Skip to content

Kur arbërori thotë: Nënë, jam gay! (II)

March 24, 2010

Raporti Pakicë-Shumicë, që varion në varësi të niveleve të pjekurisë së demokracisë në vende të ndryshme, mund të shihet edhe si interstic manipulimesh e nëpërkëmbjesh të ndërsjellta. Nëse në Shqipërinë e sotme, të KÇ-ve dhe Lezhës së protestave, çështja mund të formulohet: pakicë homoseksuale e diskriminuar ose keqpranuar nga shumica ose më mirë si “problem (që na gjen) ende të papjekur për mirëshqyrtim, në vendet perëndimore që kanë përshkuar e vijojnë të rrugëtojnë nëpër një proces kulturor dhe edukues të gjatë e gradual drejt pranimit e gjithëpërfshirjes së pakicave, pavarësisht se incidente të mostolerancës e gjithfarë troshitjesh ndër terrene ideologjike e politike ka e do të ketë, problemi rrezikon të paraqitet edhe si anë tjetër e medaljes e të përfundojë i formuluar ndryshe:shumicë e manipulueshme nga pakica.

Kanadaja është një vend, që spikat për tolerancën ndaj pakicave. Jo pa mburrje, kanadezët shprehen se diversiteti dhe gjithpërfshirja e tyre janë cilësisht superiore ndaj fqinjëve të vet amerikanë (meqë këta të fundit e paskan kapitalizmin më të vrazhdë e shfrytëzues). Edhe pse kam jetuar prej vitesh në të dy vendet, e kam zor të shquaj nuancat dalluese midis tyre në këtë aspekt. Diversitetin dhe gjithëpërfshirjen i vlerësoj përnjimend si arritje të admirueshme. Madje si individ i formuar në botën totalitare të luftës së klasave e përjashtimit, gjithnjë me mendjen peng endjeve ndër kujtime botësh kontrastuese, i çmoj edhe më fort. Por, nga ana tjetër një gjë e tillë e kjo përvojë dyfishe, nuk më pengojnë ta shoh çështjen njëherazi të lidhur ngushtë me interesa ekonomike dhe korporative, ashtu sikurse nuk më pengon të vërej se “diversiteti, inkluziviteti dhe multikulturalizmi” nuk është zor të shndërrohen në karta bixhozi ose të katandisen në dogma e fe të pakritikueshme a flamuj ideologjikë që s’bën t’i prekë kush.

Më poshtë po jap një shembull. Para pak vitesh në departamentin e një institucioni erdhi e zuri punë në një post drejtues një person i mirëkualifikuar. Po e quaj M. Ky e nisi rutinën me biseda miqësore 30 minutëshe me secilin koleg e vartës, gjatë të cilave u prezantua menjëherë e shpengueshëm si gay. Sjelljen e tij disa e interpretuan si shprehje sinqeriteti, mungesë kompleksesh dhe shenjë e mendjes së lirë. Edhe ngrohtësia dhe humori i M. qenë të pëlqyeshme. M. kish zgjedhur Ontarion si vend rezidence, meqë në këtë provincë (ndryshe nga shteti i New York-ut ku jetonte më parë) mund ta kryente martesën me partnerin e vet. Në rregull deri këtu, pavarësisht se shumëkush mund të argumentonte se orientimi seksual s’është çështje për t’u zbuluar e diskutuar medoemos në mjedise pune, edhe sepse këto janë gjëra që s’është e thënë të kushtëzojnë njera-tjetrën. Ç’i duhet punës se me kë e ndan aksh punonjës shtratin e vet?

S’kaloi shumë dhe në inbox-in e kolegëve të tij, në kuadrin e veprimtarive të diversitetit e “paradave pride” të GBLT, rregullisht mbërrinin ftesa prej M. (fillimisht të iniciuara nga komitetet përkatëse të sektorit të diversitetit), që grishnin drejt veprimtarive të ndryshme network-krijuese, fond-ngritëse, shëndetësore, artistike e zbavitëse të destinuara për këtë komunitet. Kërrkush prej kolegëve të tij as nuk u përgjigjej atyre ftesave, as nuk merrte pjesë në veprimtaritë e sugjeruara. Dikur ftesat u bënë pak të bezdisshme për nga shpeshtësia, pa përmendur që disa prej tyre – kur ndodhte që dikush të merrte mundimin t’i hidhte një sy – përmbanin imazhe të diskutueshme për nga lënda implicite erotike.

Një mbrëmje qëlloi që një kolege të lexonte një mesazh me natyrë të tillë që prej zyrës në shtëpinë e vet. Mesazhi, që kish të bënte me një pjesë të lehtë teatrale të një trupe çfarëdo, edhepse në pamje të parë i padëmshëm, ftonte megjithatë të hapje një nyje, që çonte në një sit laraman ku spikaste fotoja e dy meshkujve rioshë e bukuroshë kapardisur në të brendshme e në pozicion qartësisht erotik. Bri tyre fekste e pulsonte teksti që grishte për live chat. I biri 14 vjeçar qëllon të afrohet e të shohë i habitur se ç’po vështronte e ëma. Kaq mjaftoi që gruaja të irritohej e ta konsideronte kupën të mbushur. Aty për aty, e pakënaqur ajo i nis një mesazh M., duke i bërë me dije njëkohësisht gjithë grupit që kish marrë të njejtën ftesë. Me atë mesazh kërkoi të çregjistrohej nga lista ku shpërndaheshin ftesa të tilla, me ç’rast edhe sugjeroi me takt që ato të mos përcilleshin kësisoj, por të afishoheshin në një web site posaçërisht të ndërtuar për dashamirët e GBLT-së dhe të interesuarit e aktiviteteve përkatëse.

Ç’mësova të vijonte pas këtij incidenti qe një përvojë përjetimi njëherazi i së tashmes dhe i së shkuarës, e pranisë së njëkohshme në dy botë të largëta në kohë dhe hapësirë, që megjithatë rrethpriteshin… Kolegia ndeshi në mur heshtjeje edhe u qortua prej eprorëve të vet, të cilët (si në organizatën bazë dikur) me përdhunë i kërkuan të shpjegohej e të ofronte ndjesë (ose autokritikë) për sjelljen e vet “jo-tolerante”, të “nxituar” e që binte ndesh me “frymën e diversitetit e të tolerancës, madje jo të tolerancës, por të pranimit dhe kremtimit të diferencave!”. Askush nuk deshi të dëgjojë e t’ia dijë se djali i saj adoleshent, duke parë të ëmën të shihte imazhe erotike gay, e kish pyetur: “Mami, po më habit me të vërtetë. Që kur sitet porno e gay live chat kanë nisur të të interesojnë?” Kërkesa e saj për t’u çregjistruar nga lista, u interpretua si veprim i papjekur dhe impulsiv. Të gjithë heshtën, kthyen kokën mënjanë e bënë sikur nuk e kuptuan se të drejtat e saj (madje ironikisht edhe të tyret) si “shumicë” ishin cënuar. Vallë ku vajtën “dallesat e kremtuara – diferencat e diskriminuara”? Dikush privatisht madje shkoi aq larg sa e cilësoi veprimin e saj si akt që shpinte në “vetëvrasje karriere”… Për analogji, kush ka provuar totalitarizmin, do të thoshte: Po vërtet, cili vallë do të guxonte të kundërshtonte sekretarin e organizatës bazë, të mos përfillte mjelësen e dalluar, t’i kthente fjalë mjeshtrit të punës socialiste? Vallë, kujt do t’ia mbante t’i dilte në krah ndonjë kritikuesi kokëkrisur (që kurrë s’ka patur Shqipëria e Enverit) e të sfidonte konformizmin? Skajet qenkan më pranë midis tyre sesa mesit të distancës që i ndan! Edhe, nuk ka nevojë të vizitosh kujtime totalitare, për të kuptuar se njerëzit në thelb reagojnë e sillen njësoj përpara autoritarizmit, madje edhe kur jetojnë në një botë, arritja më e madhe e së cilës është ndoshta mundësia për të ushtruar vullnetin e lirë në mendim e veprim. Kolegia, edhe pse grua e pavarur e me integritet, e ardhur nga pjesa më e çlirë e Evropës siç e dëshmon akcenti skandinav i saj, zgjodhi t’i shmangej situatës konfrontuese. Tamam “më fal” nuk tha edhe vërtet burokratët drejt në sy sfidueshëm i pa, por pendesa e thyerja megjithatë iu lexua me shkronja të mëdha në vibrimin e zërit, në gjuhën e heshtjes e sidomos në vështrimin rrëmbushur në zhgënjim…

Një kthim i tillë kokëposhtë i diversitetit e karikaturizim i gjithëpërfshirjes, si pjesë e manipulimit të madh korporativ e politik që s’ka qëllim më sipëror sesa përdorimin e të gjithëve në emër të agjendës së fitimit, duke rritur në vathë të tij një grigjë sa të urtë e të bindur aq edhe trushplarë, më duket çështje shqetësuese, e cila sidomos bëhet e tillë ngaqë mbetet e padukshme, ose më mirë e maskuar pas fasadës së promovimit të diversitetit dhe gjithpërfshirjes e tundjes së bajrakëve të klishéve populiste që i shoqërojnë… Edhe për nga zelli e dogmatizmi, aktivistët e të drejtave të njeriut në Tiranë më duket se s’jane fort larg mendësive, të cilat shpien në llogore dogmash lyer me varak progresiv…

Për sa i takon çëshjes KÇ, që në raport me rastin e mësipërm rri në një pol me vlerë të kundërt që prej skajit tonë arbëror, edhe kjo duket të jetë e ngjyer me varak të trashë falsiteti. Një qytetar si KÇ zgjedh Big Brother të deklarojë homoseksualizmin duke u kthyer në celebrity e duke fituar kështu pjesën e tij të famës e vemendjes në çdo skaj mediatik. Dua të vë re këtu se letra e tij tingëllonte artificialisht shqip, si të ish përkthim i një letre në italishte, ujdisur me fraza parafabrikate e klishé të riqarkulluara, lexuar mallëngjyeshëm për të shkrehur në lot audiencën e emisionit Amici.

E në të njejtën kohë duke më shërbyer rasti në fjalë si shtysë, nuk ka sesi të më dalë nga mendja raporti tipik shqiptar nënë-bir. Meshkujt shqiptarë, qysh në moshë të njomë mësohen rëndom t’i referohen nënës me fjalën “plaka”. Kështu i kam dëgjuar djemtë në shkollë, në rrugë, e gjetiu ta thërrisnin nënën si për të njoftuar kështu shndërrimin e çunakut në burrë. Ky term edhe pse shpesh përdoret si fjalë e pa-të-keq, pothuaj shakatare a në mos si “ledhatim” me shkelje syri, në të vërtetë kumton pavarësinë, pushtetin e supremacinë e birit vendim-marrës, karshi nënës së pafuqishme, që vjen duke u mpakur e që ekzistencën s’mund ta mendojë tjetërsoj veç si marrje nën sqetull si të thuash nga biri dalëzotës e në krye të punëve. Kot nuk e uruan kur u bë nuse në dasëm dikur: “Me një djalë!” Në këtë kuptim e kam të vështirë të kuptoj, qoftë edhe kur është fjala për një homoseksual arbëror, madje qoftë edhe kur ky vjen i modernizuar prej bregut atje tej, që ai jo vetëm të ndiejë nevojën për të diskutuar seksualitetin e vet pikërisht me “plakën” zëulur e të pafjalë, por edhe ta konsiderojë dilemë madhore, pranimin ose mospranimin e homoseksualitetit të vet nga plaka, e madje jo thjesht nga plaka, por edhe në mes të mexhlisit.

Madje mund të pyetet, a ka patur dilemë të brendshme apo s’ka patur fare? A thua vërtet të jetë shtruar pyetja “A do të më pranojë apo do të më refuzojë?”, sepse problemi i vetë-përleshjes midis vlerash e besimesh vetiake paska qenë shumë më i thjeshtë se ç’e kish pandehur KÇ, i cili vajti e u mundua aq fort sa shkoi deri në Big Brother për të provuar fatin, e për të lypur bekimin mëmësor! Kjo siç mësojmë prej mediave, me sa duket jo nga pozitat e kokultësisë, por përkundrazi nga pozita vetë-besimi, nuk ngurroi aspak që ballazi t’i dilte në krah e pa një pa dy ta pranonte të birin pa kushte. Gjë shumë e mirë. Por, vallë a të jetë çuditur, KÇ? Po KÇ -të e tjerë? Vallë kaq kollaj ta kenë edhe ata me familjet e tyre? Sepse po të jetë kështu, e po qe se pranimi në gjirin e familjes shkon kaq ëmbël, atëhere beteja e pranimit mbarëshoqëror i bie të jetë përgjysëm e fituar, duke ia bërë kështu qejfin edhe ambasadave këshillëdhënëse, e duke shkurtuar kështu edhe rrugën e pranimit në Evropë.

Së paku Big Brother, me siguri do të kish parapëlqyer që show të mos kish përfunduar edhe kështu krejt pa dramë, mëdyshje, suspensë, të dua-s’të dua e kështu me radhë, paçka se drama në fakt s’mënoi të shfaqej me pak potere në rrugët e Lezhës. Ndërkohë pjesa tjetër e Shqipërisë, hiq aktivistë e opinionistë, tani e ka një model sesi të veprojë, nëse KÇ prej visesh të tjera arbërore guxojnë të nisen për në Big Brother.

Aktivistët e GBLT-së dhe diplomatët e Evropës, ndoshta e shohin rrëfimin e KÇ si pikë nisëtore të historisë së suksesit të GBLT-së shqiptare, por më fort se histori suksesi ajo mund të shihet si histori biznesi e Big Brother-it shqiptar që rrok publikun përmes spektaklit; e kësaj skene ku aktorët luajnë vetveten e ofrojnë privaten në ankand publik; e këtij teatri ku shitet ekzibicionizëm e blihet voyerizëm; ku tregtohet burlesque e performohet cirk psikologjik për të dëfryer përtacinë; e këtij vendi që çvesh aktorë e spektatorë nga ndjenja e turpit – ky parakusht i civilizimit që dallon mendjen fëminore nga ajo e të rriturit të vetë-ndërgjegjshëm; e kësaj gjeratoreje që mbyt ndjeshmëritë etike dhe shpëlan mendjen prej aftësive vetë-shqyrtuese dhe kritike; e këtij magneti që shastis publikun e ia kthen fytyrën prej problemeve reale të Shqipërisë së krizave, në problemet virtuale të banales.

Prandaj, çështja e trajtimit të homoseksualizmit, edhe pse mund të ish një barometër i pjekurisë në trajtimin e pakicave, duket se sot për sot është ende prematurë e detraktuese për shoqërinë shqiptare, së cilës i duhet të mbledhë energjitë për t’u matur me sfidat gjigante të rimëkëmbjes etike, ekonomike e politike, të ditës e të së ardhmes.

5 Comments leave one →
  1. March 24, 2010 1:10 pm

    Një shkrim i shumë i ekuilibruar dhe i matur, ku mendimet shfaqen hapur dhe me sinqeritet.
    Më vjen mirë që lexoj një të tillë sprovë nga Regtima, shkrimet e të cilës/cilit vijnë me pikatore.
    P.S: dyzimi i mësipërm është shprehje e mosnjohjes dhe s’ka të bëjë aspak me temën.

  2. March 24, 2010 2:31 pm

    Shume shkrim i mire. Mund ta perdor ne gazete? Natyrisht me emrin tuaj

  3. anna permalink
    March 24, 2010 5:28 pm

    Shkrimi me “down to earth” dhe me i hapur qe e kam lexuar ne lidhje me kete teme!

  4. March 24, 2010 10:36 pm

    Ju falemnderit, Xixa, Mandi dhe Anna që u ndalet te blogu dhe i kushtuat kohë e vemendje shkrimit. Fjalët tuaja vlerësuese janë shpërblim e inkurajim që i çmoj sinqerisht, te dashur miq!

  5. Oni permalink
    March 25, 2010 3:27 am

    Regtima,ky shkrim eshte per ne gazete. Mbas nje intoksikimi te llahtarshem me ne fund nje fllad i lehte🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: