Skip to content

Informacion Politik

August 9, 2008
tags:

Në shfaqjen tragjike të radhës, ndërsa Lindja e Mesme ngjyhet sërish me gjak, prania e Shqipërisë qoftë si spektatore flegmatike pa vemendje e kërshëri, a përkundrazi si tifoze zhurmëtare; thjesht si pjesë përbërëse e dekorit skenik, apo si zë koristeje jo fort e talentuar mes radhëve të fundit, natyrisht pak mund të vihet re në sallën e madhe të koncerteve.

Mirëpo në skenën e vogël të përditshme, në dhomë të ndjenjes brenda kasolles, doemos ka rëndësi që të zotët e shtëpisë të vrasin mendjen e të diskutojnë për çka ndodh rrotull tyre. Edhe në kohë të izolimit hermetik, në faqen e 4-t të ZP-së, mirë keq, manipulueshëm a jo, dizinfektuar në tretësirë ideologjike të  lehtë a super të koncentruar, gjithnjë do të gjeje trajtime të ngjarjeve kryesore politike të planetit. Natyrisht nuk e kam fjalën aq tek ideja se nëpër shkolla a qendra pune njerëzit qenë të detyruar t’i ndiqnin njëfarësoj ngjarjet nëpër botë pavarësisht se ç’u nxinte mendja, ç’pranonte të gëlltiste arsyeja e ç’refuzonte të qaste, sesa tek ideja se qytetarët edhe pse në mes të shkretëtirës kulturore e ndienin megjithatë të nevojshme të diskutonin për problemet botërore, jo vetëm në informacionet e përjavshme politike, në format e përmuajshme të edukimit, në mbledhjet e rregullta të Partisë, por edhe kur bisedonin me njeri-tjetrin në tryeza miqsh. Gjithnjë diskutohej njëfarësoj, e kureshtja nuk mungonte për të dhënë e për të marrë të rejat. Kujtoj sesi nën shembullin e më të rriturve krahasonim çka servirte ZP-ja, Virgjil Kulja hijerëndë dhe elokuent i lajmeve solemne të 8-s, Napoleon Roshi i pas-lajmeve, me çka arrinim të “vidhnim” prej kanaleve italiane, Radio France International, më vonë BBC World Service dhe VOA.

Të etur për të vështruar përtej mureve, përpiqeshim të kuptonim si të mundnim çka ndodhte në botë e si ndryshonte ajo prej mikrobotës tonë. Në këtë kuptim ngjarjet “e mëdha” e “të vogla” ishin gjithnjë bashkë e ndiqeshin pothuaj me të njejtin kuriozitet: të parat përmes lajmeve, komenteve, dokumentarëve e dëgjimit të bisedave të të rriturve, të dytat përmes pjesëve teatrale, muzikës e filmave, reklamave (oh, këto ishin shkollë e vërtetë e kulturës, krehjes së flokëve, përshëndetjeve, gjesteve e gjuhës së trupit, veshjeve, këpucëve, e përgjithësisht të ushtrimit të aftësisë së përjetimit imagjinar të një jete tjetër…) Edhe si fëmijë kishim aftësinë për t’u zbavitur me ankthin e të rriturve që shpejtonin të mbyllnin dritaret e kyçnin dyert pa zhurmë; t’i përqeshnim tek rrotullonin mbrapsht butonat e radios e TV-së për t’ua ulur volumin; t’ia imitonim gjestet kur vështronin përmes perdeve për t’u siguruar se pemët, gardhet, shkallët, portat qenë të vetmit dëshmitarë të çinteresuar e të heshtur…

Mirëpo, ndërsa në kohën e sotme progresin, të vërtetën, të mirën, e të bukurën homo post-arbanensi automatikisht i projekton në nocionin “Europë” bile fotografitë edhe më shpejt e me gjithë zemër ua gjen në “Amerikë” (paçka se të dyja ndonjëherë ia zhysin kamën tej e tej gjirit të fryrë të krenarisë ilirike), indiferenca e qytetarit shqiptar për çka ndodh rreth e rrotull nuk mund të justifikohet lehtë. Diskursi publik për çka ngjet në rajonin fqinj të Lindjes së Mesme bëhet i nevojshëm, jo se ndokush po mban frymën duke pritur që pikërisht shqiptarëve t’u pjelli truri formulën nga zbatimi i së cilës të varet paqja në Lindjen e Mesme, por për t’u orientuar ata vetë në koncertin gjeopolitik pjesë e të cilit janë e për të kuptuar të tjerët bri tyre (të Mirë dhe të Këqij), përbërjen dhe hierarkinë e orkestrës, dirigjentët, llojin e muzikës, stilin e drejtimit, morinë e instrumenteve, artistët që i luajnë, talentin dhe debutimin, spektatorët dhe shijet e tyre, harxhet e  veprimtarive dhe efektet që lënë pas për të gjithë, pjesëmarrës e sehirxhinj bashkë, të interesuar e të çinteresuar.

Në fund të fundit, në një botë ku globalizimi me hir e pa hir po ia qeth kreshtat dallesave (shpesh me pasoja vetëvrasjeje edhe për berberët vetë), kur problemet tona dhe të së tjerëve sot më shumë se kurrë janë faqe të së njejtit trup gjeometrik, me elemente që gjithnjë e më shumë ndërfuten e përzgjatohen te njeri-tjetri si të ishin faqe të të njejtit Möbius Strip, ekzistenca jonë kacavaret në ekzistencat e të tjerëve, ashtu sikurse sistemi anomik shqiptar s’është veçse pjesë e rendeve të tjera sistemike me anomitë e tyre përkatëse, shpesh jo aq të ndryshme sa duken.

Shpërfillja qe i bën shtypi dhe shteti shqiptar i ceremonive ngjarjeve aktuale ne Liban duket pak e çuditshme edhe po të kujtojmë se me sa zell e vendosmëri e përkrahëm luftën në Irak, duke dërguar atje sakaq edhe luftëtarët tanë trima. Po tani? S’jemi të sigurtë se bëmë mire? Nuk dime kujt t’ia prishim e kujt t’ia ndreqim? Nuk na ka mbetur më ç’të themi? Jemi shumë të zënë me pushimet e Gushtit?

Ja disa gjëra të analizuara nga shtypi botëror, por që do ta meritonin trajtimin në shtyp në shqip e nga këndvështrimi shqiptar:

  1. Historia e krijimit të shtetit të Izarelit në 1948 dhe çrregullimet që pasuan në rajon.
  2. Historia e Kanalit të Suezit. Strategjia e presidentit Nasser të Egjiptit për marrjen e tij në 1956-n. Ripërkufizimi i koncepteve të pronësisë dhe kolonive: Egjipti për Anglinë dhe Algjeria për Francën nuk mund të konsideroheshin më si ngastra të oborrit prapa shtëpisë.
  3. Lufta me Egjiptin, agresioni tripartite. Roli i Amerikes. Izraeli si mashë. Ariel Sharoni komandant i mësymjeve. Pështjellimet në rajon.
  4. Ngjashmëritë dhe ndryshimet midis 1956 dhe 2006: Amerika anti-luftë me Eisenhower-in (1956), sot zhytur në gjak me Bush-in e Irakut. Franca pro-luftë me Mollet në kohë të interesave të veta në Algjeri dhe anti-lufte tani me Chirac-un në kohën e pushtimit të Irakut dhe interesave të tjetërkujt në atë vend. Anglia… pro-luftë gjithnjë. Sharoni dje prijës legjendar betejash, sot në koma.
  5. Aleancat, marrëdhëniet, koluzionet. Politika dhe Ekonomia. Franca dhe Anglia patën një rast më shumë për të vërtetuar pabesinë midis njera-tjetrës edhe Amerikës. Ideja e Evropës së Bashkuar filloi të bluhej për të kundërpeshuar superfuqinë përtej Atlantikut. BRSS-ja gjen moment të mirë për të luajtur edhe ajo rol kryesor në teatrin arab, por edhe për të shtypur revolucionin e vogël hungarez.
  6. Roli i OKB-së: Helmetat e Kaltra u shfaqen për herë të pare për të monitoruar paqen.
  7. Ngjarjet e 1967-s. Ngjarjet e 1973-it. Fillimi i viteve 90-të. Terrorizmi. Islamizmi. 9-11. Jeta pas 9-11.
  8. Evolucioni i konflikteve: dje konflikti Izrael-Palestinë, sot konflikti Izrael-Liban, Iran-Amerikë, Izrael/Amerikë-Botë Arabe.

… Mirëpo sot, paradoksi është që megjithë aksesin imediat në mjetet e pasura e të sofistikuara të informimit, megjithë bollëkun e pafundëm të zgjedhjes, informimi vetë sa vjen e më i zorshëm bëhet e bashkë me të edhe të kuptuarit e botës, sepse e zëvendësojnë për bukuri therjet në zemër që shkaktojnë përshtypjet e udhëtarit A. A. Gill — nuk mbeti lexues, botues, opinionist, soji e sorollopi pa skërmitur dhëmbët e pa njomur ngastra shtypi me përrenj indinjate; Shekulli shkoi deri atje sa ta shpjegonte acidin e Gill-it edhe me madhësinë e pagesës (pagesa, etaloni matës dhe shpjeguesi ulterior i shoqërisë – vetë Shekulli vallë si e sa paguan?); edhe presidenti vetë e ndjeu të nevojshme të thoshte edhe ai do fjalë; e çvlerësojnë plagosjet e sedrave të intelektualeve me një barrë mend (A. Klosi – M. Meksi, A. Baçe – A. Klosi, P. Xhufi – A. Ndreça, E. Ypi – …E. Ypi) në mejdan publik, të cilin pa të keq e shndërrojnë në shesh të rezervuar për duele trimoshash me kordhë e topuz; ia zë shtegun pirgu i letrave të publikuara të lexuesve që për nga sasia ia kalojnë numrit të shkrimeve, e për nga cilësia zor të dallosh lexuesin nga shkrimtari, letërshkruesin nga studiuesi, qytetarin e kafeneve nga gazetari si për nga zhargoni i rrugës, improvizimet e çastit, batutat banale pa teklif, ashtu edhe për nga denduria e fjalorit skatologjik; për të mos përmendur pastaj parlamentin kthyer në Cirkun e Madh të Mëmës Shqipëri; pa harruar as fotografin Berisha të diasporës qe tani ka marrë përsipër administrimin për së mbari të potencialit të lartë arbëror në konkurset mbarëbotërore të hireve femërore; as gëzimet dasmore qeveritare; as vargjet pa sosje të çmimeve e dekorimeve gjithfarësh, edhe natyrisht as aventurat tragjike me helikopterë.

Po pse xhanëm, nëse Pashko paska qenë kaq i vyer si public personae, a nuk u gjendka vallë një njeri të zhgarravisë dy fjalë në nderim dhe njohje të kontributit të tij politik dhe ekonomik në historinë e re shqiptare, përtej mallëngjimeve për sajdisje të ngrohta, ideve të mëdha, e muhabeteve t’ëmbla rreth gotave të whiskey-it – kitsch-i aristokratik i të përkëdhelurve të fatit made-in-Albania? A janë milionat për t’ia nxjerrë nuk e di çfarë prej fundit të Adriatikut mënyra më e mirë për të na e skalitur në kujtesë këtë njeri? Apo sikundër të tjerë kanë vënë në dukje, jeta si grumbull ritualesh, vdekjen e vendos në majë të akteve teatrore. Dhe sa më shumë para, aq më i ndjekur teatri, dhe natyrisht aq më të vlerësuar skenaristët. [2006]

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: