Skip to content

Pak Tolerancë Zero

December 8, 2009

Konferenca për shtyp që kryeministri Berisha mbajti më 2 dhjetor 2009, sikurse edhe herë të tjera, karakterizohej nga një sërë inkoherencash, të cilat tani po bëhen proverbiale. Këtu do të ndalem te përgjigjia e njërës prej pyetjeve që i drejtuan. Po paraqes më poshtë transkriptimin që gjeta te gazeta Shekulli:

Pyetje: Me faktet që keni publikuar sot, me sa duket kriza politike do të vazhdojë të ashpërsohet dhe opozita do të vazhdojë të qëndrojë jashtë parlamentit. A do të keni ju një mënyrë për ta sjellë opozitën në parlament? (Theksimi është imi.)

Përgjigje: Nuk ekziston krizë politike. Kriza është kriza e mafies. Krizë politike ekziston në grupin mafioz, ekziston në PS e cila mbahet peng e kësaj kupole. Për çfarë krize politike bëni fjalë kur për Shqipërinë janë marrë vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme, pas këtyre zgjedhjeve? Mendoni ju se këto vendime do të merreshin, nëse do të kishte krizë në vend? A u morën këto vendime duke mos qenë opozita në parlament? Nuk ka asnjë lëshim ndaj mafies. Zero tolerancë ndaj mafies. Perandoria e saj do të ketë fatin që patën bandat. Mandati i parë ishte mandati i asgjësimit të bandave, mandati i dytë është mandati i asgjësimit të klaneve mafioze. Ky është zotimi imi me i madhi para shqiptarëve. (Theksimi është imi.)

Ditët e fundit, kupola punisto-mafioze, me kryetarin e saj Edi Rama, tek klubi i Fidelit, deklaroi se “nuk ka duhen të huajt”. Kjo është dëshmia më e qartë se ky grup, kjo kupolë ka vetëm interesa mafioze. Dërgoi ditëzinë me raporte, poshtë e përpjetë. Asgjë. Interesat e tyre nuk janë as vizat, as integrimi, as kutitë. Janë këto dosje, janë pronat e grabitura e plaçkitur shqiptarëve.

Unë e kam theksuar dhe e theksoj se për këto, nuk do të ketë njeri tjetër përgjegjës në Shqipëri përveç se Edi Ramës. Ai të jetë i bindur se përgjigjja do të jetë jashtëzakonisht e merituar. A e dini ju teorinë e tij të fundit? Revolucioni dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron. Por le ta provojë. Ne do të qëndrojmë fuqishëm.

Me shqipen pak të keqtrajtuar në fjalinë që paraprin pyetjen nuk po merrem. Por më duket se ka vend që pyetjen ta formuloj pak më shqeto e disi më modestisht: “Në ç’mënyrë do ta sillni opozitën në parlament?” E bëj këtë sepse, në fund të fundit, pyetjes pompoze “A do të keni ju një mënyrë për ta sjellë opozitën në parlament?”, si të vinte drejt e nga ndonjë përkthim i pluhurosur i shekullit të 18-të, mund t’i përgjigjesh fare mirë: “Po, shpresoj të kem një mënyrë, e kur ta kem do t’ju njoftoj me siguri, i/e dashur. Po ju a do të keni gjë në plan të më intervistoni atëhere?” ose “Jo, nuk do të kem, jo hë për hë. Falemnderit shumë e gazetari të mbarë!” Por, le t’i lemë këtu shakatë, sepse këto nuk sosin kur është fjala për intervista.

Pak ironike e pak komike që pyetja merr po kaq pak, në mos aspak përgjigje – të tillë sikur të ishte duke u trajtuar po me atë tolerancë zero, me të cilën Berisha rreket të na mbushë mendjen se do të asgjësojë krimin. Tolerancë zero ndaj krimit? Po si kështu? Kur ndonjëherë ka qenë një gjë e tillë e mundur që të jetë tani? Tani, kur një sërë çështjesh shkojnë në gjykatë e ngecin rrugës kacavarë rrjetave të merimangave? Kur tavanet e shkollave, spitaleve e tuneleve shemben si lodra me kuba? Tani kur Rrëshen-Kalimashi është i freskët, sepse Gërdeci sikur po vjetërohet?

Ta marr pak më ngadalë. Cili është ai vend që mund të krenohet se zbaton tolerancë zero ndaj krimit dhe thyerjes se ligjeve e rregullave shoqërore? A është vallë e mundur një gjë e tillë? Le të marrim Amerikën Veriore prej ku i ka fillesat ky koncept, pak sepse kjo sikur preferohet e konsiderohet superiore ndaj Evropës, e pak sepse kjo “s’të fal hiç për punë sundimi të ligjit në fushë të ekonomisë e biznesit koorporativ”. A mund të krenohen Shtetet e Bashkuara, madje edhe Kanadaja, për zbatim të efektshëm të tolerancës zero? Natyrisht, jo! Jo me Enronin, as me Arthur Andersen, sa për t’u shtyrë pak në të kaluarën. Kurrë natyrisht as me drejtuesit ekzekutivë të perandorisë së perënduar të Wall Street-it. Kaq mjafton besoj për mafian e përtej oqeanit. Sa për mafian shqiptare, nuk e di se si e kur ka ndër mend ta aplikojë Berisha metodën e tolerancës zero, ose përndryshe siç e thotë vetë solemnisht, të shkuljes me darë të dhëmbëve e dhëmballëve me gjithë nofull bashkë. E kam më kollaj t’i shoh këto premtime të çveshura nga kuptimi metaforik, ose ad litteram, ose më saktë pak si video e nofullës së kundërshtarit politik në coptim e sipër.

Ku tjetër toleranca zero është zbatuar e ka dhënë rezultat? Në New York-un e “tolerancës zero të dritareve të thyera” – teoria e praktika që i dha famën Rudy Giuliani-it gjatë viteve 90-të, sipas së cilës, një vitrinë e thyer duhej riparuar sakaq për t’i bindur kështu keqbërësit e rrugaçët njujorkezë se shteti kish “gjithçka nën kontroll duke zbatuar ‘tolerancën zero’ ndaj çdo vandalizmi”? Natyrisht, jo! Përqindjet e krimeve siç ranë në New York, ranë edhe gjetiu në Amerikë, madje edhe në Kanada. Arsyet janë disa, e midis tyre ndoshta edhe teza e Levitt & Dubner qe e shpjegon zvogëlimin e numrit të kriminelëve të lindur në fillim të viteve 70-të me miratimin e ligjit të abortit. Më pak bebe nga nënat pa burra e me të ardhura modeste në vitet 70-të, e më pak keqbërës e kriminelë të mundshëm në vitet 90-të.

Në ç’fushë tjetër? A ka dhënë ndonjë rezultat në trajtimin e thyerjes së disiplinës në shkolla? Prap më duhet të them pak, në mos aspak. Madje mund të ketë prishur më tepër se ka ndrequr punë, sepse vetëm ka kontribuar në përshkallëzimin e paranojave, shtimin e kamerave në korridore e nevojtore, ndëshkimeve jo-proporcionale, trajtimin shpesh të rëndë e të pamerituar të gabimeve triviale (sikurse sjellja e thikave të vogla posaçërisht të destinuara për ngrënie vaktesh të thjeshta gjatë pushimeve midis seancave mësimore), shpenzimeve kolosale të survejimit në vend të shpenzimeve që synojnë cilësi më të mirë të programeve mësimore, të nxënies së dijes, të ri-krijimit të energjive mendore e fizike, të aktiviteteve kulturore e artistike.

Toleranca zero, ka sjellë në këto vende edhe pasojën e dëmshme, shpesh të shpërnjohur, e ndoshta më të rëndësishmen nga të gjitha – të zbatimit mekanik të ligjeve e normave ose përndryshe të mendjes dembele e të varur nga skriptimi, të mungesës së gjykimit kritik, imagjinatës dhe empatisë. Pikërisht defekte si këto kanë qenë të lidhura me disa nga periudhat më të errta e të freskëta të historisë jo më të largët se shekulli i kaluar – sikurse fashizmi e nazizmi.

Për këto arsye e të tjera që unë s’i përmenda, sot janë specialistët e ligjeve vetë që po kritikojnë filozofinë e mbrapshtë të tolerancës zero në Amerikën Veriore. Por Berisha me siguri bën pak shaka e s’është për t’u marrë seriozisht kur në mënyrë estradeske e importon këtë koncept tashmë të diskredituar në një vend ku ligji është i fundit që sajdiset – e që akoma pas dy dekadave në tranzicion është pak bonjak e pret të përfillet. Ose, përndryshe toleranca zero duket se i shkon fare mirë mendësisë tonë të djeshme e të sotme, “sy për sy, dhëmb për dhëmb”. As më pak as më shumë!

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: