Skip to content

Në Gji të Popullit

November 23, 2008

Fushata e sapopërfunduar elektorale në SHBA, siç është vënë re prej shumëkujt, qe mbresëlënëse e vemendje rrëmbyese jo vetëm sepse u zhvillua në çaste kur Bota e Lirë, aq e ndërvarur me krejt Botën Planetare, lëngon ekonomikisht e politikisht dhe lyp ngutësisht mjekë të zotë që ta përshëndoshin, por edhe sepse siç ndodh shpesh kur çasti historik piqet, arriti të përnxjerrë kandidatë presidencialë të kalibrit, dialogu i të cilëve u shqua për mirëpeshim e qendërzim në argumente. E megjithatë pavarësisht nga elokuenca, nervi dramatik dhe zhdërvjelltësia e gjuhës, ligjëratat e konkurruesve nuk ishin të ndryshme nga ato të fushatave të mëhershme, në kuptimin që misionin për të fituar zemrën e votuesit ose për ta bërë me vete emocionalisht ngulmuan ta kryejnë duke u rrekur ta projektonin ligjëruesin si “bir a bijë si gjithë bijtë e thjeshtë të popullit”, pavarësisht shtresës sociale, nivelit të edukimit, a nivelit të pasurisë ku ky përkiste.

Dihet se suksesi në politikë ka fort të bëjë me “komunikimin efektiv” edhe se prapa fjalimeve, sado të thjeshta e spontane të duken edhe sado të dala fill prej zemre që të tingëllojne, qëndron një shpurë e tërë këshilluesish e fjalëgdhendësish që vigjilojnë mbi cilindo detaj që mund të luhatet sado pak përtej kuptimësisë së përllogaritur të kumtit. Në këtë kontekst, për t’u perceptuar prej elektoratit si “bir a bijë e popullit” ligjëruesit i duhet të thurë rrëfenjën e vetes si individ i çfarëdoshëm, që e ka çarë rrugën e suksesit me mund të madh, falë sakrificave, dashurisë për familjen, përulësisë, këmbënguljes, përkushtimit të paepur, etikës së shëndoshë, dëshirës për të ndihmuar të tjerët, besimit te njerëzit dhe Perëndia, e kështu me radhë.

Në këtë pikëvështrim e kuptoja rrëfenjën e McCain-it, luftëtarin e betejave të Indokinës, trimin që u bëri ballë kurtheve e burgjeve të armikut, mposhtësin e plagëve dhe sëmundjeve, flokëbardhin zështruar fjalitë e të cilit zor të mos i mbyllte dot togëfjalëshi i përzemërt dhe i paqtë “miqtë e mi”; sikurse kuptoja Sarah Palin e 5 fëmijëve e stërvitjeve të hockey-it, të lëvizjes pro-jetë dhe të përkrahjes së kreacionizmit, të pushkës së gjuetisë dhe automobilave të dëborës, të cilën kur e pyetën s’ia doli dot të rendiste as edhe një titull libri a reviste te preferuar; e po ashtu kuptoja edhe Cindy McCain-in e pa fjalë, që si bashkëshorte shembullore e shoqëroi dhe i ndenji në krah të shoqit gjatë të gjithë garës me buzëqeshje e prezencë mbathur në ngjyra të feksshme e me portret svelte prej Barbie statike. Por, le të ndalem pak më gjatë, te tjetërkush, te Michelle Obama, gruaja e presidentit të sapozgjedhur.

Parë në këtë prizëm, edhe fjalimi i Michelle Obamës në Konventën Kombëtare Demokratike mbajtur në Denver në gusht të këtij viti (shih tejshkrimin), nuk mund të bënte përjashtim e s’mund të kapërcente kornizën e pacënueshme “jam dora juaj, bijë e thjeshtë e të thjeshtit popullit tim”. Sa për ilustrim, ja si e paraqiti veten M. Obama:

Unë vij sonte këtu si motër, e bekuar që ka të vëllanë për mentor, mbrojtës dhe shok të përjetshëm. Dhe vij këtu si grua që e dashuron burrin e vet dhe beson se ai do të bëhet president i jashtëzakonshëm. Dhe vij këtu si nënë, si nënë që të bijat i ka në loçkë të zemrës së vet e në qendër të botës së saj. Ato janë të parat për të cilat mendoj kur zgjohem në mëngjes dhe të fundit kur bie të fle në mbrëmje. E ardhmja e tyre – sikurse e gjithë fëmijëve tanë – ështe meraku im në këto zgjedhje.

E ndërsa M. Obama kumtonte këtë rrëfim intim e të thjeshtë të saj plot pathos ngashërues e zë që herë-herë mekej emocioni, gra të ndjeshme të popullit, që shihnin në këtë rrëfim veten, përshfaqeshin në ekran me vështrim të magnetizuar e vemendjeplota e me ndonjë lot që u shpëtonte e rrokullisej tatëpjetë mollëzave të dridhtuara.

Mirëpo, M. Obama, pavarësisht fillesave modeste prej shtrese jakë-kaltër, nuk ka si të jetë “bijë si gjithë bijat e thjeshta”, as nga edukimi, as nga karriera, as edhe nga paga më e lartë se e të shoqit senator. Nga jetëshkrimi i saj po paraqes më poshtë disa nga arritjet që dëshmojnë për aftësitë e saj intelektuale e profesionale:

  • 1985 – Diplomohet me Cum Laude në universitetin Princeton.
  • 1988 – Diplomohet me gradën JD (Juris Doctor) në Shkollën e Drejtësisë së Harvard-it.
  • 1988 – Punësohet në firmën ligjore “Sidley and Austin”.
  • 1993 – Emërohet Drejtore Ekzekutive për Zyrën e Çikagos së Aleatëve Publikë.
  • 1996 – Emërohet Dekane e Asociuar për Shërbimet Studentore në Universitetin e Çikagos.
  • 2005 – Emërohet zëvendës presidente e “Marrdhënieve të jashtme e komunitare” të Qendrës Mjekësore të Universitetit të Çikagos.

Lind pyetja, kjo grua me cilësi kaq të spikatura, vallë nuk paska tjetër ç’të thotë veç sesa e përkushtuar është ndaj familjes dhe fëmijëve? Po si vallë e bën publikun ta njohë më mirë, kur një detyrë e tillë normalisht duhet të jetë detyrë mbi detyrat – aspak e thjeshtë, por as edhe penguese për të tjera kontribute – për Michelle-n e për të gjitha nënat bashkë? Nuk paska vallë diç tjetër “të vetën” të na ofrojë, përtej asaj që e njejtëson me të gjitha motrat, bashkëshortet, e nënat?

Nga ana tjetër, një populizëm i tillë e përpjekje për të zbritur të mëdhenjtë poshtë te të vegjëlit, vihet re edhe gjetiu e po bëhet i kudondodhur. Kështu p.sh., Stephen Harper, kryeministër dhe kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë – i cili nuk njihet për afëri të madhe me popullin – në një reklamë televizive për fushatën zgjedhore në tetor 2008, duke pozuar pazakonshëm për elektoratin në rolin e babait shprehet:

Luajmë bashkë [me tim bir] me letra e shkojmë të shohim filma. Ai i bie kitarës, unë pianos – të qenët baba është më e mira përvojë e jetës time!

Në krahun tjetër, rivali Stéphane Dion, kryetar i Partisë Liberale të Kanadasë të opozitës dhe ish-akademik, e pati më të vështirë të gjejë një script të ngjashëm që të përçonte imazhin “gju më gju më popullin”. Në një reklamë të pasuksesshme televizive ky u paraqit duke thënë:

Mua më pëlqen të peshkoj; jam si peshkatari i mirë, që gjithnjë mundohet t’u sigurojë fëmijëve ushqim.

Por, le të kthehemi te M. Obama dhe “kumti efektiv”, në sajë të të cilit kjo mundi të ndërtojë ura komunikimi e afeksioni me popullin e zi e të bardhë (ashtu sikurse edhe Sarah barracuda Palin, e cila, që t’i japim hakun, ia doli për bukuri të magjepsë auditorin gjatë fjalimeve të veta).

Që të komunikosh efektivisht, a duhet doemos të tjetërsohesh?

Nëse M. Obama tutet e sikur kërkon t’i fshehë zotësitë e veta intelektuale, vetëm e vetëm se kështu mund të fitojë admirimin e masës dhe që këtej votën për të shoqin, është për të ardhur keq. E sidomos është për të ardhur keq në një kohë që gruaja me gjithë sukseset që ka arritur ka ende rrugë për të bërë sa i takon emancipimit dhe barazisë me burrin. Edhe fiasko si ajo e zgjedhjes së Sarah Palin prej John McCain-it ose e Harriet Maier (në Gjykatën e Lartë) prej George Bush-it nuk ndihmojnë, përkundrazi.

E ndërsa mediat s’rreshtin së analizuari fustanet e imazhin femëror të Zonjës së Parë të ardhshme, duke bërë krahasime të tipit “Jackie O vs Michelle O”, është bërë tashmë proverbiale thënia e znj. Obama: “S’dua të jem Zonjë e Parë, dua të jem Mëmë e Parë.”

Në të vërtetë javët e fundit mediat nuk kanë pushuar së marruri me vogëlushet Malía dhe Sasha, bijat e Obamave. Vallë si do t’u përshtaten ambientit të ri e ndryshimit të banesës? Vallë si do t’u duket të jetojnë në Shtëpinë e Bardhë? Në ç’shkolla vallë është më mirë të shkojnë, publike apo private? Ç’dhoma do t’iu duhen? Si do t’i mobilojnë e zbukurojnë? Po prej mediave si do t’i mbrojnë prindët? Ç’bisedoi Michelle me Hillary-in dhe ç’këshilla mori prej ish-Zonjës së Parë? A thua se këto dy gra intelektuale e me një barrë mend e një okë zotësish s’paskan tjetër se për ç’të bisedojnë! Halle të mëdhaja, që kërkojnë vemendje kombëtare e më tej, jo shaka!

Parë nga një fushëvështrimi tjetër, ky mëshim kah femininiteti dhe mëmësia në daç i shtirë ose jo, nuk është në të vërtetë pa lidhje me krizën shoqërore, me shkallën e lartë të divorcit e dinamikat e pështjelluara familjare, por edhe me gruan e karrierës që sa më lart ngjitet në profesion aq më pak feminilitet i mbetet e aq më mashkullore bëhet në sjellje, marrëdhënie e komunikim. Mirëpo kaq fenomen i rrallë të jetë bërë vallë “familja normale” për amerikanët, saqë puna e Michelle Obamës tani e tutje s’do të shkoka më tej se t’ia ofrojë publikut familjen e vet si pasqyrë për t’u këqyrur e vetëkorrigjuar?

Ç’do të mendonin vallë humaniste e iluminare të tilla si Chrisitine de Pizan, Mary Wollstonecraft, Virginia Woolf e Margaret Mead, të cilat me punën e tyre ndihmuan që gruaja të vëtëdijesohet për rolin dhe vendin e vet në shoqëri, përtej kujdesit ndaj burrit, lindjes e mirërritjes së fëmijëve? A nuk do të çuditeshin me këtë pedalim mbrapsht?

Në një nga esetë e librit të vet “Gratë dhe Shkrimtaria”, V. Woolf thotë:

… Nëse do të profetizonim, në kohët që do vinë gratë do të shkruajnë më pak romane, por më të mira; dhe jo vetëm romane, por poezi, kritikë dhe histori. Vetëm se këtu jemi duke vështruar larg, në kohën e artë e të mrekullueshme, kur gratë do të kenë ç’u është ndaluar deri më tash: kohë të lirë, para, dhe një dhomë më vete. (Theksimi është imi.)

Mirëpo këto tri elemente të domosdoshëm: koha e lirë, paratë, dhe një dhomë më vete, sot gruas intelektuale nuk i mjaftojnë më.

 

One Comment leave one →
  1. November 24, 2008 12:28 am

    Kur një femër intelektuale vëzhgon, përsiatet dhe shkruan për femra të famshme, për fakte e ngjarje me përmasa tejgjinore, dalin gjëra që nuk mund të fshehin autorësinë (gjininë) e shkrimit.

    Shkrimi yt, Regtima, më bëri të mendohem për disa gjëra:

    – manipulimi i trurit në Amerikë

    – adhurimi/dorëzimi pa kushte i shqiptarëve ndaj kultit të Amerikës

    – dobësia e femrës shqiptare, e cila, cilado qoftë, në kulturën shqiptare nuk ka fuqi të shërbejë si figurë plotësuese për një burrë shqiptar

    – mosbarazia e femrës në botë, por sidomos në Shqipëri, ku të drejtat e saj ende vijojnë me ideologjemat e ’emancipimit të gruas’ të viteve 1960.

    Faleminderit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: