Skip to content

Zgjedhje dhe Zvjerdhje (II)

August 6, 2009

Tani që kjo garë e ethshme përfundoi, natyrisht që kritikat e vlerësimet për humbësit edhe e sidomos nga humbësit vetë nuk mungojnë. Po si është e mundur që eksponentë të lartë të Partisë Socialiste dalin e thonë tani se nuk ishin në dijeni të programit? Ja ç’thotë B. Blushi te “Humbja, Faji i Edi Ramës” botuar te Balkanweb:

Ne nuk i dhamë shqiptarëve asnjë premtim, sepse nuk i dhamë asnjë program. Dhe, në ketë pikë nuk bëmë dot diferencën me Partinë Demokratike dhe të djathtën. Dikush thotë se në kishim një program me 1000 faqe, por unë duhet të pohoj sot se nuk kam parë asnjë faqe të këtij programi. Aq më pak shqiptarët nuk kuptuan dot se çfarë do bëjmë ne për ekonominë, çfarë do bëjmë për taksat, si do ta ulim papunësinë, si do shpërndajmë të ardhurat e këtij vendi, ku do investojmë, si do i bëjmë më të lira dhe me cilësore shërbimet nga arsimi deri tek shëndetësia dhe të tjera. Edhe nëse thamë diçka, ato ishin aq të përgjithshme, dhe për ketë arsye mbetën po aq të paqarta, dhe prandaj nuk bënë dot diferencën që prisnim në vota (theksimi është imi).

Kurse Vladimir Karaj në shkrimin “Mashtrimi i madh me programin 1 mijë faqësh” te Gazeta Standard shprehet:

Ermira Danaj, koordinatore e gruas në PS, tha për “standard” se ajo i ka dorëzuar Ramës 30 faqe dokument të pjesës së programit që kishte të bënte me gratë. Disa herë Rama u është referuar premtimeve për gratë në konferenca për shtyp, por Danaj thotë se nuk e di çfarë u bë me dokumentin e saj dhe se me programin e partisë si të plotë “nuk është njohur” (theksimi është imi).

Po Ermira Danaj në një intervistë te Gazeta Standard shprehet:

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste u paraqit si një parti pa identitet politik, si një parti përtej të majtës e të djathtës, me përfaqësues të saj, të cilët pa asnjë lloj ndrojtjeje shpreheshin se nuk ishin socialistë, por i përkisnin një projekti që nuk dihej se ç’projekt ishte, i majtë, i djathtë, apo bosh. Çfarë politikash do të mbrojnë nesër në Parlament këta përfaqësues nëse vetë nuk i përkasin bindjeve të majta? Apo do votojnë sipas interesave personale, të çastit, sipas urdhrit ose thjesht kundër Berishës?

Thënë mirë e bukur. Si mund të kundërshtohet një llogjikë e tillë? Mirëpo, me ç’kam parë e lexuar (korrigjomëni po të gaboj, ju lutem) nuk më rezulton që ndonjë prej kritikuesve të sotëm të ketë treguar se i kish ngritur këto çështje, se kish shprehur shqetësim për parimet e vlerat e nëpërkëmbura, se e kish kundërshtuar këtë mendësi bash në tryezë të punës e se kish paraqitur e shtjelluar të tjera pikëpamje përpara 28 qershorit.

Vetë nuk e njoh, e ndofta Rama është siç ma pershkruan koleget sfacciato dhe i padurueshëm në prepotencën e vet, gje që nuk më intereson ta di. Por megjithatë verejtje të tilla sfiduese prej të brendëshmish, që qyrkun e fajit duan t’ua veshin pa te keq të tjerëve e vetë të lajnë duart shpejt e shpejt, s’më duket se flasin aq shumë për Ramën sesa për bashkëpunëtorët e tij.

Unë e kuptoj se do të ketë pasur konflikte e mosmarrëveshje të brendshme, mirëpo këto mendoj se janë të pranueshme e të besueshme (madje të frytshme), kur kanë të bëjnë me probleme të veçanta e detaje specifike. Për fat të keq, faqja elektronike e PS nuk gjendet më në planetin e Internetit, sepse përndryshe besoj se do të kisha mundur të gjeja e sillja këtu shembuj aspiratash, premtimesh e objektivash. Por megjithatë, ata që i bien hasha me një të rënë të lapsit programit (program i cili me siguri që do të ketë plot gjëra për të kritikuar), që të më duken të besueshëm e dinjitozë sot, do të kisha dashur t’i dëgjoja të bënin “verejtje të ngrënshme”. Po guxoj të jap disa shembuj të thjeshtë sa për të treguar se ç’kam parasysh kur them verejtje të ngrënshme:

  • Une besoj se objektivi B nuk ka shumë peshë për momentin. Mendoj ta zëvendesojmë me objektivin D që duket më i rëndësishëm, me impakt më të madh në cilësinë e shërbimit mjekësor për gjithë popullatën e veçanërisht për pensionistët e shtresat më pak të privilegjuara, e me gjasa më të mira për t’u përmbushur brenda afatit të caktuar”; ose

  • Nuk me duket se ka gjasa të realizojmë objektivin E në masën dhe afatin e sugjeruar – mendoj ta ndryshojmë masën nga 35% ne 20% dhe ta zgjasim afatin nga 1,5 ne 2 vite”; ose

  • Jam dakord se duhet patjetër të përmbushim objektivin C, por kam bindjen se nuk është rruga X3Y5 më e mira për t’u ndjekur. Besoj se rruga Y4Z0 është më e sigurtë dhe e arsyeshme, pavarësisht se duket më e gjatë. Arsyet jane: 1, 2, 3,… n.

  • Mirëpo në vend që të bëhet fjalë për detaje, flitet për programin në tërësi si të ishte fund e krye paçavure për t’u flakur në kosh (madje i palexuar). Ndoshta edhe duhej flakur, se doemos as vetë s’i kam parë 1,000 faqet. Po, si kështu? Ata që i kërkojnë sot llogari Ramës e madje dorëheqje, mos e paskan pritur 28 qershorin si grigjë e urtë përreth bariut Rama, duke u lutur “Ati ynë Qiellor, bëje 28 qershorin ditën tonë të triumfit!” duke sakrifikuar për hir të unanimitetit e solidaritetit? Sepse unanimiteti e solidariteti paskan qenë më të rëndësishëm se parimet? Po tani në ditë të vështira nuk paska më nevojë për solidaritet? Mos Rama e ka formuluar programin, pa lënë kënd t’i afrohet? Po së paku, a nuk mund të sugjeronin këta njerëz me mprehtësi, kurajë e sqimë të madhe që programi të ishte 500 e jo 1,000 faqe, 250 e jo 500 faqe e kështu me radhë?

    Nëse programi paska qenë sekret edhe për partinë vetë ose edhe më keq as që paska ekzistuar, atëhere si është e mundur që këta njerëz s’paskan pipëtirë deri para 28 qershorit dhe e paskan bërë gjumin të paqtë e të embël, ose kane vijuar me planet e tyre për botime e promovime librash? Sepse, kokë a pilë, po të fitojë e majta çdo gjë në rregull, e po të mos fitojë atëhere “Ramë Zoti të ruajtë!” – gati rezolutat e platformat përmbysëse?

    Nuk dëgjoj kënd të rrëfejë se ç’shqetësime ka ngritur ndër kolegë e tryeza vendim-marrëse kur hekuri ka qenë i nxehtë e ka patur kohën për t’u rrahur, apo ç’propozime alternative e më të mira ka ofruar kur ka vënë re çalime, sepse me duket për të qeshur të them “kur ka konstatuar mungesë” të programit ose parashtrim aq të përgjithshëm e jo konkret saqë praktikisht zëre se s’ka patur mesazh për të kumtuar.

    Të duket se Partisë Socialiste s’po i mbetet rrobë e palarë pa i dalë në mejdan. E përçarë dhe e gjakosur në prita e beteja prijsash tejendanë – cikli i pandalshëm përgjatë historisë së bijve të shqipes. Edhe kur rezervuari i besimit shterret, është e vështirë të rimbushet, e sikurse marrëdhëniet e shprishura njerëzore rëndom dëshmojnë, për ta rikrijuar rezervuarin zakonisht lipsen pikënisje të reja me njerëz të rinj. Përndryshe rreziku i rregjimit “alla Putin” ose rreziku i përqëndrimit të pushtetit rreth një dore të vetme me opozitë që mezi mbahet në këmbë për shkak të andrallave të brendshme, për të cilin me të drejtë paralajmëron F. Lubonja, më duket tejet kërcënues për demokracinë anoreksike shqiptare.

    No comments yet

    Leave a Reply

    Fill in your details below or click an icon to log in:

    WordPress.com Logo

    You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

    Twitter picture

    You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

    Facebook photo

    You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

    Google+ photo

    You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

    Connecting to %s

    %d bloggers like this: