Skip to content

Shoshave Ideologjike

May 4, 2009

scapegoat2

Duke e falenderuar Bizantinin për mendimet e ofruara po përpiqem ta shtjelloj edhe pak më tej temën e të kaluarës që e zbulojmë sot hera herës si të ishte sënduk, kapakut të të cilit dikur i vjen radha të ngrihet. Çka gjendet në këtë sënduk e që gjer dje pati qenë tabu, sot s’ka arsye që të mos vështrohet e përsiatet. Edhe nuk e kam fjalën këtu për sënduqet që ndryjnë lëvere e fëlliqësira të totalitarizmit, të cilat përpos dëshirës tash të kotë pothuaj 20-motëshe për t’ia zbuluar lakuriq syrit publik, me ç’duket do të mbeten baule të rënda fajesh, ngarkuar ad perpetum mbi ratio dhe irratio. Përkundrazi, e kam fjalën te kontributi intelektual dhe në përgjithësi shkrimtaria e publikuar, sado modeste a trup pakët qoftë, që është përftuar përgjatë boshtit kohor prej para-diktaturës e që vijon më thellë në të shkuarën.

Vë re se me pak përjashtime fjala e shkruar prej autorëve të censuruar ose përndryshe të panjohur mirë të para Luftës së Dytë i shkon publikut të sotëm e përzgjedhur pa ndonjë kriter (po të mos marrim parasysh kriterin e thjeshtë që imponojnë datat historike të përvjetorëve të lindjes a të vdekjes, të cilat zakonisht janë edhe raste të mira për t’i gjetur punë presidentit, komisioneve të festave e jubileve dhe stafeve të dekorim-dëfrimit).

Kujtoj se para 2-3 motesh gazeta Tirana Observer nisi të botonte rregullisht për një farë periudhe shkrime të viteve 30-të prej penash të tilla si: Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Vangjel Koça, Ismet Toto, etj. Më pas kur jo të gjitha seksionet mund të lexoheshin falas elektronikisht (ngaqë ndofta u bënë papritur tepër të çmuara për t’u falur veresie), nuk ma zuri më syri këtë rubrikë. Çka më pati bërë përshtypje atëhere por edhe tani është heshtja që i shoqëronte ato botime (a thua i shihte kush?) si të ishin imazhe anijesh velë-bardha që faniten atje ku kaltërsia e valëve dhe e qiellit bëhet njësh e që përhihen e treten horizontit heshturazi pa u vënë re e pa mundur të tërheqin vështrimet e gjindjes që pllaquritet në cektinën e mbipopulluar e kënetizuar me hiperzukatje komunikuese, tepri imazherike, potere akustike, sensualitet të Reality Shows, shijim të teatrit të skandaleve, dhe engledisje publike me privaten nxjerrë për shitje. Ç’është më e rëndësishmja, si shkrimet në Tirana Observer ashtu edhe ato të Mustafa Merlika Krujës të sjella nga Shekulli e që shpërfaqin portretin politik të kësaj figure, përcillen crudus pa situacionim kontekstual e pa përpjekje për t’i mbështetur në ekzaminime kritike – ekzaminime të cilat janë sidomos të nevojshme në raste portretesh të tilla që themelohen mbi kontraste të spikatura, veprimtari të kritikueshme, sistem vlerash e botëkuptim të diskutueshëm.

Dua të ndalem disi më gjatë këtu, duke iu referuar librit të J. B. Peterson, “Maps of Meaning: The Architecture of Belief” (“Hartat e Kuptimit: Arkitektura e Besimit”). Ky libër i ngjeshur përsillet rreth një teze sipas së cilës bota rreth nesh duhet kuptuar në mënyrë të dyfishtë:

  1. Nga njera anë, si vendndodhje e vlerave ose truall prej ku gjërat marrin ose më mirë u japim kuptimin që kanë, gjë që pastaj përcakton edhe ç’veprime zgjedhim të ndërmarrim. Kjo mënyrë të kuptuari ka të bëjë kështu me pjesën abstrakte prej ku e kanë origjinën principet etike që përkufizojnë thelbin tonë si individë dhe për ekzistencën dhe zgjedhjen e të cilave arsyeja zor të mjaftojë për t’i shpjeguar. Ky territor bashkërrethohet kështu ndoshta më fort me irratio-n, që përmenda më lart, dhe në përgjithësi sferën e narrativës dhe mitit.

  2. Nga ana tjetër, si log ku grumbullojmë e krijojmë mjetet, metodat dhe teoritë që shtimë në punë për ta eksploruar dhe kuptuar. Nga ç’sipërpërmenda kjo zonë ndan konture me ratio-n, empiricizmin dhe eksperimentimin dhe është kështu më e arsyetueshme.

Vështruar nga pjesa e dytë e kësaj teze, si studiues dhe teknicien i gjuhës shqipe, dijetar dhe krijues njohurish, Kruja tash për tash është hulumtuar dhe i është përshfaqur në masë të konsiderueshme atij publiku që ka interes ta njohë. Megjithatë, kjo përmasë sado prestigj të mbartë mbetet gjithësesi skicë e njërës faqe të prizmit pavarësisht shkallës së saktësisë së matjes e pavarësisht sesa i shterueshëm ekzaminimi. Dhe vlera e saj sado bllok vendimtar në korpusin e lëvrimit të shqipes që të jetë, në fund të fundit mund të kuptohet e t’u hyjë në punë drejtpërdrejt specialistëve e teknicienëve të gjuhës.

Por kur nga ana tjetër, nga perspektiva e pjesës së parë të kësaj teze – forumi i vlerave dhe principeve që motivojnë sjelljen, zgjedhjet e veprimet – mëtohet të shpaloset drejtpërdrejt në shtyp përmasa prej veprimtari politik, burri shteti e vizionari i të ardhmes së kombit e Mustafa Merlika Krujës, përmasë që nga pikëpamja historike e politike mbetet ende e ndriçuar dobët, e mbështjellë në kontroversialitet, në mos e zhytur në llucë të stigmës në rastin më të keq ose nga heshtja a indiferenca në rastin më të mirë, më duket se shmangia nga pozicionet ekstreme mbetet ende destinacion i largët edhe qëllim për t’u aspiruar. Dje, regjimi autokratik për arsye të vetëkuptueshme politike e shenjoi këtë figurë me simbolin e deles së zezë. Por sot, po për arsye politike, së njejtës figure po i mbathet simboli i shenjtit. Qëndrime të tilla të pabarazpeshuara, madje me ngarkesa të kundërta vetëm se anullojnë njera-tjetrën, duke e lënë njohjen në vend-numëro e duke i lënë palët të ngulura në të njejtat llogore ose bunkerë sipas rastit, edhe nuk ndihmojnë për të kapërcyer transcendentalisht qerthullin e pështjellimit e për të kuptuar diçka më shumë për botën tonë përmes objektit që marrim në shqyrtim. E në rrethana të tilla mendoj se publikut ndoshta më fort i bëhet dëm duke e lënë si tufë dhensh të kullosë pa bari në lëndina të lëndës së parë të autorit – herë në një ligjëratë këtu, herë në një intervistë atje, gjë që e rrëfejnë edhe komentet e lexuesve, të cilët ngjashëm me autorët priren të grupohen në dy kampe: “ju me pushtuesit (të këqinjtë) – ne me çlirimtarët (të mirët)”.

Nisur nga përvoja vetiake, në shkrimet që kam patur rastin t’ia lexoj këtij autori falë shtypit elektronik, më ka rënë në sy veçanërisht sinqeriteti dhe përkushtimi pristin ndaj qëllimeve që rrezaton teksti, respekti dhe afeksioni me të cilët e trajton shqipen, melodia që krijon ritmi dhe gurgullima me të cilën rrjedh lënda gjuhësore. Ndoshta më bëjnë përshtypje edhe sepse janë pikërisht këto tipare që nuk është e mundur t’i dallosh në penat e sotme të politikanëve, pena të cilat i mbajnë peng profkat dhe frazat parafabrikate, megalomania e pompoziteti, shtirja dhe mungesa e dashurisë për fjalën si shprehje e pasurisë estetike, shpirtërore e mendore. Por, nga ana tjetër njësoj më shtangin në penë të Krujës e për fat të keq negativisht, një sërë konsideratash hipernacionaliste lidhur me sojin e shqiptarëve si racë e zgjedhur dhe të kaluarën e tyre të përndritur; kërkimi i përgjegjësive jashtë vetes dhe qëndrimi ndaj fqinjëve; pikëpamjet rreth rolit të gruas; pragmatizmi dhe struktura etike ku bazohet zgjedhja e aleatëve – të vegjëlit nuk bëkan dot pa u strukur në sqetullën e të mëdhenjve; e më në fund kontrasti mes tij dhe iluminarëve bashkëkohas evropianë përsa i përket fantomës fashisto-naziste që po zaptonte Evropën!

Këmbimi i fotografisë së djallit me atë të shenjtit (por edhe anasjelltas) e thellon edhe më konfuzionin, kur është fjala po për të njejtin publik, mendja e të cilit vjen duke u mpirë e atrofizuar gjithnjë e më fort ngaqë nuk i bën dot ballë magnetit “dolce far niente” të sagave të Big Brother-it, të këshillave të bukurisë, të Kejsit që nderon mëmëdheun kur këndon “Më merr në ëndërr” në Eurovizion, të trikove e këpucëve të Michelle Obamës. Përndryshe, ndjeshmëria e këtij lloj publiku e shumta mund të provokohet po t’i ceket nervi skënderbejan. Në të vërtetë stuhia emocionale që shungulloi libri Skënderbeu i O. J. Schmitt-it përkthyer nga A. Klosi, i cili njësoj ua trazoi shpirtin e ua vuri në punë penat si publicistëve, opinionistëve e studiuesve ashtu edhe lexuesve atdhedashës, as që mund të krahasohet me interesin dhe reagimin që ka prodhuar sjellja e M. Krujës në faqet e shtypit. Kësisoj, një histori si e Skënderbeut të Krujës, me këmbët më fort në përrallë sesa në realitet, është më intriguese dhe pas gjase i okupon më shumë mendjet shqiptare sesa një figurë më pranë kohëve moderne, më aktuale për nga kumtet që mbart dhe më e eksplorueshme sa i takon informacionit sikurse ajo e Mustafait të Krujës.

Tek e fundit një portret jemi në gjendje ta “shohim” në atë masë që jemi në gjendje ta “lexojmë” dhe “interpretojmë”. Nëse vërtet jemi të interesuar t’u lëshojmë dritë territoreve sekrete ose ende të padëshifrueshme në pikturë të memories, sidomos atyre zonave që qenë manipuluar posaçërisht prej telajove totalitariane ose fshirë e zhgarravitur pa mëshirë me bojë të kuqe ideologjike, nëse përnjimend aspirojmë t’u qasemi përgjigjeve që kërkojnë pyetjet munduese “Cilët jemi? Nga vijmë? Ku shkojmë?” lypet më shumë vullnet për t’a vështruar veten përgjatë gjithë spektrit të ngjyrave të sjelljes përtej sistemit binar bardhë-e-zi.

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: