Skip to content

Zgjedhje dhe Zvjerdhje (I)

August 6, 2009

Albrecht Durer - Betrayal of Christ, from The Engraved Passion, 1508

A. Durer - Betrayal of Christ

Përgatitjet për zgjedhjet politike të 2009 i kam ndjekur me aq sa kam mundur, pothuaj rregullisht, qysh rreth dy vite të shkuara e në vijim. Informimi im ka qenë tërësisht virtual, i dikujt qe e ka lenë Shqipërinë 14 vjet më parë e nuk e ka shkelur që prej më shumë se një dekade. Kam qenë e jam e ndërgjegjshme se si i tillë ky informim ka qenë i mangët e i paplotë, por vetëm tani që zgjedhjet kanë mbaruar shoh sesa të pasakta i kam patur parashikimet e sidomos gjykimet ku i pata mbështetur. Farat e para të dyshimit, por që gjithsesi s’desha t’i përfill fort, zunë të më turbullonin kur para nja dy muajsh pata rastin të njihem me mendimet për situatën para-zgjedhore të dy individëve nga Shqipëria.

E para, me natyrë prej pragmatisteje virtuoze, pasi ma bëri të qartë se ishte absolutisht indiferente, shprehu mendimin se pavarëshit nga kjo, besonte se do të fitonte PD-ja. Kur e pyeta se përse mendonte kështu, u shpreh se Edi Rama “vërtet ia ka marrë dorën e flet bukur në TV”, porse personi që shfaqet ne media s’ka asgjë të përbashkët me personin jashtë mediave. E përshkroi Ramën si arrogant dhe të pasjellshëm me popull e kolegë – sfacciato është fjala e preferuar e saj. Mendonte se ai vetë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë vetëm “ishin të zot për fjalë”. Në fund diskutimin e mbylli duke thënë se, pavarësisht se cila palë do të fitonte, ajo hellin e saj e kishte në zjarr mirë e bukur, sepse kish njëlloj perspektiva të mira pune falë njohjeve në të dy krahët.

Personi i dytë, pas një pune disavjeçare për llogari të një OJQ-je në Tiranë, ka imigruar rishtazi në një vend perëndimor. Dikur, para dhe gjatë studimeve tona në ShBA, shpesh bisedonim për çështjet e ditës në Shqipëri dhe prandaj isha kureshtare të dija se ç’mendonte pas kaq vitesh për të sotmen, sidomos edhe sepse ndryshe nga unë ish kthyer në Shqipëri (joshur nga mundësi profesionale) dhe kish jetuar e punuar atje gjatë viteve të fundit. U çudita shumë që e gjeta aq fort të çinteresuar për aspekte të tilla “pa bukë” sikurse “aktualiteti politik dhe ekonomik i Shqipërisë”. Edhe mikja e dytë njësoj si e para më shprehu bindjen se PD-ja do të ishte fituesja e zgjedhjeve. Kur e pyeta se përse mendonte kështu më dha atë përgjigje që tashmë e kisha dëgjuar: “Kanë vetëm fjalë të bukura. Asgjë tjetër. Jemi ngopur!”. Kur më pyeti mua se ç’mendoja, i thashe se kisha përshypjen që do të fitonte PS-ja, për arsye se nuk besoja që një popull i tronditur nga Gërdeci, i zhgënjyer nga Rrëshen-Kalimashi, i neveritur nga historitë e vërteta ose jo të korrupsionit të familjes Berisha (që i kujtonin Nanon e 2005-s) , i lodhur nga varfëria, shërbimi i mjerueshëm shëndetësor e nga arsimi i shkatërruar do të donte t’i jepte mundësi tjetër qeverisë ekzistuese. Në të vërtetë, Nano dhe e majta a nuk ishin përmbysur në 2005 për të njejtat arsye? Pastaj, më dukej se të majtët e 2009-s kishin punuar seriozisht e se e shihja pozitivisht përpjekjen e tyre për të bërë një diagnostikim të krejt Shqipërisë në lëngim. Dalloj ndryshim të gjuhës dhe ligjërimit e një frymëmarrje të re energjike – gjithnjë shenja të mira, vura në dukje. Edhe disa ide për arsimin dhe ekonominë më duken vërtet të mbara. Tek e fundit, shtova, nuk kam parë ende asnjë alterantivë kompetitive ose superiore prej palëve të tjera. Më vështroi si të isha vizitore e porsambërritur në Tokë edhe ma priti: “Llafe, vetëm llafe e makijazh i bukur – asgjë tjetër!”.

Mendimet e bashkëbiseduesve megjithatë nuk m’i trandën edhe aq parashikimet. I shpërfilla duke besuar me trishtim se kisha folur me njerëz krejt indiferentë, të përqëndruar në paga e honorare kontraktuesish (që ndoshta as që e morën mundimin të votojnë), mendimet e të cilëve nuk kishin të përbashkëta me votuesit tipikë e të interesuar përnjimend, me ata votues të cilët votën e trajtojnë me seriozitetin qe meriton, sepse janë të ndërgjegjshëm se fatet e vendit ku jetojnë varen në masë të madhe nga mënyra sesi ata sillen me votën.

Mirëpo, rezultatet pas 28 qershorit, që më pas i përktheva si mosbesim të skajshëm të votuesve, pak m’i pati rrokur mendja. Nuk po i hyj aspak aspektit teknik dhe mekanizmit të votimit, të metat dhe dobësitë e të cilit qenë parashikuar e kritikuar kah herë prej disa syresh, midis të cilëve më bie ndër mend Artan Fuga. As po përmend marketingun e poll-ve të dendura dhe ndikimin psikologjik, as kohëzgjatjen tragji-komike të numërimit të votave. Por më bëri përshtypje të thellë fakti që u duk kthjelltazi qysh në fillim se vota, në ndryshim nga herë të tjera, në të vërtetë nuk iu dha kujt. Elektorati besim-copëtuar, nuk mundi të shihte tjetër veçse moçalin ku kish ngecur edhe tregoi aq dëshpërim e pasivitet sa edhe individi në depresion të thellë, që nuk do e as nuk mundet më të çohet prej shtrati. As kënga e gëzueshme “Çohu” à la “gju më gju me popullin”, s’ia doli t’ia çonte dot shpirtin ose votën në kutinë e duhur shqiptarit të depresionuar, as seancat e përditshme të konferencave dramatike e fjalëzgjedhura të zëdhënësve. E natyrisht në rrethana të tilla, fjalët e bukura i merr era edhe i vjen radha tryezës së trambave e matrapazëve. E doemos do të ketë krushqi Meta-Berisha, ashtu si do të ketë doemos edhe shpërndarje të pushtetit si thelat e byrekut.

Nga ana jetër nuk mund të them se te socialistët nuk vija re gjëra irrituese, fund e krye demagogjike ose bullshit (profka). Po përmend disa syresh:

E para ishte e shumëpërflura “përtej së majtës e përtej së djathtës”, – një hipokrizi qe u duhej kursyer shqiptarëve… Në fakt për ironi kjo thënie të shpie te pyetja “A ka parti të majtë në Shqipëri?”, pyetje së cilës me sa duket i përket përgjigjja: “Jo, nuk ka patur e as nuk ka!” As partia e Ramës (i cili “është thjesht qytetar, jo politikan”), as partia e Metës, që transvestizmin ose kapërcimin pragmatik nga e majta në të djathtë (me siguri edhe anasjelltas) s’e ka për gjë. Për të mos përmendur pastaj frazat kitsch të ndryshimit, të importuara drejtpërdrejt prej fushatës së Obamës.

E dyta ishte përdorimi i S. Berishës dhe familjes së tij si sinonim i krejt të djathtës dhe së keqes politiko-ekonomike. Siç e ka vënë re shumëkush, vizatimi i fushatës si dyshek mundjeje midis Ramës dhe Berishës, natyrisht nuk mund t’i shërbente mirë kauzës socialiste – madje me gjasa ka ndikur që votuesve t’u rritej mosbesimi e pavendosmëria ndaj palëve, ose më saktë ndaj së majtës – dëshmi tjetër kjo se nuk bëhej fjalë për konkurrencë të ndershme që qendërzohej në parime e jo në individë, sado legjendarë a karizmatikë qofshin.

E treta, paaftësia për të krijuar aleanca e partneritete e për t’u mbështetur në to; për të përfshirë e tërhequr pas vetes njerëz me përvojë politike; për të vendosur e përshëndoshur marrëdhëniet të vjetër-të rinj, e jo për të përjashtuar, larguar e krijuar pakënaqësi — mentaliteti ynë binar, sëmundja e trashëgueshme dhe e pakurueshme “o me mua, o kundër meje” e prijsave arbnorë.

E katërta, bashkia ndofta ka bërë gjëra të lavdërueshme përsa i përket paraqitjes dhe makijazhit të fytyrës e kurmit të Tiranës, por shumëkush e përflet me ose pa të drejtë edhe si çerdhe ku lëvrin e majmet krimbi i korrupsionit. Fakti që Rama e bëri të qartë se në rast fitoreje nuk do te rreshtte së drejtuari bashkinë, gjithashtu nuk qe ndihmues, siç nuk qe as vendimi për të mos marrë pjesë si deputet në kuvend.

E pesta, valëvitja e programit gjigant prej 1,000 faqesh vetëm pak përpara datës vendimtare. Përse aq vonë e përse aq shumë faqe? Frikë se edhe kundërshtari do të valëviste të njejtin program – sepse e majta dhe e djathta s’janë veçse sinonime? Sepse drejtuesit e partisë nuk merreshin vesh me njeri-tjetrin për objektivat, prioritetet, dhe procedurat? Që të mos guxonte njeri ta lexonte edhe sikur të donte, thjesht sepse s’mjaftonte koha për t’ia nxjerrë fundin, sidomos tani që gjeneratat e FaceBook-ut e Twitter-it (të cilëve ia kanë marrë dorën sidomos politikanët përvojëgjatë e hijerëndë) s’kanë takat më shumë se të shkëmbejnë poza e vendndodhje me qindra e mijëra poza e vendndodhje të tjera? Sepse njerëzit nuk kanë më tru e durim të mjaftë për të lexuar? Që njerëzit të mbeteshin në terr të konfuzionit? Sepse në vend të programit, elektoratit i mjaftonin seancat disa-minutëshe të konferencave shkëlqimtare të kudogjendura të shtypit? Apo programi ishte i panevojshëm për një popull që reagon vetëm emocionalisht edhe nuk ka për të mësuar dot t’i mbështesë vendimet mbi arsyetime të matura?

Me të drejtë tani ndokush kërkon t’i kthejë 1,000 faqet proverbiale në objekt humori – Vallë ishin plot, apo ishin bosh? Nëse për Ramën thuhet se ka ditur t’i vjelë mirë mediat (28 qershori e koha në vijim provojnë të kundërtën), është për të ardhur keq që mediat nuk i futi në punë për atë që kish peshë më shumë: për t’ua përcjellë programin që do të diferenconte në mënyrë sipërore partine e tij prej partive të tjera, e për të fituar besimin e elektoratit. (vijon)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: