Skip to content

Shqipja midis Ligjërimit dhe Mendimit

August 10, 2008
tags:

Prapa fjalëve rri gramatika e pavarur e mendimit; sintaksa e kuptimeve të fjalës.

Lev Vygotsky

Kohët e fundit ligjërimi i shqipes për shqipen po rri ulur në njerin prej kryevendeve në odën e dialogut publik. Por sikurse ndodh rëndom kur shqipja (si mjet) ligjëron për tema të tilla si ekonomia, shëndetësia, arsimi, energjia elektrike, mirëmbajtja e mjedisit, pasiguria e jetës, mbrapshtitë korruptive të vjetra e të reja, etj., po njësoj edhe kur ajo mëton refleksivisht të kuptojë vetveten (edhe si mjet edhe si objekt), duke na e ngulur vëmendjen kështu në loçkë të shqiptarësisë, dialogu e ka zor t’i shpëtojë shkapërthimit ndër llonxha politike e të mos dalë që andej ideologjikisht i marinuar o në të purpurt o në mavi, sipas rastit. E brenda kësaj loçke pikënisja kalendarike e shqipes vështrohet si të jetë kryemargaritar, të cilin përfytyrimi kolektiv e mban në dorë, e peshon, e mat, e lëmon, edhe përnjimend e admiron, por që në punishte të dijes gjithësesi mbetet ende për t’u rrokur – njësoj sikundër edhe pyetjet “Gjuha X, nga vjen?”, “Ku ta ketë zanafillën?”, “Sa më e vjetër ose më e re është se gjuha Y?” më fort mëkojnë e përshkënditin kërshërinë popullore sesa janë pyetje që po ia avancojnë terrenin dijes. Duke u selitur më shumë në trevën e atdhetarisë e në bahçe të mitit sesa ndër lëvrimet e dijes, mosha e shqipes vjen e këqyret kështu si pendant i prestigjit, i cili sa më i moçëm ndër të moçmit të jetë, aq më i çmuar është e kësisoj aq më ngushëllueshëm gufon kraharorin tonë trysur e rrafshuar gërmadhave të krenarisë së shkarmisur. Edhe për karshi me kryeprioritetin mondan sa esoterik aq edhe elusiv të kohëlindjes dhe origjinës, përqarkojnë perpetuum mobile përsiatjet e një karakteri më mundan e praktik, por shpesh eristik sikurse dilemat e ditës gegë-apo-toskë, standardi të ekzekutohet apo retushohet, thyerjet drejtshkrimore të ndalohen apo parandalohen, e kështu me radhë.

 

Parë etikisht, nga “coha e mirë” patriotike që mbajnë veshur, palët kundërvënëse zor t’i shquash dot ndër vedi. Nga pikëpamja e shtjellimit të arsyetimeve, bie në sy se shpesh si njeri edhe tjetri kamp i mbështesin argumentat e përkundërt tek të njejtët studiues, midis të cilëve Çabejn secila skuadër nuk ngurron ta zgjedhë si bedenën më efikase të sulmit ose mbrojtjes. E megjithatë, pavarësisht sa i lartë integriteti i autorëve të referuar, modeli i vështrimit vetë sado synim-mbarë qoftë, mbetet këmbëngultësisht binar e kësisoj raporti gegë-toskë e tok me të edhe pikëpyetjet që qarkojnë standardin prestigjcënuar s’kanë sesi të mos shihen si përballje arketipesh përjashtuese. Mirëpo parë përtej modeleve atdhetariste, madhësitë “gegërishte” dhe “toskërishte” janë shtylla pa çdonjerën prej të cilave s’do të kishte foyer të shqiptarësisë, i cili mund të shihet kështu si sistem i hapur ndërveprimi kulturor, që don të thotë se si pjesëtarë grupesh shoqërore brenda tij s’jemi veç “peshq në ujë të kulturës”, sikurse kanë vënë re prej kohësh ndriçimtarë të tillë si Wittgenstein dhe Vygotsky.

Le të ndalemi për pak te ky sistem, ku dukat i përbashkët komunikimi është shqipja. Një formë ndërveprimi brenda tij janë huazimet terminologjike, emigrimi e përshtatja e fjalëve nga një rezervuar gjuhe a syndyk dialekti në një tjetër. Shtegtime të tilla mund të shihen si gjurmë të evoluimit të parreshtur të inventarit terminologjik tek i bie hap pas hapi kulturës, e cila siç venë re antropologu Brent Berlin dhe gjuhëtari Paul Kay sa më të lartë ta ketë kompleksitetin dhe nivelin e zhvillimit teknologjik, aq më të larmishme do t’i ketë ngjyrat e fjalësit ose leksemave në gjuhë. Kultura jonë, mirëdihet, nuk bën ferk as për kompleksitet të lartë as për nivel të spikatur teknologjik. Mirëpo paçka se në pikëpjekje të rralla gjer vonë me përparimet teknike, edhepse prej vetiu obtuze e me muskuj ende të palëruar për t’i rënë pas me vrikun e nevojshëm harlisjeve marramendëse teknologjike të kohës, përpos faktit që si gjuhë sintetike nuk i përshtatet dot pa sëkëlldi regjistrave teknologjike të përftuara kryesisht prej anglishtes analitike, së brendshmi sidoqoftë shqipja ka dëftuar se kur i është dashur ka lypur fjalë ndër sepetet e baulet erëmuara bar mole edhe ka mëtuar t’i shtjerë në punë si në të folur edhe në të shkruar. Kësisoj ajo ka dëshmuar përkulshmëri sado të përkorë për të mirëpritur a dhuruar terma ndër koinétë e veta, me qëllim që t’ia rrisë vetvetes fuqinë shprehëse, t’ia zgjerojë vëllimin leksikor, e t’ia zgjatojë perimetrin gjuhës letrare.

Sa për standardin, ky sado i zhgunjtë, i perceptuar herë me të drejtë e herë pa të drejte si të qe kostum masë-kapërcyer për shtatin në ndryshim; i vështruar si veshje prerë e qepur prej modistësh filistinë e të shitur; dhe i shpërfillur si stof i dalë boje e ngrënë mole a i këqyrur si rrobë shajaku fill-ashpër e lëkurë-irritues që fsheh pa shije hijeshi kurmore, gjithsesi rezulton që të mos ketë penguar kaptime të lemave gege në territor të repertorit leksikor. Një gjë e tillë dëften se megjithë kyçjen e gjuhës in vitro, shtënia ose jo në punë e fjalëve, tekembramja, pak do t’ia dijë për kode cilatdo qofshin, sepse in vivo, përcaktohet nga “dobia që u sjell përdoruesve”, dobi e cila ve në dukje kognitivisti Herbert H. Clark përcaktohet nga: (1) sa më e thjeshtë fjala krahasuar me të tjera, aq më e zgjedhshme nga komuniteti (2) sa më e përdorshme ose sa më shumë t’i hyjë në punë nevojave komunikuese, aq më e përvetësueshme nga komuniteti. Pra kyçin e qelës ku kish rënë shqipja dhe mendimi, jo standardi, po tjetërkush e mbante në dorë.

I së njejtës mendje me Clark-un duket të jetë edhe gjuhëtari Ronald Langacker kur vëren se: “Sendërtimi i shprehjeve të reja është diçka që e bëjnë vetë folësit, jo gramatikat.” Por, është për t’u shënuar se Langacker-i këtu e ka fjalën për aftësinë e folësve për të ngjizur fjalë të reja, jo thjesht te zgjedhja përmes karashtisjes mekanike në shportë të gjuhës të lemave ekzistuese. Prej këtej vetiu ngrihet pyetja: Sa kanë qenë në gjendje shqipfolësit të rinovojnë gjuhën e tyre duke gjeneruar lëndë të re të shqipes? Kur nga njera anë përdoruesve u pengohej kontakti me një pjesë të mirë të gjuhës e kulturës së tyre, pse e dëbuar nga tryezat e ligjërimit e raftet e bibliotekave sikurse ishte pothuaj krejt shkrimtaria gege; kur nga ana tjetër me hir a me pa hir u imponoheshin modele gjuhësore të distiluara autoklavave politike; kur vëllimi i fjalëve në fjalor nuk i kalonte 35 mijë; kur shkollat nuk qenë selitëse të mendimit të lirë dhe aftësive krijuese, por riprodhuese të njëtrajtësisë dhe mendjes konformiste; edhe tek e fundit kur brenda qilarit pa dritë ku jetonin bota as nuk i shihte as e shihnin, afërmendësh që përdoruesve nuk u mbetej shumë as se ç’të zgjidhnin, as se ç’të krijonin. Në fakt pak fare pak, sasiorisht dhe cilësisht. Edhe po të pranojmë me B. L. Whorf-in se “gjuha sendërton mënyrën sesi mendojmë, dhe paravendon se çfarë ia dalim të mendojmë”, atëhere nuk është zor të përfytyrohet zinxhiri tri-hallkor: mungesë fjalësh mungesë konceptesh mungesë mendimi.

Ndërsa sot kur portat ideologjike janë shpërthyer duke na përballur kështu befas me jetën tonë të zhvoshkur gjuhësisht e sakatosur mendërisht; kur binaja gjuhësore s’po u bën dot ballë lëvizjeve të shpërpjestuara demografike; kur argjinaturat thyhen nën rrëmetin e leksikut te huaj; kur ledhet shkërmoqen nën vërshimin e pafre të informacionit dhe harlisjes së lirisë së fjalës; edhe kur edukimi shkollor gjendet mes reformash por është i pa reformuar, me fill të humbur e katandisur pa mision, pa folur për ata fëmijë ku nuk mbërrin ose që s’mund ta mbërrijnë, përdoruesit i duhet të hamendësojë përmes kaosit e mungesës së orientimit e të zgjedhë qorrazi se ç’fjalë e modele i janë të dobishme. S’do mend që një situatë e tillë shpie në plogështi e qëndrime otiose, përvetësim të çalë të kompetencës gjuhësore e thellim të entropisë duke rrezikuar kështu të përftohen breza mendërisht të pandriçuar e letargjikë, kulturorisht të prapambetur, e shpirtërisht të vobekët.

Si mundet atëhere shqipja e sotme, që mbështetet mbi një aparat gjuhësor të sendërtuar për t’i shërbyer një sistemi shoqëror tanimë të kapërcyer, t’ia dali mbanë të mbarti e të tejçojë lëndën mendore e kulturore të evoluar të shekullit të ri? Më së pari duhet thënë: JO më me metodat luftarake të eliminimit e përjashtimit, paçka se për ne të mbijetuarit e diktaturës së proletariatit, peizazhi i parë që pikturon sot në mendje aforizmi i Max Weinreich-ut “Standardi është dialekt me ushtri dhe flotë.” është i kallashnikovit politiko-ideologjik si mbikqyrës i standardgdhendësve, tutor i standardpërdoruesve dhe bartës i çelësit të qelës ku banonte qenia jonë gjuhësore, e rrjedhimisht krejt bota jonë mendore dhe shpirtërore.

Por, pa u hyrë efekteve kulturore dhe psikologjike, ndjekja e “shtigjeve ushtarake” në qeverisje të gjuhës më së pari parakupton shkundëllime të arkitekturës sintaksore, kur dihet se si urë ndërlidhëse midis zanimit dhe kuptimit ajo mban në këmbë ngrehinën e mendimit, madje jo vetëm kaq por siç ve në dukje neurohulumtuesi Gerald Edelman “struktura gramatikore zë fill në strukturat konceptuale”. Në përqasje me çka u sipërshtjellua, mund të thuhet se kategoritë sintaksore në dallim me hyrje-daljet e termava ndër inventare terminologjike nuk mund të zhvendosen aq lehtë e pa teklif prej një rafti në një tjetër e të jenë kështu lirisht të shkëmbyeshme, të shtueshme ose të pakësueshme ndër variantet e gjuhës. Sepse sa më shumë të shartohen modelet sintaksore me njeri-tjetrin, sa më të ndryshueshme dhe të paqëndrueshme të jenë, aq më e keqthurur pëlhura gjuhësore, aq më i mjegullt mendimi.

Në këtë planvështrimi, korpuset gjuhësore të toskërishtes dhe gegërishtes mund të shihen kështu edhe si sisteme të mbyllura, në kuptimin që pavarësisht pikëprerjeve e ndërkalljeve reciproke, secili korpus fytyrën e vet gjuhësore e ka të pangatërrueshme me cilëndo fytyrë tjetër, pikërisht sepse ia vizatojnë veçoritë e veta unike fonetike, morfologjike e gramatikore. Prandaj dëshira e mirë e shumëkujt për t’ia restauruar gegërishtes poltronën e nderit në atrium të shqipes do të futej në qorrsokak nëse shtegu drejt mbërritjes së saj përvijohet sikur të qe fjala për pleksje mekanike të kategorive sintaksore në shtat të gramatikës, sikurse jane dilemat tona obsesive kompulsive “Infinitivi gegë apo paskajorja toskë?” ose “Edhe infinitivi edhe paskajorja?”. Përveç ndryshimit për së jashtmi, në muzikalitet, pak i veçon funksionalisht për së brendshmi këto dy variante, sepse të dy në rrafsh abstrakt e konceptual s’janë veçse e njejta urë që tejçon kumt, paçka se prej syzeve ideologjike sytë e dikujt e çmojne atë urë si shembull të epërm arkitektural për shkak të prestigjit të rikthyer e sytë e tjetërkujt po të njejtën urë e përçmojnë si kundër-shembull për shkak të prestigjit të mpakur. Mirëpo, nëse pranojmë që gramatikat priren drejt thjeshtimit dhe leksiku drejt pasurimit, nëse te gjuhët gjejnë zbatim parime të tilla sikurse: Parimi i Ekonomisë (Economy Principle) ose Përpjekjes më të Vogël (Least Effort Principle), i cili lyp që përfaqësimet sintaksore të përftohen me sa më pak konstituentë, dallime sintaktike dhe operacione gramatikore; Parimi i Gurit të Fundit (Last Resort Principle), sipas të cilit operacionet gramatikore kryhen vetëm kur lypset, ose atëhere kur përndryshe s’gjendet mënyrë tjetër për të përmbushur një nevojë gramatikore çfarëdo; si dhe Parimi i Varësisë Strukturore (Structure Dependence Principle), sipas të cilit operacionet gramatikore janë të ndjeshme karshi strukturës së fjalive ku përdoren, atëhere kodi ynë gjuhësor do të prirej drejt zvogëlimit të numrit të zgjedhjeve ndër modelet sintaksore të disponueshme, aq më fort po të kenë funksione praktikisht të barasvlefshme, edhe nuk do t’i treste mirë ndërkallje të padrejtpeshuara indesh gramatikore të dialekteve në standard. Por këto e të tjera qëmtime teorike, si ato që janë të përbashkëta për çdo gjuhë në përgjithësi edhe ato që janë të brendshme për shqipen në veçanti, do t’i testonte e mbështeste më mirë fotografimi sinkronik i shqipes në gjendjen e sotme të përdorimit – hapi nistor në rrugëtimin drejt mëkëmbjes së gjuhës.

Standardi, edhe pse me një varg cenesh që lidhen, siç e kanë vërejtur studiues të ndryshëm, si me metodologjinë që e mbrujti ashtu edhe procesin që e përpunoi, e pavarësisht nga trysnitë me të cilat e shtyp përparimi kulturor e teknologjik, është dhoma ndenjëse që mbledh pjesëtarët e familjes në shtëpinë e shqipes (edhepse jo të gjithë ndihen sot të përfshirë); vendi ku këta përsiatin mbarëvajtjen e familjes format e qeverisjes e rrugët drejt mbrothësisë; përshëndoshjen e ekonomisë e shërimin e arsimit; zgjidhjen e andrallave të befta e të parashikuara; korrigjimin e gabimeve të shmangshme e të pashmangshme përgjatë rrugëtimit drejt progresit; ndërtimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve me partnerë; bashkëpunimin me fqinjët dhe kontributin në komunitet, e kështu me radhë. Çështja është sa mund të ripërtërihet ky mjedis i përbashkët e sa mund të shndërrohet në një sallon më të bollshëm, të cilin shqip-përdoruesit ta ndjejnë përnjimend të vetin – një mezzanine komunikimi ku të ndërveprojnë gjuhësisht pa u cënuar kulturorisht, psikologjikisht, gjeografikisht dhe historikisht.

Përpjekje shpresëndjellëse që synojnë ta gatisin shqipen dhe aftësojnë për të rrugëtuar në lëndën e re mendore e kulturore të këtij shekulli, kanë nisur të shpërfaqen. Po t’i referohemi analogjisë së automjetit, nga njera anë vihen re orvatje për të përcaktuar e shestuar pikënisjen e udhëtimit (nëpërmjet syzimit të metodologjisë për diagnositifikimin e gjendjes së sotme të përdorimit) duke e orientuar vështrimin për kah pikëmbërritja; nga ana tjetër vihen re përçapjet për të mbajtur vijimisht në fushëvështrim peizazhin prej dritares së prapme (duke ofruar lëndën shqipe të traditës). Një pjesë të kësaj panorame shpalos vargu i botimeve Excipere që mëton të riparojë lacuna-t që tëhuajzojnë të djeshmen dhe të sotmen, grah t’i kthejë kombit pjesë të kujtesës së vet ndryrë në bodrumet e terrta të ndëshkimit, rreket t’i sjellë në fushë të vëmendjes blloqe dijesh lënë memece shkretëtirave të harresës a mbytur anijeve të fundosura ndër shtrëngata politike. Jo vetëm kaq — larmia gjeografike dhe dialektore që ngërthejnë ato botime do t’i shërbenin ndreqjes së mendësive izolacioniste e ksenofobe karshi dialekteve, e do të ndihnin që cilido shqiptar t’i përkasë përnjimend gjuhësisht edhe kulturorisht krejt hartës së shqipes përtej patois-së të katundit ku lindi, sepse sikurse thotë Saussure-i, “gjuha është produkt shoqëror i depozituar në mendjen individuale” me një këmbë në botën e përbashkët sociale, me tjetrën në oqeanin e psikës tonë vetiake e vetmitare… Parë në këtë prizëm, botime të tilla që ofrojnë modele ligjërimi të epërm si në brendi edhe në formë mund të shërbejnë si fulcrum që gatit qoftë edhe simbolikisht procesin e rilindjes së gjuhës dhe arsimit shqiptar, nëse e prapë nëse mbështetet me vullnet të mirë e të paepur shtetëror e institucional.

Mirëpo e prapë mirëpo, ka edhe disa pyetje që tash për tash mbeten pezull: Brezave të pas-1970s, hermetikisht mbajtur veçuar nga kjo pasuri, a do t’u zgjohen dot vallë si të thuash ndjenjat e dashurisë për “mëmën e humbur atbotë” tanimë të moçme e sahat mbetur ndër fletë të zverdhura librash të paprekur? Po për ata që kanë lindur e po mëkohen me median elektronike të suplementeve dhe SMS-ve, të diplomave të shitura e të blera, të sfilatave e të misseve, të pub-eve e të real estate, vallë ç’pyetje duhen bërë për to? Si vallë do t’u zgjohen atyre dëshira e aspirata më të epërme për jetën; shtysat për t’u pasuruar mendërisht e për t’u zbukuruar etikisht? Po kur intervalet e vëmendjes vijnë gjithnjë duke u tkurrur, e kur mendja po vjen e po mësohet të nxejë gjithnjë e më shumë fotografisht e jo tekstualisht? Si vallë këto monumente të pabuja të fjalës, që nuk i dekorojnë dot kafenetë e pizzeritë, as vilat në fshatrat piktoreske dhe apartamentet e “bllokut e të plazhit”; nuk ia shtojnë dot madhështinë sallave të konferencave dhe tenderave; nuk zbukurojnë dot kremtime e fjalime solemne dinjitarësh; nuk hyjnë në punë si fustane mbrëmjeje a stoli në gushë; nuk ua shtojnë shkëlqimin galave çmim-ndarëse; nuk ia kënaqin dot shijen publikut të shtangur në musical; nuk bëhen dot bestsellers që prej ballinave të lustruara të të përditshmeve grishin myshterinjtë e kulturës pop; edhe, ah, nuk sjellin dot fitim mbi investim, si vallë të gjejnë dot vend në mendje e në zemër…?

Po i ndal këtu pyetjet trishtimndjellëse e që sidoqoftë nuk i nxë dot ky shkrim. I tashmi është një çast tjetër, i mbarsur me shtysë ndryshimi pozitiv. Veç duhet thënë, se sado të dobishme e të domosdoshme qofshin ndërhyrjet sistemuese e mirëmbajtëse të specialistëve, shqipja është pronë e mendjes jo e gramatikës, ndaj shërimi i gjuhës s’mund të jetë veçse projekt i mbarë shqiptarëve të vetëdijësuar se fatet e gjuhës janë në dorë të shqipes së tyre të folur dhe të shkruar, që zë fill në mendim.

 

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: