Skip to content

Alfabeti i Rishikuar

November 3, 2008
tags:

Shkrimi Shtigje të Alfabetit Shqip të L. Shamku-Shkrelit në Peizazhe të Fjalës më nxiti të vras mendjen për disa pyetje, të cilat do t’i parashtroj më poshtë. Përmbledhtazi duket se autorja ngre këto çështje lidhur me alfabetin që u përftua si rezultat i Kongresit të Manastirit:

  1. Jo të gjithë tingujt u përfaqësuan me një shkronjë të vetme. Peshorja e kompromiseve në atë kongres anoi nga toskërishtja. Për shembull, kemi grafemat GJ, NJ (që iu gjegjen tingujve toskë gj, nj), por nuk kemi grafema të ngjashme gjegjëse për fonemat gege MB, ND, dhe NG.
  2. Nuk u bë dallimi midis germave dhe grafemave transkriptuese. Për shembull, DH, GJ, dhe NJ janë grafema transkriptuese të këtyre tingujve, por nuk janë germa. Kështu alfabeti në vend që të krijohej vetëm me germa të thjeshta ka ngërthyer në vete si pyka edhe grafema transkriptuese.

Gjithë ç’u arrit në Kongres të Manastirit ishte fitore e madhe për shqipen falë tolerancës dhe mirëkuptimit të grupeve pjesëmarrëse. Mirëpo ka ardhur koha të shihen mundësitë për përmirësime të mëtejshme. Ç’duhet bërë? Pasaktësitë thotë autorja duhen korrigjuar, për ta lehtësuar kështu alfabetin prej teprive dhe shpërpjestimeve e për ta orientuar më fort për nga shtegu fonematik sesa fonetik. Ç’përfitime do të rezultonin? Alfabeti i ri do t’u ndihte më mirë gegëve – pa u prishur punë toskëve – madje të gjithë përdoruesve duke ua bërë më të lehtë mësimin e përdorimin e shqipes. Standardi nuk do të cënohej, e për më tepër do të ndreqeshin lidhjet hisorike të shqipes dhe alfabeti e gjuha shqipe do të zinin vend më mirë në hollin europian të gjuhëve.

Një nga pyetjet e para që më vijnë ndër mend lidhur me sa më sipër përsillet rreth: sa prioritare është ndërmarrja e një ndërhyrjeje të tillë për shqipen, e cila në gjendjen ku është katandisur sot duket se ka plot halle për të zgjidhur? E kam fjalën në vargun e punëve për meremetimin e shqipes, ku do ta kishte hallkën rishikimi i alfabetit? Më hollësisht:

Sa ndikon papërsosmëria e alfabetit të sotëm në të tjera probleme madhore të shqipes, duke ua vonuar ose ndërlikuar kështu zgjidhjen? Dua të them, nëse konstrukti kabá i alfabetit është problem që pengon sadopak zhvillimin e dëshiruar të shqipes, si do të gërshetohej e ndërlidhej ky problem – ose i lënë i pazgjidhur ose me zgjidhje të mirë a të keqe – me një varg hallesh të tjera që presin trajtim të ngutshëm e që kjo autore i ka paraqitur në të tjera shkrime, sikurse janë: standardi si korse shtrënguese e përditësimi i fjalorëve, terminologjia e huaj dhe vërshimi i ardhurizmave, mjetet e varfëra të shprehjes në të shkruar dhe të folur e shpërnjohja e rregullave gramatikore ose solecizmi dhe sintaksa e pështjelluar? Për të mos përmendur pastaj edhe andrallat përshoqëruese sikurse fenomeni i epentezës (depërtimi i shkronjave dhe tingujve të tepërt në trup të fjalës), hiperkorrektizmi dhe malapropizmi (keqpërdorimi ose shtrembërimi i fjalëve shpesh pa dashje), shterpësia në sendërtimin e fjalëve të reja dhe polisemia (përdorimi shumëkuptimesh i së njejtës fjalë).

Një alfabet i revizionuar, në ç’mënyrë do ta përmirësonte kompetencën e dobët gjuhësore dhe si do të ndikonte në pasigurinë e publikut në përdorimin korrekt të gjuhës?

Nga ana tjetër, ç’do të ndodhte me gjithë atë shkrimtari të sendërtuar mbi alfabetin ekzistues? Sepse të futësh në përdorim një alfabet të remontuar, nuk është njësoj sikur një hartë e re thjesht të zëvendësonte një tjetër e kësisoj mjafton të mësosh të përdorësh të renë, e të flakësh të vjetrën. Në të vërtetë lypset të dish t’i përdorësh të dyja: të vjetrën për të lexuar shkrimtarinë prej 1908-s e këtej, dhe të renë për të shkruar dhe lexuar shkrimtarinë e mëtejshme, edhe pse dallimet mund të mos jenë të mëdha. Kësisoj, shqiptarëve u kërkohet të demonstrojnë jo një, po dy sjellje gjuhësore, në një kohë që sot për sot po dëftojnë mangësi në zotërimin e njerës prej tyre. Nga ana tjetër, sa e vështirë do të ishte të fitoheshin reflekset për të ndërruar e zgjedhur kodin e duhur në varësi të llojit të tekstit?

Sa shpejt do ta bënte të vetën publiku një reformë të tillë madhore? Ç’rezistencë do të ndeshej jo vetëm nga mendimi akademik (pa akademi) por sidomos nga përdoruesit, partizanët e dialekteve, fundamentalistëve të shqiptarisë? Për të mos folur pastaj për të gjithë ata shkarrashkrues të cilët kur zenë në gojë alfabetin nisen nga arsye ngushtësisht teknologjike jo gjuhësore. E di që do të më thonin, se broçkulla të tilla as nuk vlen të zihen në gojë, por në këtë mjedis kaotik të dijes dhe mediave unë kam gjithnjë frikë nga hapësira që mbulon zëri i tyre dhe fuqia me të cilën profkatarët shpëlajnë trutë.

Duke cituar Saussure-in Shamku-Shkreli thotë:

tirania e shkrimit vërtet s’njeh kufi: duke iu imponuar shumicës, ajo ndikon mbi gjuhën dhe e ndryshon atë. Të kuptohemi, ndryshimi ndodh vetëm te gjuhët tepër të letrarizuara, ku dokumenti i shkruar luan rol të madh. Kështu, figurat pamore arrijnë deri aty sa të prodhojnë shqiptime krejt të shtrembëra; kemi të bëjmë në thelb me një fakt patologjik. (theksimi është imi)

Vini re, ndryshimi ndodh vetëm te gjuhët tepër të letrarizuara, shprehet Saussure-i. Nuk besoj se shqipja në 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit, ka qenë “gjuhë tepër e letrarizuar”.  Përkundrazi, gjuha e shkruar filloi të zhvillohej vonë, edhe popullsia ka qënë në masë analfabete. Madje s’jam e sigurtë se fjala “tepër” do të ishte cilësim i përshtatshëm madje edhe për shqipen e sotme të letrarizuar. Prandaj dyshoj se verejtja e Saussure-it gjen plotësisht pasqyrim në shqipen tonë siç është sot, me plot halle për të rregulluar.

Shtete të tjera sikurse, Gjermania e Franca merren si shembuj të vendeve që kanë përditësuar drejtshkrimin e alfabetet në dobi të gjuhëve të tyre. Mirëpo duhet mbajtur parasysh se kompetenca gjuhësore e gjermanëve dhe francezëve në këto gjuhë globale me histori të gjatë e të pasur zhvillimi, është shumë më e plotë e solide krahasuar me kompetencën gjuhësore të shqiptarëve në gjuhën e vet.

Sa mund të krahasohet rasti ynë me ato të këtyre vendeve e sa mund të përqasen arritjet e tyre aktuale me arritjet që mund t’i projektohen e përllogariten paraprakisht shqipes, kësaj ngrehine ende në kantier me themele të hapura që presin të riparohen e mbrohen?

Le të ndalemi për pak në rastin e gjermanishtes. Pikësëpari ky rast lidhet jo me një por me disa shtete: Gjermani, Austri, Liechtenstein, Zvicër e më gjerë. Shtysat për reformën ortografike gjermane kanë nisur qysh në vitet 60 si debate shkollareske të një gjenerate të re të pakënaqur me rregullat shtrënguese. Grupet e punës u ngritën në vitet 80, edhe puna për formulimin e propozimeve nisi në vitet 90 në një numër konferencash në Austri e Gjermani e më në fund u ra dakord që ortografia e re të vihej në zbatim në vitin 1998 me një fazë të gjatë tranzicioni që shtrihej deri në vitet 2004-05. Tani shkollat dhe shtypi përdorin sistemin e ri, ndërsa të tjerët janë të lirë të zgjedhin midis të riut dhe të vjetrit. Mirëpo akoma mbetet për t’u parë nëse kjo nismë madhore dhe e shtrirë në dekada ka arritur deri tash ato rezultate që priteshin e dëshiroheshin. Kritikat dhe rezistenca nuk kanë munguar nga qarqe e grupe akademike, intelektualë e krijues midis të cilëve edhe Günter Grass. Ashtu sikurse edhe të dhënat nga anketime me publikun vitet e fundit lënë për të dëshiruar. Probleme të ngjashme (shih artikullin) ka patur Franca, ndërsa në Belgjikë dhe Hollandë propozimet mbetën në letër.

Duke qenë se një nga synimet bazë të propozimit për të remontuar alfabetin mëton t’i ndihë shtresës gegë të shqip-përdoruesve, s’mund të mos pyetet: Vallë në ç’raport janë gegët e sotëm me traditën e tyre? Sa e vizitojnë dhe e përdorin gegërishten e vet të kultivuar? Ç’lexojnë e ç’do të dëshironin të lexonin sot? A do t’i përgjigjej ky korrektim situatës së sotme letrare-gjuhësore në kushtet e tëhuajëzimit prej kulturës dhe shkrimtarisë gegë, madje më së pari të gegëve vetë, të cilët siç e kanë vënë re studiuesit, të mbetur kulturorisht dhe ekonomikisht më mbrapa, nuk kanë mundur ta bartin e ta vënë në përdorim shpirtëror traditën e tyre shkrimore, e ç’është më e rëndësishme as kanë mundur të shtojnë cilësisht mbi kontributin e figurave të tilla si Gj. Fishta, E. Koliqi, A. Harapi, N. Mjeda, etj.? Dua të them se sikur të gjitha barrierat reale dhe të imagjinuara të binin, atëhere ç‘do të ndodhte në këtë mjedis të ri të përftuar? Si do të ndryshonte sjellja gjuhësore e gegëve?

Nga ana tjetër, ndërhyrje të tilla që të jenë të suskesshme do të kërkonin edhe një sistem të tërë ndihmues. Ç’aparat përforcues dhe mbështetës do të ishte në gjendje të ofronte shteti shqiptar e jo vetëm në kuadër administrativ e ligjor për ta vënë me sukses në punë alfabetin e thjeshtuar në shkolla e institucione shtetërore? A do të mund të hartoheshin në kohë fjalorë mbi bazën e alfabetit të ri? Sa do të ishte i gatshëm publiku të përdorte paralelisht fjalorin e vjetër dhe të riun?

Me një hiatus të tillë të gjerë e të thellë midis të djeshmes dhe fillim-shekullit XXI ku ngërthehen e harlisen kontekste të reja psiko-kulturore, sa është e arsyeshme a utopike të mendohet se zinxhiri thjesht mund të lidhet bash në atë hallkë ku ndodhi këputja? Ose më mirë, cilat hallka në lidhjet jolineare e të shumëfishta të zinxhirit të shqipes ia vlejnë të lidhen e cilat jo, cilat e lypin me ngut riparimin e cilat mund të presin, e cilat të lëna të pacekura e ruajnë më mirë tërësinë e zinxhirit?

6 Comments leave one →
  1. November 6, 2008 12:22 pm

    Duke lexuar tashme tekstin e referimit fillestar, duket sikur s’ka lidhje midis tyre.

    Per ne qe jemi jashte debatit, por pa harruar edhe c’kemi lexuar, perqasur e studiuar ne dy dialektet qendrore e ne disa alfabete te shqipes, gjerat jane me te thjeshta: alfabeti i sotem krijon me pak probleme sesa problemi i diletanteve te gjuhes sone, per te huazuar termin e Xixes. Sepse, ndoshta po dal nga trungu i temes, levruesit e gegerishtes i kane te gjitha mundesite te krijojne e ta modifikojne alfabetin, sic bejne linguistet kur e regjistrojne ate sot neper bote, pa kerkuar qiqra ne hell.

  2. November 6, 2008 12:51 pm

    Bizantin,

    Unë e respektoj L. Shamku-Shkrelin si studiuese për talentin e spikatur dhe seriozitetin me të cilin ia paraqet publikut plagët e brengat e shqipes, por edhe për punën e madhe që ka bëre duke u kthyer shqiptarëve në kopshtin e diturisë mençurinë e munguar të iluminarëve kombëtarë të traditës.

    Shkrimin e saj për alfabetin e lexova me kureshtje si ushtrim intelektual të mirështjelluar, mirëpo mendoj se ky shestim e rekomandim i saj gjithësesi zor ta kalojë pragun e laboratorit si të thuash, sepse shqipja jo vetëm ka sëmundje më madhore për të kuruar, por tash për tash nuk ka me vete as mbështetje institucionale e as vullnet administrativ për ta ndihmuar. Për të mos përmendur pastaj edhe mjegullën e dendur ideologjike aq të vështirë për ta dëbuar, sidomos në një lëmë të tillë sikurse gjuha. Ndoshta shprehja “If it ain’t broke, don’t fix it” (po të mos jetë prishur, mos e ndreq) i përshtatet këtij rasti.

  3. November 7, 2008 12:29 pm

    Megjithe vajtimtarine mbi gegerishten e merguar, me lejo te perseris, ky dialekt ka rastin e levrimit sot, sidomos me mundesine teknologjike te simboleve qe pasurojne alfabetin, te njejtin alfabet te standardit, por bash te pasuruar/te ndryshuar, per te shprehur te gjitha ato qe alfabeti i sotem ka mohuar. Kete rast, madje, toskerishtja nuk e ka. Sepse standardi eshte njesuar me toskerishten e cila mund te shprehet plotesisht, te pakten ne trajten qendrore, me alfabetin e sotem, por jo me shqipen e sotme. Si perfundim, nga ana ime, pajtohem me te gjitha sugjerimet, por ata nuk kane pse t’i imponohohen standardit, sesa lirise dhe integritetit te gegerishtes sot.

  4. November 8, 2008 12:31 pm

    Verejtje me vend, Bizantin. Pikërisht, shqiptarët e sotëm “shkronja kanë, gjuhë s’kanë”. Më poshtë po rendis disa shembuj që paraqesin shqipen në ditë të hallit. Këta janë shembuj nga shqiptarë jo të çfarëdoshëm, jo të komenteve anonime nëpër gazeta e forume, por të artikujve të titullarëve shtetërorë, të shkrimtarëve e poetëve, të pedagogëve (edhe të gjuhës e letërsisë), të gazetarëve e publicistëve:

    1. Fjali marrë nga shkrimi “Impresione nga takimi ndërkombëtar i Fushatës Globale Kundër Dhunës në Familje, në Spanjë”, shkruar nga R. Kovaçi, Drejtore e Drejtorisë së Politikave dhe Shanseve të Barabarta, Minstria e Punës, botuar te gazeta Metropol, 12 prill 2007.

    Një ekspozitë pikture me vepra të një piktore spanjolle anonime, vuajtëse e dhunës familjare, ajo me anë të ngjyrave dhe shprehjeve artistike kishte pikturuar disa tabllo të mrekullueshme me mënyrën si e konceptone dhunën kundër gruas përfshirë edhe dhunën në familje.

    Takimi u hap në Senatin e Madridit dhe ceremoninë e përshëndetën personalitetet më të larta të vendit pritës si dhe nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe na uruan mirëseardhjen.

    Po çfarë po ndodh? Është e thjesht të gjithë ata duken normalë në pamjen e jashtme. Ata vijnë nga të gjitha shtresat e popullsisë, moshave, niveleve. Nuk ka rëndësi ata mund të jenë edhe të pasur, të varfër, që punojnë në zyrë apo në fshat, me veprimet e tyre kanë krijuar një ambjent të frikshëm, mosbesimi, pasigurie për femrat.

    Pasi mori mirarimin e Parlamentit, dhe më pas do të dekretohet nga Presidenti i Republikës, ligji pret të hyjë në fuqi në një ditë të mrekullueshme, 1 Qershorit të vitit 2007, festës së fëmijëve që vijnë si ripërtëritje e jetës nga qenia Grua.

    2. Fjali marrë nga shkrimi “E drejta e krijuesit në diskursin mbi gjuhën” shkruar nga A. Tufa (pedagog, shkrimtar, poet, publicist, përkthyes), botuar te Shekulli, 4 janar 2008.

    E drejta për diskurs mbi gjuhën është, natyrisht, e gjithkujt (përshtat me aftësitë, shkallën e njohurive, shqetësimit konkret dhe, jo rrallë, konjukturës që i shërben i shqetësuari).

    Krijuesi shqiptar gegë përfaqëson në thelb tëhuajësimin gjuhësor, përderisa impulsi krijues, ai mekanizëm automatik që fshik, zgjon dhe ngre asociacionet meditative, është i detyruar të kalojë nëpër një itinerar të padukshëm përkthimi brendagjuhësor, gjer në verbalizimin e ligjërimit.

    Faqet e “Komedisë Hyjnore” të Dantes në të gjitha botimet italisht, që nga shkulli XIII e deri sot, kanë sjellë, gjithë e më tepër, pakësimin e vargjeve dhe shtimin e komentarëve në fund të tyre, pa u ngazëllyer me shpikjen tonë të përkthimit apo “përshtatjes në gjuhën e sotme”.

    Rezistenca është mision i heshtur e i vetmuar i artistëve, i atyre që nuk mund ta kalojnë jetën dhe të vërtetat e qenieve të tyre me leksikun prej 100-200 fjalësh të shpëlara, i atyre që e kanë ndjeshmërinë ndaj fjalës dhe kulturës. I atyre që tek fjala, kultura dhe komunikimi artistik gjejnë të vetmin kuptim të qenies dhe botës.

    3. Fjali marrë nga shkrimi “Në takim me Dikensin” shkruar nga M. Lalaj, botuar te Shekulli, 29 tetor 2007.

    Thuajse të gjitha shtëpitë e Londrës me rrugë të tëra janë dykatëshe, nga shtëpitë e dikurshme mund të shohësh edhe tri a katërkatëshe. Çdo shtëpi e ka një kopësht të vockël për të mbjellë lule apo perime. Syri mund të të hasë edhe ndërtesa të larta të ngritura në vitet 70-të, të cilat ngjasojnë me ndërtesat tona socialiste. Janë ndërtuar në vendet e mbetura bosh prej bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, ato janë disi të mëdha, të rënda, katrore dhe me dritare të njëllojta.

    Pjesa e Londrës, që thirret Ist End ka disi pamje dikensiane. Ndërsa për të vajtur tek shtëpia e Dikensit udhëtova me autobus, ata dykatëshit, pastaj i hipëm trenit në metro dhe ndalëm tek Stacioni Viktoria, i cili është edhe “stacion muze”. Librat e Dikensit i kam lexuar kur isha studente, ndërsa ime bijë e ka lexuar “David Koperfild” qëkur ishte nëntë vjeçe.

    Çarls Dikens gjatë viteve ka jetuar në shtëpi të ndryshme, por njëra prej tyre është kthyer në shtëpi muze, ajo gjendet në 48 Doughty Street, këtu ai ka ndenjur dy vjet e gjysmë me gruan Katerina, djalin Çarls, në këtë shtëpi i lindën dy fëmijë dhe ka shkruar disa vepra.

    4. Fjali marrë nga shkrimi “Psikologjia e këngës” shkruar nga Q. Gjyrezi, Lektor i Psikologjisë së Artit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, botuar te gazeta Standard, 14 Maj 2008.

    Te flasësh për këngën pop-shkodrane duhen kohë, dëshirë dhe studime të mirëfillta, pasi ajo ka shumë poezi dhe art. Në këtë artikull do të shkruaj shkurt për karakterin psikologjik të saj që është edhe psikologjia e një qyteti mijëravjeçar, e cila pasqyrohet artistikisht e psikologjikisht në atë që quhet këngë popullore shkodrane. Krahas evidentimit artistik, social, kulturor, estetik, kënga qytetare shkodrane ka edhe një karakter psikologjik të veçantë, i cili gjendet në melodinë, tekstet dhe strukturën e saj.

    Nëse psikologjia tenton të shpjegojë karakterin psikologjik të artit, do të përpiqem shkurt dhe mjaft pragmatikisht të shpjegoj karakterin psikologjik të këngës pop shkodrane.

  5. November 25, 2008 12:06 am

    Regtima, po imagjinoja atë drejtoreshën duke shkruajtur me alfabetin e ri🙂 (se Tufa… do ta ketë akoma më kollaj për të bërë stumbullare fjalësh😉 )

  6. December 15, 2008 10:45 am

    Edrus, falma vonesën e përgjigjes të lutem. Siç e kam vënë re në një koment më lart, L. Shamku-Shkrelin e çmoj edhe mendoj se gjuhësia shqiptare përfiton prej lëvrimeve dhe mendimit të saj si specialiste dhe intelektuale, aq me tepër kur klima e sotme intelektuale në Shqiperi kënetizohet e moçalohet prej gjithëfarë pseudosh. Të mos i ngatërrojmë gjërat, edhe të përpiqemi ta ndajmë monedhën kallpe nga ajo e njimendta.

    Nevojën e thjeshtimit të alfabetit, e gjeta të arsyetuar edhe në një shkrim të Aristotel Spiros botuar te Shekulli (shih artikullin). Të dy këta studiues parashtrojnë arsye gjuhësore, por më ra në sy se Spiro nuk i referohej aspak termave “gegë” dhe “toskë”, çka (qëllimisht ose jo – Spiro vetë është nga jugu dhe ka kryer studimet në Greqi) më duket se ia rrit vlerën shtjellimit edhe e mbron nga politizimi.

    Megjithatë, mua më duket se shtati i shqipes ka plot sëmundje që lypin kurim të ngutshëm. Nuk jam e sigurt se përshëndoshja do nisur a do kryer in tandem me kirurgjinë në trup të alfabetit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: