Skip to content

Ad Referendum

October 11, 2010

Si shumëkush, shkrimet e Kristo Frashërit të botuara kohët e fundit te Gazeta Shqiptare për çështjen e komplikuar të KOASH-it e Janullatusit i kam lexuar me vemendje, ndonëse ky është një terren hartën e të cilit gjithnjë me zor e përsias dhe e dëshifroj.

Në artikullin e datës  9 tetor 2010, “Kristo Frashëri: Tre të vërtetat për të cilat gënjen Janullatos”, ky sjell të transkriptuar marrëveshjen e së të ashtuquajturës “Himara e lirë vorioepirote dhe minoritare greke”, të vitit 1991. Prirem të besoj se Frashëri merr mundimin të përcjellë ç’di e ç’mendon nisur jo aq nga nevoja për të kontribuar nga pikëpamja akademike, sesa e sidoms nga shtysa për të informuar publikun për çështje me rëndësi për kombin. Mirëpo siç është vënë re te PTF, që e ka trajtuar çështjen hollësisht, nuk thuhet asgjë se nga është marrë e ku gjendet ky dokument nëse vërtet ekziston. Madje, edhe për transkriptime të tjera ne serialin e shkrimeve të Frashërit mungojnë referimet.

Vështirë ta mbrosh historianin e vjetër me histori të gjatë botimesh për një anashkalim të tillë. As pse është kujtuar kaq vonë t’ia bëjë me dije publikut këtë dokument. Po të tjerë studiues e publicistë a thua ta kenë parë një dokument të tillë? Megjithatë – duke ia lënë Frashërit ç’është e Frashërit – sjellja e tekstit misterioz në shkrim, si të ishte komponent fiksional me efekt sensacional, më së pari rrëfen për gjendjen e mjeruar të publicistikës, të historiografisë e disiplinave të tjera “shkencore” në Shqipëri, të cilat të përziera si sallatë mes tyre s’kanë ku të shtjellohen e të paraqiten përveçse faqeve të shtypit të përditshëm, ku pak përgjegjësi e profesionalizëm ka, e përveç politikave e taktikave të shitjes e marketingut, s’ka politika editoriale a praktika të redaktimit. Edhe nuk mund të ketë më fshehje pas justifikimit të “mosdijes” e “prapambetjes” përsa kohë Shqipëria ka dy dekada që është e hapur e informacioni hyn lirshëm në tokën arbërore, kur specialistë e dijetarë venë e vinë nëpër botë (e bile në të ardhmen edhe më shumë, ndërsa rregjimi i vizave me sa duket po lehtësohet), kur çmime e nderime shpërndahen majtas e djathtas, kur specializimet e njërëzit që fitojnë grada e tituj shkencorë rriten, aq sa tani vetëm të ngujuarit për gjakmarrje ndoshta po mbeten pa gjë.

E ndërsa të kërkosh për artikuj gjysëm publicistikë e gjysëm kërkimorë punë e hetim redaksional qenka shumë, këta mesa duket u rezervokan vetëm për rastet si i Eduard Shalsit, deputeti-celebrity i nderuar i PS. Këtij, ndërsa përkëdhelet e llokoçitet në bregdet për të rikuperuar energjitë gjatë pushimeve midis konferencave të shtypit, ia shndërrojnë si pa gjë të keq të fejuarën safí shqiptare në të dashur “prej jashtë shteti”. Po si të tolerohet një pasaktësi e tillë? I takonte, si të mos i takonte Gazetës Shqiptare e Bakanweb-it të bënte hetimin e nevojshëm e korrigjimin e domosdoshëm që t’i shpinte gjërat pronto në vendin ku përktitnin! Sa për dokumentet historike – për këtë s’është e thënë që grupit të redaktorëve t’i bjerë ndërmend të hetojë a të marrë në pyetje gjësendi, a makar thjesht të lexojë! Në fakt, s’mund të mos pyes: vallë a e ka parë të arsyeshme redaksia qoftë edhe sikur t’i hedhë një sy shkrimit nga kreu në fund, sa për të shuar kërshërinë si të thuash? Kam frikë se jo. Si t’i bësh me faj? Shkrimet kësisoj janë të gjatë e të lodhshëm, nuk kanë kurrëfarë argëtimi e lezeti për vemendjet e tkurrura. Kërkojnë përqëndrim e një farë familiariteti me punët plot prapaskena e intriga greke (por edhe shqiptare) të ortodoksisë shqiptare – mbingarkesë e përnjimendtë mendore për shoqërinë e teshave firmato, diskove, kafeneve e kazinove. Është në natyrën njerëzore: truri vetvetiu zgjedh rrugët më të shkurtra e më të kollajta kurdoherë që mundet, e kur s’ka incentiva, ngacmime, sfida a detyrime për t’u marrë me pesha më të rënda doemos që e ka më kollaj të englediset me fotot e pasanikut misterioz e sensual Ramadani & Celebrities.

K. Frashëri, në fund të fundit është një historian, i cili meriton admirim në mos për gjë tjetër, për preokupimin për të shtruar pyetje e sqaruar çështje, qofte vetëm e vetëm për faktin që interesohet, edhe përpiqet të thotë fjalen e mendimin e tij edhe pse është në prag të 90-vjetorit. Bën aq sa mundet intelektualisht. Lum kush ta ketë një mendje e penë të tillë aktive në të mirë të publikut kur të jetë 90! Ndofta jo të gjithë, por disa kolegë të tij që me moshë janë sa gjysma ose makar një e treta e tij e që biolgjikisht janë në etapën më produktive të mendjes, o zgjedhin politikën si fushëbetejë o preokupohen me broçkulla vetëlëvduese, kur nuk janë të zënë me llogore akuzash. E nëse Frashëri shket, le të ofrojnë të mbushin mungesat e korrigjojnë pasaktësitë kolegët dijetarë.

E kam parë K. Frashërin në një intervistë të transmetuar në një nga televizionet modeste të diasporës, 1-2 vite më parë, ku ndër të tjera ankohej për vështirësitë financiare e ledhet burokratike që e pengonin për të botuar një vepër studimore, paçka se në Shqipëri duket se ka po aq shtëpi botuese sa edhe libra. I kishin mbetur pak dhëmbë në gojë, por e dëgjoja me kënaqësi për nga koherenca e mendimit, aftësia për t’ia mbajtur shikuesit vemendjen në bisedë, e për nga komunikimi i thjeshtë, i drejtpërdrejt e i pashtirur. Kam përshtypjen se ky studiues i përkushtuar e specialist i një prej shkencave më të rëndësishme të Shqipërisë nuk është çmuar e nuk vlerësohet sot sa duhet. Uroj të jem gabim.

Në lidhje me dokumentin në fjalë, edhe në një rast tjetër më ka bërë përshtypje që Frashëri ka përmendur se ruante do dokumente autentike në arkiven e tij personale. Pyeta veten atëhere: Po përse xhanëm në arkivën private? Të jenë gjëra kaq sekrete a në rrezik grabitjeje? Mani të moshuarish si ato të sime gjysheje që rrinte me çelës në qafë, me të cilin pastaj hapte me kujdes sirtarin ku mbante reçelin a frutat e mia të preferuara, ose merrte paratë që i duheshin për të bëre pazar nga pensioni modest? A ka dijeni ndokush tjetër përveç tij për ekzistencën e dokumentave origjinale ose qoftë edhe kopjeve a varianteve njëlloj të çmuara që mbahen kyçyr në kasafortë? Vallë a do të dalin në dritë ndonjëherë? Në të vërtetë, a e çan kryet kush? Po përse vallë të ketë një moskomunikim kaq tragji-komik e vetë-mbyllje të tillë në epokën e network-eve, kur informacioni më shumë e më shpejt se vertikalisht shpërndahet horizontalisht? Nuk ma ha mendja se përgjigjia do kërkuar medoemos te Prof. Frashëri, te rrëshqitjet e pafajshme ose të fajshme, maninë për ta mbyllur dijen në grusht – aq e përkundërt me parimet e dijetarit – a te manipulimet e mundshme pa ose me dashje. Mendoj se shpjegimi do kërkuar kryesëpari te bjerrja e standardeve; klima pa mirëbesim e rretheve të studiuesve; te mungesa e dialogut, e organizimit dhe e kolegjialitetit; te mungesa e grupeve të studiusve që i lidh bashkë sa dëshira për të rrahur idetë e diskutuar çështje që u interesojnë, ashtu edhe shtysa dhe bindja se mund të mësojnë e përfitojnë prej njeri-tjetrit e kësisoj të shtyjnë përpara njohjen; te moskoordinimi e bashkërendimi i avancimeve në fushat e dijeve e lidhjes së tyre bllok pas blloku nëpërmjet sistemit të referimit – prandaj edhe lipsen referencat e shkreta; e te mënyra si funksinon (ose më mirë si keqfunksionon) shpërndarja e informacionit, si përvetësohet, si shpërnjihet ose grabitet puna e tjetrit.

E në fund, në rast se dokumenti i KOASH-it që sjell Frashëri ekziston dhe origjinali përputhet me tekstin e Frashërit – turp për shtetin shqiptar! Sepse këtu s’është fjala për ndonjë gjym a krah skulpture rrëmuar në Butrint a në Apolloni, as për trafikim të veprave të artit në treg të zi, a shitje të kopjeve si të ishin origjinale. Në rastin e dokumentit në fjalë, pas njohjes shokuese me përmbajtjen e tij formulohet vetvetiu pyetja: A i intereson shtetit shqiptar integriteti e ruajtja e tërësisë territoriale të shtetit të vet? Apo kemi të bëjmë me fiction, edhe shteti duke e mirëditur këtë, s’ka kohë të merret me profka? Apo ia kanë zënë sytë koleksionet e apartamenteve e kompanite e bixhozit e lojrave të fatit (te cilat pas gjasave tani do të na u menaxhokan elektronikisht nga qeveria vetë, falë marrëveshjeve me ushtarakun Clark e Fazlliçin legjendar) – këto po! Këto mendja i ndjek me vemendje, sepse paraja është incentivë e mirë, akoma edhe më e mirë kur fitohet si në një dorë me fat në bixhoz.

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: