Skip to content

Shqipja në Gjiriz

October 18, 2010

Kur dua të lexoj gazeta shqiptare përmes Internetit, këto më duken ndonjëherë si kutitë postare shpërndarë me bollëk mëhallave, ku cilido mund të hedhë letrën, fletushkën a kartolinën e vet, mjaft që t’i këndet. Veç zarfat mungojnë. Por krejt sikurse punonjësit e postës, të cilët nuk duhet të shohin se ç’informacion fshehin zarfat, ose si punëtorët e ngarkim-shkarkimit që bartin mallra pa qenë të intersuar shumë se çfarë tamam fshihet pas ambalazhit, ashtu edhe personeli i gazetës nuk duket të jetë doemos i interesuar të dijë se ç’lëndë tamam është duke shpërndarë, mjaft që lënda të jetë paraprakisht e sistemuar nëpër kosha klasifikues për lehtësi zgjedhjeje: opinion, politikë, kulturë, edukim, shëndetësi, intervista, sport, e kështu me radhë. Për rregulla të tjera të tilla si gjuhë korrekte, standarde drejtshkrimi e stili, kontroll cilësie, verifikim faktesh e burimesh, mosqasje profkash, korrigjime e përmirësime, etj… këto hë për hë janë lukse pa të cilat bota e mediave shqiptare njësoj rrotullohet. Edhe për sa kohë detaje të tilla as nuk i vëren e as nuk i kërkon kush, janë kështu ende pa nevojë. Përkundrazi, çka duket e mjaftueshme në median shqiptare të epokës elektronike të shekullit të 21-të, është marketingu i thjeshtë i kapitalizmit antik të shekullit të 19-të, gjë që do të thotë midis të tjerash se kërkesat e pritshmëritë e publikut të sotëm me sa duket nuk janë krejt në konflikt me ofertat e praktikat e tregut — së paku ende jo në atë lloj konflikti që mund të shndërrohet në katalizator ndryshimi.

Po marr si shembull një shkrim nga revista Mapo (publikuar ne Internet javën e 10-17 tetorit 2010) titulluar: ‘Kur Zogu bashkëpunonte me Konicën dhe Nolin’. Shkrimi mëton të sjellë shënime e korrepondenca të adjutantit Hysen Selmani të mbretit Zog. Tani autorë, përkthyes, gjetës të materialit, transkriptues, rregullues, burime, e të tjera gjëra si këto nuk përmenden në shkrim – do të jenë lukse. Por bëhet e ditur megjithatë se ‘Shkruan: Revista Mapo’. Dhe ç’katrahurë që shkruan Mapo! Që të jem më e drejtë dhe e paanshme, nuk merret vesh mirë se ç’pjesë e katrahurës i përket adjutantit Hysen Selmani të mbretit Zog e ç’pjesë Mapos vetë. Mirëpo, një shqipe e tillë, prej cilësdo pene që të ketë dalë, ngjan si kufomë që pret ta qajnë.

Selmani s’është gjallë e s’kemi ç’t’i themi, por te Mapo vallë a ka shqiptarë të gjallë që ende dinë shqip? A ka njerëz që të mund t’ia paraqesin publikut materialin duke zbatuar një minimum standardi e që kanë një grimë vetëdije se ç’ofrohet për lexim lipset të komunikojë kuptim e të ketë koherencë për t’u ndjekur; se informacioni do organizuar, radhitur e perpunuar për t’ia nxitur e tërhequr vemendjen lexuesit; se për ta mbajtur vemendjen njerëzore nevojitet një farë grupimi, krasitjeje, ritmi, e rrjedhshmërie? Vallë po kërkoj shumë? Pa e zgjatur më, ja disa pjesë të zgjedhura prej katrahurës në fjalë [theksimet janë të miat]:

Kohë lufte, kohë foljesh

Shqipëria është në luftë dhe në vend sapo ka filluar rezistenca antifashiste. Kundërshtarët e Boshtit janë vënë në dijeni për qëndrimin e shqiptarëve dhe me një qëndrim të tyre njohin gjendjen aktuale të Shqipërisë. Kjo bën që pas një deklarate të Departamentit të shtetit amerikan, Faik Konica ka rimarrë përsëri pozicionin e tij, si përfaqësues i Shqipërisë, në vitin 1942. Por, kjo nuk zgjat shumë, sepse ai do të ndërrojë jetë papritmas.

Sintaksa me qefin në sqetull

Mbreti shqiptar e shpreh haptazi mërzitinë, sipas adjutantit të tij Hysen Selmani, ndërsa vendin e tij, pa asnjë dyshim, i takon Imzot Nolit.

Si arritje, në këtë kohë, Mbreti shënon njohjen e luftës prej Fuqive të Mëdha dhe interpretimin e tyre të kësaj lufte. Kjo është arsyeja pse mbreti nuk heziton që t’i shkruajë për ta falënderuar Sekretarin e Shtetit amerikan dhe bashkë me të edhe presidentin Ruzvelt.

Ndërkaq, ndërkohë bajga lëshojmë, e prap ndërkohë bajga hamë

Ndërkaq Abaz Kupi dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare ndjehen krejtësisht të përçarë. Vendi ndërkohë ka zhvillime të tjera ku kemi mbledhjen e Mukjes dhe dështimin e saj, si edhe pak muaj më vonë dorëheqjen e Musolinit dhe zëvendësimin e tij me Badolion. Ndërkohë, krerët e monarkistëve përgatiten edhe vetë të shkojnë në Shqipëri. Por, sa e mundshme ishte kjo…

Shqip shkruajmë, shqip s’mendojmë – Shqip lexojmë, shqip s’kuptojmë

Churchilli u takua me shumë personalitete aleate në Egjypt dhe u mundua të zgjidhë problemet franceze dhe jugosllave. Pas kësaj konference të Egjyptit u shpërndanë duke mos dhënë asnjë lajm në vendimet e marra hollësisht.

Kjo është një pjesë e informacionit, që na sjell Adjutanti për këtë ditë: Konferenca e Aleatëve në Teheran ka qenë shumë entuziaste dhe shpjegohet si provë që Aleatët u morën vesh krejt, sidomos në lëmin e operacioneve ushtarake të ardhshme. Persia mori sigurime për tanesin* e indipendencës dhe ndihmën, si do të gjejë me aleatët pas luftës

Arsyeja ishte për të shprehur mendimet e tyre mbi mënyrën sesi mund të organizohej Qeveria Shqiptare në mërgim. E midis pikave që shënuan ishin:

1-Vetëm një lëvizje shqiptare, që të përmbledhë gjithë personalitetet shqiptare, do të ketë mundësinë për të thirrur gjithë popullin, që të bëjë diçka për Kombet e Bashkuara.

“Kjo ndodhi tamam, në këtë moment kritik të Shqipërisë. Faik Konica ka qenë një nga kampionët e indipendencës shqiptare. Shkrimtar, që ka botuar qysh në rininë e tij dhe botimet e tij vazhduan në lënda atdhetarizmi.

Edhe pikat e presjet qajnë

Veprimi i fundit, pas okupimit të Shqipërisë prej Italisë, ishte që Departamenti i Shtetit i njohu Faik Konicës, që s’mund të gëzonte privilegjet diplomatike më. Pasi s’kishte më Shqipëri dhe Legata shqiptare në Washington u mbyll. Por deri më 1939 për t’i bërë qejfin Musolinit.

Kështu erdhi deklarata historike e Sekretarit të Shtetit Cordell Hull, më 10 të këtij muaji. Me anën e së cilës, Shqipëria u sigurua se do ta rifitojë indipendencën e saj sipas Hartës së Atlantikut.

Po ndal këtu. Kush mund të ketë motivim e fuqi mendore për t’i shkuar kësaj batërdie për fundi?

Nëse do ta përfytyronim si trup njerëzor, një shqipe e tille është e sëmurë në çdo organ, e në gjithë muskujt kryesorë. Shqipja sot kërcënohet nga mosnjohja gjuhësore, populizmi e vulgarizimi i komunikimit, sa kohë që edukimi gjuhësor mbetet si fëmijë e lënë pas dore dhe e kequshqyer në një familje disfunksionale që grindet e kërkon t’ia gjejë kurën problemit duke shpërnjohur e përbuzur standardin, duke u rrekur të hetojë se cili dialekt është më i hijshëm e më i vyer, cili do dëbuar nga tryeza e gostisë e cili do ngjitur në fron nderi. Edhe brezat e shqiptarëve ndërsa vitet e dekadat shkojnë, vinë edhe e çmësojnë shqipen në shkolla, media, botime, përkthime, administratë, institucione, kompani private e shtetërore, në komunikim gojor e shkrimor. E në të njetën kohë, forumeve internetare shesin ekspertizë etimologjike, mbrujtur në krenari ilirike e pellazgjike.

Shënim: *‘Tanesin’ do kuptuar e duhet të ish shkruar ‘tanësinë’ ose ‘tërësinë’, duke iu referuar Fjalorit të Gjuhës Shqipe, 1954.

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: