Skip to content

Alfabeti Përmbys

August 8, 2008
tags:

E drobitur e shëndetligë siç është, Shqipëria vetë s’ka energji për të kontribuar edhe ajo në arritjet botërore teknike. Por si pjesë e një bote që zor se përfytyrohet pa teknologjinë në fronin e sundimit, s’ka si të mos jetë edhe ajo ngërthyer brenda ujdisë faustiane, nga njera anë shijuese e të mirave dhe lehtësirave të bollshme teknologjike, por në anën tjetër njësoj e ekspozuar edhe ndaj depërtimeve të padëshirueshme, efekteve anësore e në përgjithësi rrengjeve të magjive teknologjike, jo doemos të tejpamshme. Ndërsa përdorimi i Internetit, telefonisë celulare, e pajisjesjeve të tjera të ndërvarura multimediale vjen duke u rritur e bashkë me to kufijtë kohorë e hapsinorë vijnë e shuhen, zhvillimet psiko-kulturore shpesh nuk përkojnë me ritmin e revanit teknologjik. Një nga sferat e jetës psiko-kulturore që rreket t’i përshtatet vorbullës së ndryshimësisë është gjuha. Kjo ndodhet sa nën trysninë që mëton t’ia rrisi elasticitetin për të pranuar pa kartë hyrjeje prurje të huaja, aq edhe nën ngulmimin për t’ia rritur kapacitetin krijues e sendërtuar aftësinë për t’u qepur petka shqipe morisë së koncepteve, pajisjeve, shërbimeve e mallrave të padëgjuara më parë që ekonomia e tregut derdh në prehër të shqiptarit konsumator (terminologjia teknike); sa nën përçapjet për t’ia kuruar mpirjen e shkundur nga apatia, aq edhe nën qëmtime që synojnë rinimin e zgjatimin e gjerdanit të shenjuesve shqip duke rrëmuar për thesare të vyer bodrumeve të braktisura të gjuhës (shqipja burimore).

Edhe në një kohë kur gjuhën studiuesit orvaten ta shtrijnë në tryezë të ekzaminimit, për të gjetur se ç’shkon e ç’nuk shkon, për të matur hullínë midis gjendjes reale dhe gjendjes së dëshiruar të përdorimit, për t’ia shkrydhur gjymtyrët e për t’ia përshëndoshur vlerat, gjuha ngjet të bëhet objekt trambash ideologjike e politike, interesash e kompetencash të dyshimta. Kështu, përbri diskurseve për çështje themelore të metodologjisë, të problemeve strukturale dhe të dilemave që u sillen qark parimeve dhe rregullave me të cilat është ngjizur gjuha e njësuar e 1972-it, këndellen edhe zëra prej gjithfarë palësh, që me lëmin e gjuhësisë s’kanë të bëjnë, por që gjithaq interesat u piqen te epiqendra e shqiptarizmës, gjuha. Edhe në cirk të mediave pranëvëna venë e vijnë ekspertiza dhe diletantizmi, dijetari dhe shamani, mjeshtëria dhe padija.

Teknologjia në këtë dekor është edhe skenë edhe aktore, sepse sado pa shpirt njerëzor, sikundër edhe gjuha, në thelb është ideologji, madje Paul Goodman e përkufizon si “degë të filozofisë morale, jo të shkencës”. Ky përkufizim në gojë të Marx-it thotë: “shtypshkronja s’është vetëm makineri, është strukturë diskursi”; në gjuhë të McLuhan-it kumbon: “mediumi është mesazhi”; në këndvështrimin e Harold Innis-it përkthehet “teknologjitë e reja ndryshojnë strukturën e interesave tona – sendet për të cilat mendojmë; ndryshojnë karakterin e simboleve – sendet me të cilat mendojmë; ndryshojnë natyrën e komunitetit – arena ku zhvillojmë mendimet”; në fjalët e Neil Postman lexohet: “Fuqia transformuese e televizionit është të paktën po aq e madhe sa e shtypit dhe ndoshta po aq e madhe sa e alfabetit vetë.” Por asgjë nuk do t’ia ndryshonte kumtin thënies së fundit po të zëvendësonim televizionin me kompjuterin, Internetin, e pajisjet dixhitale të çdo lloji.

Një shembull që mund të shërbejë si ilustrim i pushtetit transformues të teknologjisë, për të cilin bën fjalë Postman, gjendet në një shkrim të botuar në Gazeta Shqiptare: “Koha për ndryshim… shkronjash”, më 29 janar 2006, ku autori B. Kopliku rekomandon ad libitum: “Të gjithë shkronjat të jenë njësoj si alfabeti zyrtar i sotëm, përveç tr[i] shkronjave që do të ndryshohen si vijon: /ë/ që do të bëhet /f/, /ç/ që do të bëhet /cs/ dhe /f/ që do të bëhet /w/.” Këto ndryshime, thotë autori, është i shtrënguar t’i sugjerojë për shkak të gjerdheve teknologjike që e bëjnë të mundimshme shtypjen dhe leximin e disa shkronjave diakritike në kompjuter. Madje, vijon Kopliku, do të ishte akoma më e volitshme, sikur alfabeti shqip të rrudhet e të mos ketë më shumë se 26 shkronja, për të ekonomizuar më mirë kohën dhe teknikën e përdorimit. Nga këndvështrimi praktik, natyrisht, propozimi i sipërcituar mund të rrëzohet lehtë, pse problemi teknikisht ka zgjidhje. Por, të tjera janë këndvështrimet që lypin vemendje. Edhe nëse kuturisje pragmatike si këto e gjejnë gati të shtruar shilten pranë votrës së shtypit, bindem më fort se nuk duan heshtjen si përgjigje.

Duket se kriptograma të tilla alfabetare do të konkurronin për bukuri me fantazitë hiperaktive të çamarrokëve të shkollave, e ndonëse në vështrim të parë ngjajnë si humor i pafajshëm përballë kokëçarjeve të gjuhëtarëve, nga ana tjetër rrëfejnë me elokuencë perceptimin kokëposhtë të marrëdhënieve “teknikë – njeri” duke i dhënë përgjigje kuptimplote pyetjes së Postman-it “Ç’ndryshime në gjuhë shkakton teknologjia, ç’fitojmë e ç’humbasim?”. Përgjigjja në rastin konkret do të ishte: fitojmë një gjuhë të re (kriptogramën), humbim të vjetrën (shqipen).

Le të mendojmë për një çast se alfabetin e pastruam nga shenjat e pavolitshme. Mirëpo ndërsa teknologjia e informacionit përparon marramendthi duke rrokur e ripërkufizuar çdo territor të jetës e duke përshpejtuar ritmin e veprimtarisë njerëzore, vallë ç’do të bënim me këto ndryshime kur të vijë dita që standardet kompjuterike të deshifrimit të kodeve të përmirësohen? Vallë do të ndryshonim sërish alfabetin, si të ishte broshurë ndërmarrjeje në rritje e ndryshim të vazhdueshëm? Doemos, një alfabet që të funksionojë nuk duhet të ketë nevojë të shoqërohet me qarkore që sqaron rregulla të rifreskueshme, aq më pak shënime që shpjegojnë korrigjime. Për shembull, a mund të mendohet një artikull, një shkresë, një vjershë, një tregim që të nisë me një shënim që këshillon: “Shkronjën ‘p’ ju lutem lexojeni si ‘q’!”?

Është folur shumë për keqshkrimin e keqzanimin e grafemës “ë”. Por, nëse drejtues programesh të mediave shqiptojnë në mënyrë jo korrekte “e-të” dhe “ë-të”, siç vë në dukje Kopliku, kjo gjë mund të shpjegohet jo vetëm thjesht me mungesën e “ë-ve” në tekst, por edhe me njohjen jo të mirë të normës ekzistuese letrare. Mund të jetë edhe pasqyrim i të folmeve lokale dhe nuancave gjuhësore që u përkasin mjediseve familjare ku janë rritur dhe krahinave të Shqipërisë prej nga vijnë, duke pëfshirë edhe mënyra shprehjeje e shqiptimi të kulturës pop të Tiranës metropol. Me fjalë të tjera, dy shqiptarë mund të mos dallojnë prej njeri-tjetrit kur shkruajnë në mënyrë korrekte të njejtin tekst, por po t’u kërkojmë ta lexojnë, mund t’ua vemë re menjëherë dialektin e të kuptojmë se prej ç’zone të Shqipërisë vijnë e cilës shtrese social-kulturore i përkasin. Më anë tjetër, në mjedisin e komunikimit populist pa dyer, ashtu sikurse opinionistët pavarësisht specialitetit nuk ngurrojnë të eksperimentojnë lirisht me gjuhën, po ashtu edhe drejtues të emisioneve ndoshta gjejnë te kamera mediatike laboratorin a rostrum-in prej nga duan të ushtrojnë influencë ose të tejbartin bindjen se të tyret janë me të mirat praktika për t’u ndjekur nga të gjithë. Edhe nuk do lënë pa përmendur këtu se qëndrimi i lëshuar ndaj gjuhës lidhet doemos edhe me pështjellimet sintaksore e morfologjike që shkaktojnë prurjet e huaja; pa përmendur të tjera rrengje me të cilat bota gjithpërfshirëse e teknologjisë së informacionit, e mediave dhe e industrisë së sofistikuar të reklamave trand gjuhët në përgjithësi e jo vetëm shqipen, duke ia rrudhur hapësirën tekstit e duke e zëvendësuar këtë gjithnjë e më shumë me imazhin si formë komode kumtuese, që lyp vështrim jo lexim, perceptim jo konceptim, estetikë jo logjikë, përjetim emocional jo racional, konkret jo abstrakt.

Le të mendojmë për një çast se alfabeti është një lloj Job Aid ose mjet ndihmës, që shërben për të mësuar gjuhën e shkruar. Me përkufizim Job Aid është një mjet ndihmës ose përkujtesë që lehtëson kryerjen e një aktiviteti/detyre pa qenë nevoja të rëndohet kujtesa afat-shkurtër ose e punës në proces duke ruajtur përmendësh sekuenca procedurash. Të tilla janë p.sh.: tabela e shumëzimit, tabela e Mendelejevit, algoritmet e ndryshme, tabela e logaritmeve, libri i adresave e telefonave, por edhe fjalorët, tabelat e mënyrave e kohëve të foljeve e kështu me radhë. Këto bëjnë të mundur që mendja të përdoret ekonomikisht, duke e vënë maksimalisht në punë për të arsyetuar, përsiatur, përzgjedhur e zgjidhur probleme konceptualisht, e duke ia kursyer funksionin modest të rolit të depozitës së kujtesës mekanike ose regjistrit prej nga ku thirren a riprodhohen besnikërisht mori faktesh a njësish fragmentare të informacionit jo doemos të ndërlidhura me njera-tjetrën. Disa prej tyre kategorizohen si mjete ndihmëse externale (që do të thotë se nuk bëhen doemos pjesë e njohurive të përvetësuara, por thjesht mbështesin ose përshpejtojnë nxënien e dijes prej individit). Ndërsa alfabeti si kolokacion i shtangët grafemash është mjet ndihmës, por është edhe kognitivisht i internalizuar (të gjithë ata që dinë shkrim e këndim e kanë të kredhur në kujtesë në mënyrë të paharrueshme, përderisa praktikojnë gjuhën e shkruar).

Mirëpo ndryshe nga manualet që në përgjithësi çvlerësohen po aq shpejt sa edhe krijohen, ose kërkojnë rifreskim të herëpashershëm në varësi të shpeshtësisë së përmirësimeve graduale teknike të një produkti, alfabeti është si të thuash një Job Aid monolit që nuk parakupton ndryshime në strukturë e nuk ka nevojë për përshtatje a shërbime mirëmbajtjeje. Ndryshimet që pëson një gjuhë, fjalët e reja që hyjnë e që krijohen, e të tjera që rezultojnë më pak të përdorura, zakonisht evidentohen përmes ribotimeve e freskimeve të fjalorëve e të tjera materialesh gjuhësore, të cilat i hartojnë me kujdes specialistet përkatës. Mirëpo ndërsa ndryshimet në gjuhë ndodhin dora-dorës, në mënyrë të lirë e të natyrshme si pasqyrë që u shkon pas ndryshimeve sociale, kulturore, demografike e teknologjike pavarësisht vullnetit të specialistëve, alfabeti përkundrazi mbetet kod i gdhendur në gur në menyrë që të shifrojë e dekodojë vijueshëm të rejat dhe të vjetrat e oqeanit të gjuhës.

Kushdo që do t’ia ketë parë Koplikut këmbimet shkronjore të vëna në jetë, do të ketë vënë re përnjëherë se vizualisht nuk përkojnë me imazhe të stampuara në mendje prej vitesh, sepse bëjnë kolizion me modelet e përftuara në ndërgjegje formalisht në shkollë ose të fituara përmes gjuhës zyrtare dhe administrative të institucioneve dhe mediave.

Le të mendojmë për një çast për ata shqiptarë, që duke mos jetuar në Shqipëri, në pjesën më të madhe të kohës përdorin një gjuhë të ndryshme nga shqipja. Ose ata të rinj e fëmijë që shqipen e kanë tashmë gjuhë të dytë edhe e përdorin si funksion të konstrukteve të sendërgjuara përmes një gjuhe tjetër me të cilën ndihen më pranë, gjuhë të cilën mendja ua zgjedh automatikisht si opsionin e parë të disponueshëm e të natyrshëm të komunikimit. Le të marrim anglishten: “ee” për një anglishtfolës menjëherë do të shqiptohej në mendje si “i”. Për shembull: beep, deep, feed, geek, leek, meek, meet, need, peep, sheep, sheer, reed, reef, reek, seed, week (sa për të sjellë ca shembuj fjalësh njërrokëshe, midis shumë syresh). Pikërisht prirje të tilla të atypëratyshme si ajo që shtyn për t’i lexuar “ee-të” si “i”, për shkak të reflekseve të fituara (që bëjnë të mundur mbajtjen e secilës gjuhë veç e veç), e bëjnë përqëndrimin në tekst të vështirë edhe i bërtasin trurit: “Shpjermë në një sistem tjetër shenjash, më familjar e më të përcaktuar!”.

Prandaj çka kërkon të bëjë z. Kopliku është fatkeqësisht çorientuese për shqipshkruesit e shqipfolësit, sidomos për mendjet në formim e sipër. Por sidomos është e trishtueshme mirëpritja që gjejnë imbroglio të tilla në organe shtypi, në një kohë kur pritet që këto të jenë në ballë të mbrojtjes dhe përhapjes së praktikave më të mira e korrekte të gjuhës së shkruar. Nëse drejtshkrimi i shqipes lipset të rishikohet, kjo e drejtë bie në truall të vemendjes së specialistëve e kujdestarëve të gjuhës dhe institucioneve që merren posaçërisht me orientimin dhe strategjitë e zhvillimit e të mirëmbajtjes së shqipes. Janë këta që peshojnë propozimet e që në bashkëpunim me specialistë të fushës së psikologjisë së edukimit gjejnë mënyrat e duhura për t’i shtjelluar e për t’ia përcjellë publikut nëpërmjet organeve përkatëse edhe sidomos shkollave – aty ku mësohet gjuha, përvetësohet gramatika, ushtrohet drejtshkrimi e drejtshqiptimi e të tjera dije që ia garantojnë një gjuhe ekzistencën dhe riprodhimin e shëndetshëm nga brezi në brez. Me të vërtetë alfabeti i shqipes është i ri, por është rosarium-i që lidh përmes simbolesh shqipdërguesin A me shqipmarrësin B, marrëveshje që parakupton respektim të njëllojtë, të detyruar e të plotë prej përdoruesve që këta të merren vesh, jo përmes forcës së ligjit, por përmes ushtrimit të praktikave korrekte gjuhësore dhe mbrojtjes nga ndërhyrjet e papërgjegjshme të njeriut të ngeshëm të rrugës, mendjes së zënë rob prej teknologjisë, a dëshirave të gjithkushit në epokën e “lirisë pa hendekë”. Gjuha është identiteti vetë, me të cilin kuptojmë botën dhe kuptohemi prej saj. Thënë me Wittgenstein-in, gjuha është jo vetëm makinë ku ulet mendimi, por edhe timoniere. Shkojmë ku të na shpjerë. (2006)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: