Skip to content

Letër në Dhjetor

December 21, 2009

 

Të dashur P. dhe A.,

Vitet në Shqipëri më rrëshqisnin ngadalë dhe, si gjithë të vegjëlit e të rinjtë, atëhere s’rreshtja së dëshiruari ritme të shpejta e ngjarje të shpeshta në ngutje të padurimtë për të zbuluar se ç’do të thoshte të ishe e të verproje si të rriturit… Pavarësisht viteve, një zbulim të tillë vijoj ende ta përjetoj si rrugëtim të papërfunduar e besoj të papërfundueshëm. E ndofta prandaj mendja nën yshtjen e kujtesës shpesh kthehet të vështrojë mbrapsht, si dëshirë për të udhëtuar në kah të kundërt, ‘në gjurmim të hieroglifeve ose në hetim të shenjave sa të pavëna re mirë aq edhe të padeshifrueshme ngaqë ndrynin hartat sekrete të së ardhmes ashtu si molusqet perlat’; por ndoshta edhe si dëshirë për ndaljen e pamundur të revanit të së sotmes, ose edhe si mall për t’u transportuar në atë hapësirë kohore e gjeometrike që tani s’mund të ekzistojë më kund përveçse në gjeografinë e kujtesës. Prandaj, si duket, sa më shumë vitet kalojnë, aq më fort mendja ngulmon t’ju shohë njësoj si këtu e më shumë se një a dy dyzina motesh të shkuara.

Në këtë stinë festash dimërore, si film i vjetër e i dashur më shpërfaqen fund-dhjetoret e dikurshme në trajtë padurimi e përjetimi imagjinar të gëzimit më të bukur të vitit, për të mos folur për pushimet e shumëpritura. Por nuk di pse kujtimi i para-festës (gjithnjë më e shndritshme se festa vetë) më fanitet para së gjithash si videoklip ecejakesh plot preokupim e trokitjesh energjike këpucësh mbi pllakat e ballkonit tonë të madh, për t’u shndërruar më pas në hipje-zbritje gazmore shkallësh duke mbajtur mandarinat, portokallat e limonat e sapovjelë prej kopshtit.

Më përhihet si stërvitje fizike me pesha në trajtë stivash të vogla me dru të larë në banja të përsëritura shiu – stiva që më pas duheshin tharë e ruajtur pranë stufës për t’i bërë kështu gati mirë e bukur për natën e ditën e Vitit të Ri. Më përsillet në mend edhe si ndonjë vizitë eskapiste te ju në përpjekje për t’i shpëtuar mërzisë a zbutur irritimin shkaktuar prej tregut të zbrazur, gjë që na shtynte drejt gjithfarë improvizimeve e planeve kulinarike rezervë e pak të preferuara.

E si të mos harroj kur vinim poshtë e zinim vend rreth stufës për një dorë të shpejtë muhabeti, lezetuar me garniturë të lehtë thashethemesh të rastit; për të pirë kafe të mirë e të bluar taze, a për t’u qerasur me pak strudel a kek me arra ruajtur nga dreka e së dielës; ose përndryshe për çaj mali me feta të holla buke të zezë (kore mundësisht) thekur sipër stufës, me gjalp të freskët e djath të bardhë?

Tek më shkojnë të gjitha këto në mendje, kujtesa më grish të shtyhem edhe më herët në vite. A ju qëllon vallë ndonjëherë të kujtoni njësoj si unë, kur na privilegjonit e përkëdhelnit aq shumë ne të vegjëlve, sa na dhuronit majën e majave e të gjitha kënaqësive – ritualin e dashur të karamelizimit në sheqer të arrave në xhezve të kafes, produkt që ish pagëzuar s’di pse me termin aq të dashur, ‘karikanto’? Nderime të tilla të posaçme zakonisht parathonin një tjetër festë mbi festa: ftesën ngazëllyese për të fjetur të gjithë poshtë, për t’u ulur mbi qilimin e dhomës së pritjes e për të ndjekur të mrekulluar projektimin në mur të filmave pa zë bardh-e-zi me anë të aparatit të vjetër rus vendosur mbi karrige, për të lexuar më pas e për t’u shkrirë në gaz me Aventurat e Din Pakut, të Çipolinos, e Ushtarin e Mirë Zhvejk dhe për të bërë gallatë pa kufi, siç dinim vetëm ne.

Por si mund t’i lë pa përmendur edhe zbritjet e paevitueshme të shtunave me peshqirë e ndërresa për të gjetur shpëtim në skaldabanjën tuaj me dru sa herë që uji s’kish presion të mjaftueshëm për t’u ngjitur lart, e sidomos dimrave kur humbnim betejën e pamundur me erën inatçore të Krastës, që kur e merrte seriozisht e kthente skaldabanjën tonë me vajgur në kuçedër që villte flakë e blozë për të na pudrosur e zgjyrosur paq zgavrat e hundës e grykës bashkë! Skaldabanja me dru doemos na shndërrohej kështu në vend të bekuar. Edhe flakët e gëzueshme nën kërcitjen e buashkave erëmira si të mos e kthenin atë banjë të paharrueshme në vend parajsor, aq sa kredhur mendjehumbur në kënaqësinë e avullit e ujit të ngrohtë përmendesha vetëm me trokitjet pas dere, ‘Ke edhe shumë? Mbarove?’. Ashtu, befas kujtohesha se kish edhe të tjerë që prisnin radhën për banjë, e se s’duhej ta kapërceja kufirin e caktuar të harxhimit të ujit, shpesh shënuar me laps mbi bombol, (kufi që unë gjithësesi e tejkaloja pavarësisht qortimeve pa dobi) e as të harroja madje të llogarisja e ruaja ujë të mjaftueshëm për larjen e ndërresave…

Sa përulësisht u ka rezistuar dimrave e mira skaldabanjë e vjetër, lyer me varak! E sa peripeci i është dashur të heqë: ndezje të zorshme zjarri me vajgur të mezigjetur radhave të gjata e shpesh të holluar tinaz me ujë, (ju kujtohen bidonat 6-të e 10-të litërsh rrugës për në shtëpi, ndërsa ndonjë kalimtar pyeste nëse kish mbetur ende vajgur për t’u shitur e nëse ish e gjatë shumë radha e myshterinjve); ndezje torturuese zjarri mbi përsheshin special hi-vajgur, ku shkreptinin pa sukses shkrepëse të pashkrepshme prodhimi të imët; flakë të sajuara me ndihmë fletësh gazetash e lajmesh aksionesh, asgjësimesh, fitoresh, fjalimesh, goditjesh, ngjitjesh, kongresesh, korrjesh-shirjesh, shkrirjesh, marshimesh, planesh, përparimesh, plenumesh, punimesh, prodhimesh, programesh, qëllimesh, qarkullimesh, rrethimesh, shpartallimesh, tufëzimesh, zhvillimesh.

Skaldabanja me dru qe sidomos edhe dëshmitare e pagojë çastesh frike dhe dëshpërimi, e pranverës së 1976-s aq të pafat për ne të gjithë, e panikut prej shumëçkaje reale ose të imagjinuar nën sforcimin e nervave shpënë tejskajeve të tendosjes, dhe kapitjes mendore në përpjekje për superkujdes në sjellje e zgjedhje fjalësh, të cilat kurdo mund të përfundonin fatalisht në veshin e kudogjendur politik. Sytë e kujtesës sot akoma e shohin time ëmë duke shpuar me shtizë hullitë ndarëse midis tullave të mureve a nëpër qoshe e vrima gjithëfarësh në shtëpi, e bindur se ashtu mund të diktonte ose mbase nxirrte jashtë përdorimit ndonjë përgjues të mundshëm. Ishte kohë kur ju të mëdhenjtë vështrimshtangur e supembledhur i rrëfenit njeri-tjetrit duke pëshpëritur për të njohur e miq që me t’ju pikasur këmbenin trotuar e nuk jua kthenin përshëndetjen, për horror-e politike të sapokryera, ose të pritshme me siguri. Ishte kohë kur merrnit në sy mundësinë e uljes në rang profesioni, kur përfytyronit veten në qarkullime kuadri, kur planet e aspiratat për të ardhmen i shihnit të vrara, kur netëve të gjata mendjen jua pushkatonte ideja se mos ish radha juaj për degdisje a përjashtim…

Po në ato vite skaldabanja me dru shërbeu edhe si furrë djegieje librash me zarar dhe vend asgjësimi tekstesh a dokumentash. Pas derës së kyçur të banjës ajo ishte edhe vështruese e heshtur e trishtimit që sillnin andrallat me sekretarë partie (ju kujtohet, herë S. D., herë N. C. a herë V. B.?) të stërvitur për të diktuar efektet morale e politike që gjerësia e devijuar plus-minus e pantallonave prej kadifeje a blue jeans-i mund të ushtronte mbi shpirtrat e mendjet tona të brishta. Qe edhe vrojtuese e dëshpërimit që mbillte ankthi e kalvari i të drejtave të studimit për të vijuar më vonë me të tjera zemërthyerje prej emërimeve në Belsh, Zavalinë, e gjetiu. Por, këto janë copëza kujtimesh që ndoshta nuk e kanë radhën për t’u rrëfyer këtu e as vendin në këtë letër…

Hipje-zbritjet më të bukura ishin ato të mbrëmjes së 31 dhjetorit, më saktë të para-darkës, si të qe përfunduar pastrimi e zbukurimi shembullor i shtëpisë; si të qe kryer shtrimi i hijshëm i tryezës së bukës me mbulesat e picetat prej linoje qëndisur hollë, mbi të cilat rrinte plot elegancë kompleti ‘i mirë’ prej porcelani, që mbante gjelin e famshëm tradicional, sallatat e ujdisura artistikisht dhe byrekun petëhollë me djath e vezë ku fshihej monedha e argjendtë e fatit; edhe natyrisht si të qe stolisur pema modeste e ‘Vitit të Ri’ – siç e quanim atëhere – me lodra e xhingla fanatikisht te ruajtuara enkas për atë datë, grumbullimi i të cilave e kish zanafillën, por njëkohësisht edhe fundin (për shkak të zhdukjes nga tregu) te lindja e femijëve të parë, në fillim të viteve 60-të.

Por, hipje-zbritjet në shkallët prej graniti të kuqërremtë, dikur të shkëlqyeshme e syprinlëmuar, bëheshin sidomos të bukura, kur qëllonte që në atë prag-darke speciale moti befas të zbutej, veshët t’i gëzoheshin ndaljes së beftë të kuisjes së veriut, lëkura e faqeve më në fund të merte frymë e lirë e prehej në paqe pa fshikullimën prej hislle ndëshkuese të erës zemërake, ajri të pastrohej e të kundërmonte portokall të sapokëputur, hëna e artë të zinte vend sipër kopshtit si fetë gjigante limoni, e yjet prej territ blu të përshkënditnin shend festiv. Ky çast shpesh përkonte me mesin e natës, kohë kur mblidheshim të gjithë tok për të çukitur gotat e verës e për t’i uruar njeri-tjetrit mbarësi.

Ju uroj edhe unë si atëhere edhe me mall Gëzuar Vitin e Ri!

3 Comments leave one →
  1. andrew permalink
    January 12, 2010 2:05 pm

    Ju faleminderit Regetime! Per disa caste u njehesova me pasazhet e mrekullueshme te “rrefimit” tuaj. U mallengjeva, sinqerisht qe u impresionova nga “requiem-i i viteve te pafajsise infantile” tek te cilat gjej shume, shume ngjajshmerira me te miat. Por cuditerisht ato i mbajme te fashitura diku thelle ne honet e erreta te kujteses ne heshtje te zymte, mjegullonjese te pavetdijshme… Deri sa nje ze i shndretshem, i ngrohet e i dhimbsur si i juaji, papritur i “ndricon”i ben te peshperisin, te flasin e te na qortojne per paudhesine naive te harreses e ndofta te braktisjes… Nuk e di por sonte me cuat diku larg ne preherin e nje muzgu te kalter me pikellim henor mbi strehez, tek stoli i vjeter me trendafilet e nenes se ndjere, atje ku shume here u ulem per te festuar, per te biseduar e per tu dashuruar fshehtazi… Tek ai kend i ndricuar me mijra yje te zbehte, me dhjetra urime, buzeqeshje, puthje e dashuri te dlira, idilike, pafundesisht te lumtura… Te faleminderit Regetime!!!

  2. miranda permalink
    October 14, 2010 11:24 pm

    Fund Nentori 76. Vjeshte – “bitter time”! Era e Krastes brenda nje nate kthen ne gri qytetin e trembur nga lufta e klases. Shpesh jam perpjekur te hedh ne leter kohen, ngjyrat, ndjesine…, por elokuenca poetike, tingujt e fjaleve, vallezimi i gjetheve me kane munguar – ate e arritet ju.

  3. Lyss permalink
    December 26, 2010 12:49 am

    Po perpiqem te gjej, seleksionoj e lexoj copa kujtimesh te Vitit te Ri para ’90 -es.Interesohem te di si perceptohet ajo kohe,çfare i shtyn disa te ngaterrojne momentet unike te jetes me atmosferen politike e sociale, ti marin njera per tjetren Pa dyshim qe ajo ç’ka gjeta ketu eshte nga gjerat me te bukura qe ndesha. Urime e faleminderit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: