Skip to content

Kur arbërori thotë: Nënë, jam gay! (I)

March 22, 2010

Lavjerrësi i diskutimit mbi homoseksualizmin, që mori shkas nga rrëfimi publik i orientimit seksual të qytetarit KÇ në Big Brother, siç mund të pritej prej shumëkujt, lëkundet midis skajesh që i ndan një hark i gjerë. Në njerin skaj janë fiksuar sidomos aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët për nga gjuha që përdorin duket se i drejtohen një publiku imagjinar, si të ish importuar drejt e prej një tjetër shkallareje vlerash kulturore dhe ideologjike, madje prej shkallësh të sipërme të saj (ku duket se ia dalin mbanë të udhëheqin gjindjen arsyeja, mirinformimi, toleranca e moderimi), nën të cilat mungojnë një sërë shkallësh të poshtme (ku sundojnë e bëjnë hyqëm paragjykimi, urrejtja, racizmi, provincializmi, kombëtarizmi i sëmurë, mungesa e informimit, e primitivizmi).

Në skajin tjetër gjendet publiku i liqejve të komenteve, i cili më shumë sesa flet me gjuhën luftarake e agresive të mospranimit, duket se flitet prej gjuhës së konfuzionit dhe hutimit përpara një tabuje pak të rrokshme. Një gjuhë e tillë zbulon gollomesh sa papërgatitjen kulturore aq edhe e sidomos mungesën e informacionit a lëndës edukuese të nevojshme për të përtypur pranimin publik të gay-izmit, i cili duke u prezantuar përmes formatit televiziv karnavalesk Big Brother, shpërfaqet më fort si marifet cirku për të mbajtur frymën pezull e për të cytur emocione, sesa një fenomen që lyp këqyrje serioze e peshim vetëdijesues që mund të shërbejë për edukim e ndryshim të sjelljeve e qëndrimeve.

Më bëri përshtypje, midis të tjerash intervista e Kristi Pinderit, që prezantohet si aktivist i të drejtave të njeriut dhe një nga mbuluesit e Lëvizjes për Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët dhe Transgjinorët (LGBT), dhënë Shekullit më 20 mars 2010. Dua të ndalem së pari te titulli i intervistës: “Homoseksualët, drejtues në politikë, drejtësi e media”.

Sikurse ndodh rëndom në shtypin shqiptar, titujt pak lidhen në mos aspak me përmbajtjen e shkrimit. Nuk munden autorët ose redaktorët t’i gjejnë artikujve një titull përshkrues, që si të thuash të luajë rolin e një fotografie në miniaturë të shkrimit? Natyrisht që munden. Një arsye, me ç’kuptohet, thjesht ka të bëjë me zgjedhjen e qëllimshme të një detaji pikant, shpesh të nxjerrë jashtë kontekstit, paçka se mund të lidhet përciptazi ose aspak me çka përbën boshtin e shkrimit. Ky detaj vendoset pastaj në mënyrë të mirëllogaritur në krye të tekstit si grep për të futur në rrjet myshterinjtë, që ndoshta duke lundruar me indiferencë do të kthenin faqen në kërkim të titujve më tërheqës, po ashtu siç do të vepronin fjala vjen para rafteve të tregtores për të zgjedhur letrën higjienike në varësi të shkallës së grishjes që sugjeron etiketa ose mënyra e ambalazhimit. Gazetarët në këtë rast veprojnë si psikologë marketingu, puna e të cilëve është të gjejnë marifetet që shtien në rrjet të blerjes konsumatorët, të cilët përndryshe nuk e përfillin mallin e kështu përfundojnë në rrjeta të tjera. Titulli ose karremi i intervistës në fjalë duket se është zgjedhur pjesërisht për këtë arsye.

Një arsye tjetër lidhet doemos me misionin e Pinderit si aktivist i të drejtave të njeriut e minoritetet LGBT. Në shtjellimet e veta gjatë intervistës, Pinderi, i rreshton homoseksualët ndër shqiptarë si artistë, gazetarë, gjykatës, prokurorë, doktorë, mësues, pedagogë, drejtues e drejtuese shkencore, bizensmenë e politikanë, e kështu me radhë. Ka mundësi të ketë prej tyre homoseksualë, si kudo nëpër botë. Kush mund të thotë se jo? Vetë, më vinë ndër mend njerëz që në Shqipërinë e viteve 80 i kam njohur ose pandehur si homoseksualë, midis të cilëve një edukator, të cilin e admiroja si pedagog të talentuar, intelektual shijehollë, e mendje të kultivuar. Ashtu sikurse dëgjoja thashetheme për poete lezbike, ose gra të shoqërisë së lartë atëbotë që frekuentonin të dashura. Mirëpo ndryshe është të thuash “Homoseksualët janë drejtues në shkencë, art e politikë” – çka nënkupton shumicë, e ndryshe të thuash “Ka edhe homoseksualë midis atyre që drejtojnë në shkencë, drejtësi e politikë” – çka nënkupton, disa, ndonjë ose pakicë.

Më duket se Pinderi ekzagjëron me tepri të tillë propagandistike, që më shtyn të pyes: Po si mund të thuhet që homoseksualet qenkan drejtues në politikë drejtësi e media, kur llogaritjet statistikore për ata që deklarohen të tillë gjatë regjistrimeve të popullsisë nuk kalojnë 1-2% të popullsisë (edhe pse shifrat e sakta është e veshtirë të dihen, edhe teorikisht në total nuk mendohet të ketë më shumë 1 në 10 ose 1 në 20)? Edhe këtu nuk po diferencoj midis atyre që vetëm sa vetë-identifikohen si të tillë dhe atyre që jo vetëm identifikohen (më të shumtë), por edhe vënë në dukje se kanë qenë ose janë të angazhuar në marrëdhënie të të njejtit seks (më të paktë). Edhe doemos këtu e kam fjalën për vendet perëndimore, madje ato vende perëndimore që tregohen më të prirura për të mirëpritur diversitetin e orientimit seksual, dhe aspak Shqipërinë ose vende të ngjashme ku homoseksualizmi mbetet një dukuri thelbësisht “underground”, tabu, pak ose aspak i matshëm, pavarësisht se ndonjë lezbike amerikane në Tiranë nuk e ka zor të promovohet në mediat shqiptare. Në të vertetë, edhe në vendet me demokraci më të mirëstabilizuara, me gjithë objektivat në shifra e përqindje që komitetet e diversitetit e inkluzivitetit rreken të caktojnë e përmbushin me zell, pohime të tilla si ato të Pinderit jo vetëm që s’mund të bëhen dot për komunitetin GBLT, por bile zor të nyjëtohen qoftë edhe për kategori më pak kontroversiale sikurse janë p.sh. gratë ose minoritetet me ngjyrë.

Le të kthehemi te individi KÇ. Që një person çfarëdo, si KÇ, të vetë-deklarohet si homoseksual përmes Big Brother-it, e kësisoj të kthehet automatikisht në celebrity, e kuptoj. Madje e kuptoj fare mirë si element në kuadrin e mediave që rreken të rrokin publikun përmes sensacionit. Në këtë kuptim nga Big Brother mund të presësh shumëçka, sepse në fund të fundit zbavitja ose “shastisja, drogimi dhe mpirja e mendjes” është specializimi dhe qëllimi i spektakleve të tilla. Mirëpo, më duket se do të ndryshonte puna po të zëvendësonim individin KÇ të padëgjuar deri dje, me një person të njohur nga publiku. Pa e pandehur një gjë të tillë krejt të pamundur (me siguri do të vijë koha t’i dëgjojmë gjëra të tilla), pak të ngjarë ka që bie fjala një biznesmen a një drejtuese spektakli televiziv të rrëfehet vetë-dijshmërisht, ngase kështu mendon se do t’i shërbente publikut, duke mëtuar e shpresuar që përmes shembullit personal të nxiste e mbështeste aftësinë e shoqërisë për të pranuar çka pati konsideruar deri dje si “të huaj” e “të ndryshme”.  (vijon)

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: