur luftrash nuk deshi t’ia shihte shenjat.

Ndërkaq, Marx-i ose Moore-i i zymtë e ekcentrik, sa ekonomist preciz e teoricien i çveshur emocionesh, aq edhe filozof i zjarrtë e pasionant dhe ligjërues i patakt e vulgar, i njohur në historinë e doktrinave ekonomike ashtu si Freud-i në psikologji e Platoni në filozofi, kishte kohë qe s’rronte më (vdekja i përkoi me lindjen e Kyenes-it ose Pozzo-s në 1883). E bashkë me largimin e tij prej skene reputacioni i marksizmit e komunizmit lëkundej e thërmohej me vrik jo vetëm për arsye të të metave e kufizimeve të doktrinës vetë, por edhe e sidomos për shkak të farsave e fiaskove të Internacionaleve, e të lloj-lloj personazheve të dyshimta e sharlatanësh rusë, frëngë, socialistë, kokëkrisurish, ekstremistësh, anarkistësh e pehlivanësh të revolucioneve që morën punët në dorë. E pikërisht sepse Lindja ishte më vulnerabël e më e hallakatur, eksperimentet e komunizmit u bënë atje e krye-eksperimenti natyrisht në Shqipërinë e vogël, me popullsi analfabete, pa shtresë të mesme, pa këpucë në këmbë e pa ushkurë për të lidhur poturet. Teoria që e ngriti proletariatin në piedestal, kumt lexuar më së shumti së prapthi e përcjellë po aq përçudshëm prej aventurierësh të etur për pushtet, s’mund të gjente proletariat më të përshtashëm për të egzaltuar e shpëlarë trush.

Po për nazizmin gjahu nuk ishin klasat (por racat), ishin hebrenjtë, popull i njohur për kursimtari, mirë-administrim të pasurisë, disiplinë të rreptë të punës, aftësi artizanale, kontribute të shënuara në çdo fushë të kulturës e të shkencës. Me gjithë kobet, rrënimin ekonomik e kulturor, shfarosjet e pashembullta e shkallmimin e Evropës prej themelesh, karkasa e swastika-s shënoi edhe nisjen e procesit të rimëkëmbjes së suksesshme. Hebrenjtë e morën veten, u riorientuan e bënë përpara. E atje ku jetojnë, në të katër anët e botës spikasin për vlerat e ruajtuara e për ato që krijojnë duke vërtetuar se faktorët e jashtëm e mjedisi nuk ia dolën të depërtojnë e prekin strukturat e brendshme e nuk ia kalbën indet morale e etike që ia shkruanin perkufizimin si bashkësi shoqërore.

Mbështetur mbi një regjiment tejet rigjid e arkitekturë ideologjike jo elastike, nazizmi nuk e pati të gjatë krahasuar me komunizmin apo fashizmin (variante të së cilëve ende gjëllijnë sot si forma totalitare qeverisjeje në rang shteti, institucionesh e korporatash). Edhe bëmat e nazistëve nuk linin shumë vend për mëdyshje në gjykim. E megjithatë, praktikisht ndëshkimi i fajtorëve nuk ishte (dhe akoma nuk është) i lehtë, edhe sepse ligjet o nuk arrijnë t’i fusin dot në kornizë të fajit, o burokracitë e procedurat administrative ngecin, janë të paefktshme, të mefshta e tepër kaba për t’i ujdisur. Kështu, ironikisht e paradoksalisht vonesat, formulimet e komplikuara të ligjit, e interpretimet e spërdredhura tërthorazi sikur u dalin në krah pikërisht atyre që arsyeja e thjeshtë do t’i njihte për kuzhinierë masakrash. Edhe sot e kësaj dite dëgjojmë për nazistë të fshehur, ndjekje të tejzgjatura që përfundojnë me arrestime të moshuarish gati për të zënë shtratin, ose largime natyrale prej jete të pleqve babaxhanë që paskeshin qenë dikur oficerë nazistë, por që kanë çuar jetë të gjatë, të qetë e të gëzuar rrethuar nga familje e fëmijë të përkushtuar.

Në Shqipëri, tabloja e marredhënieve të së sotmes me të djeshmen, të krimit dhe ndëshkimit, fajtorëve dhe viktimave paraqitet krejt ndryshe. Shoqëria shqiptare moralisht nuk e ka marrë veten qysh nga përmbysja e diktaturës. Përkundrazi, sot ndihet edhe më e hardallosur tek luan edhe aktorin edhe spektatorin në skenën ku shfaqja luhet mbrapsht. Çka pati çmuar si virtyt prishet në ves, çka pati pandehur për mirëbesim copëtohet në zhgënjim, çka pati konsideruar për besnikëri shkrandet në kthim të krahëve, çka e pati qetësuar si siguri publike shpërbëhet ne frikë prej krimit e dhunës, çka pati nderuar si punë shkërmoqet në transaksione kapitali e kamata, çka pati vlerësuar si njohuri tjetërsohet në mall, çka pati gjykuar si fjalë të mençur zhvoshket në trivialitet, çka pati admiruar si art shëmtohet në pornografi. Mirëpo, nëse heshta totalitariane u ndërkall aq dhunshëm e me efekt aq dërrmues në tokë të arbërit kryesëpari për shkak të pamjafuteshmërisë e papjekurisë së sistemit imunitar te vlerave etiko-kulturore mbetet gjithnjë conundrum më vete e çështje për t’u rrahur, përkundrazi kllapia e sotme sociale në trup të kombit, nga Veriu në Jug, shkruhet me zjarrmi përvëluese ethesh, teksa në zgrip nadiri shoqëria nga njëra anë ndien krupë e nga ana tjetër e hutuar dhe e dëshpëruar ia përligj vetes sjelljet skizofrenike.

Në këtë atmosferë sëmundjeje është pikëllim i pangushëllueshëm që në Shqipëri nuk ekziston ndjenja e fajit përtej klithjeve patetike të protestave oy vey (vaj medet – në jidisht). Askush prej ish-shefave padronë të monstrës totalitare, projektuesve e inxhinierëve të kazermës diktatoriale, figurave të rëndësishme të partisë e shtetit autokratik – në duart e të cilëve heshta rrasej kockash 45 vjet rresht – nuk fshihet, nuk gjen arsye e as nuk ndien nevojë per t’iu shmangur sadopak fokusit të vemendjes. (Nuk po guxoj të përmend ligjin. Në fund të fundit dëmi që llogariti dhe peshoi ligji nuk e kapërceu efektin e komedisë me tejkalimin alarmant të numrit të kafeve të rrufitura përtej kufirit të lejuar.) Këtyre heshtarëve, zotër të dheut, hënës e diellit, që ia kallnin datën deri edhe vetes; pernjimend të shtyrë në moshë kur u gdhinë pa takëme betejash në fillim të 90-s; sot u dridhen edhe më shumë duart pleqërie. Edhe vitet që u kanë mbetur i kalojnë duke endur memuare që mirëpriten hapësirave të mediave së bashku me fotot prej nga buzëqeshin lehtë e miqësisht, me tipare të zbutura qumështore, vështrim dashamirës e të përtretur. Tinktura jo aq fort epike sesa sentimentale, do të jetë me sa duket garanci më vete që malli të mbërrijë në mendje të blerësve, muhabetçinjëve të kafeneve, të thekurve pas thashethemeve, kureshtarëve të tabloideve dhe endacakëve të tjerë të bulevardeve të informacionit, të cilët përndryshe nëmin me sinqeritet vitet e humbura nën diktaturë. Qasja e melodramave të tilla banale në shtyp do të thotë se ekzsiston nevoja dhe justifikimi në pazar të kaosit e seleksionimit natyror, në kandarin e të cilit, oferta si plat du jour e reshperisë massmediale barazpeshohet me kërkesën si oreks konsumator. Oreks që paskësh qenë në pritje të zbulimit, edhe i lehtë për ta stimuluar pse modest në shije, pa pretendime në mënyrat e gatimit, pa kufizime diete e mase.

Mirëpo syprina e liqejve ku derdhen melankolitë për turpe të shkuara, e ku fajit i duket se shpëlahet, pasqyron jo aq kapitalizmin muzeal të Smithit e Rikardos si pëlhurë merimange antike kacavarur në cep të kapitalizmit global, sesa reflekton kode kulturore, rrugëtime historike, stampa etike e psikologjike të cilat sinergjikisht përthyjenë edhe një kumt sa tragjik aq edhe komik, real e kuptimplotë, kumt i cili don të thotë se nuk ekziston frika e “gogolit të dosjeve”. Dosjet aq të përfolura, janë shndërruar qysh tani në mit e dordolec post-modern. Sa kohë që mendja e vetëdija shoqërore mbahen peng të pështjellimit ideologjik e psiko-kulturor, por edhe të ekonomisë së tregut, njëlloj të pështjelluar e lëshuar, vallë a ka “dosje” më domethënëse sesa “dosjet me çikërrima” me të cilat shefat e katrahurës mbushin përditë hinkën e infosferës shqiptare që derdh llucë në grykë të mendjes së publikut? Duke e shndërruar informacionin në puré trivialiteti dhe ushqim komfortues, hinka mediatike do të vazhdojë t’i gurgullojë në gurmaz publikut atë çka e detrakton nga vështrimi i së kaluarës në sy, nga përjetimi i dhimbjes, nga të kuptuarit e vuajtjes dhe gjetjes së mënyrave të shërimit, derisa shoqëria të jetë gati ta marrë veten seriozisht.

Kanë kaluar 15 vjet nga rënia e diktaturës, ose 1/3 e sundimit te saj. Sa më shumë vite të kalojnë aq më pak vlerë ka të flitet për faje të vjetra, ndërkohë që faje të reja stivosen palë-palë mbi të shkuarit e kërkojnë vemendje të menjëhershme. Jo për të ngatërruar kujtesën me harresën, përgjegjshmërine me shpërfilljen, faljen me dënimin — që të mos humbasë e shkojë dëm e ardhmja, e tanishmja lyp (ri)edukim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet: brezin e ri. Këtij do t’i bjerë mbi shpatulla sfida që të krijojë e ripërtërijë me durim indet morale dhe etike që prindët nuk i kanë, nëpërmjet shërimit të sistemit arsimor që njohjen e historisë e trajton si detyrë themelore, ndërtimit të politikave të urta ekonomike e sociale, mbështetur edhe nga një mjedis i shëndetshëm mediatik nën dirigjimin kompetent të një shteti që është përnjimend në shërbim të nevojave të vendit. Përndryshe, në mungesë të shembullit të mirë; pa një të kaluar që të shërbejë si model referimi; pa mendje të gatshme e të hapur për të mësuar e përshtatur kreativisht përvojën botërore, në mos e pamundur, do të jetë e vështirë.

Sikur Marx-i të ishte gjallë, një tjetër manifest do të kishte nisur me frazën ngjethëse “Një fantazëm i avitet sot…”, por në vend të komunizmit e proletariatit do të kishte parasysh jetën si opera buffa, të sunduar nga parvenue të dehur me pushtet, udhëhequr nga teknologjia për hir të high-tech, mrekulluar nga Interneti si rrjet komunikimi populist e informacioni i padiskriminueshëm. (2005)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: