Skip to content

Dukat e Dragot

November 7, 2010

Ka disa javë që në media flitet për rastin e emigrantit shqiptar në Reggio Emilia të Italisë, Nexhip Qepi (ndonjëhërë shkruar në media edhe si Qepja), i cili gjendet sot i burgosur dhe i akuzuar për sjellje abuzive ndaj të birit 4 vjeçar, ngaqë u mor vesh se ia shfaqte afeksionin djalit të vogël edhe duke ia puthur organin gjenital.

Konteksti kulturor i këtij rasti fatkeq lidhet me gëzimin e mirënjohur prindëror shqiptar, e me sa duket ende extant e të pavjetërueshëm edhe te babai shqiptar i shekullit te 21-të, kur këtij i realizohet dëshira përvëluese e lindjes së një mashkulli që do t’ia bartë genet e shtrijë prezencën e mbiemrit në histori — dëshirë që kthehet në krenari dalldisëse sidomos kur më së fundi vjen e përmbushet vetëm pas një vargu përpjekjesh që fati rrengpunues ndonjëherë këmbëngul t’i përdorë në favor të shtimit të gjinisë femërore mbiemërndryshues.

Lidhur me këtë ngjarje, te BalkanWeb ndoqa më 5 nëntor 2010 një video të shkurtër në të cilën psikologu Edmond Dragoti, komentonte për këtë rast. Një variant i transkriptuar po nga BalkanWeb-i gjendet këtu. Mendova, se do të ishte një ndërhyrje e nevojshme e sqaruese, veçanërisht për të gjithë ata shqiptarë që u vunë të protestojnë në Itali e në Shqipëri. Por u habita me çka dëgjova prej psikologut.

Dragoti e konsideron të padrejtë burgosjen e Qepit dhe e karakterizon trajtimin e çëshjtjes nga opinioni dhe drejtësia italiane – pa dallim nga turmat shqiptare protestuese në Itali e Shqipëri – si funksion të stereotipizimit dhe dallesave kulturore.

Thotë Dragoti:

Kemi të bëjmë me 2 elementë, së pari me ndryshimin e kulturave dhe me qëndrimin paragjykues dhe stereotipik ndaj emigrantëve, të cilët paragjykohen qoftë edhe për gjëra që një italian nuk do ishte paragjykuar. Fakti që ai ishte emigrant ka shtuar dozën e stereotipisë ndaj emigrantëve. Kjo shoqërohet edhe me qëndrime në nivelin institucional sic janë edhe gjykatat italiane.

Që fjalë të tilla të vijnë nga çdokushi nuk çuditem, por që të dalin bash nga goja e një specialisti të psikologjisë më duket për t’u shqetësuar. Ja sepse:

1) Është e tepërt të vë në dukje edhe besoj se Dragoti e di më mirë se unë se nuk ka teori, autor e tekst të psikologjisë që ta justifikojë me rrethana kulturore prekjen e fëmisë në organin gjenital. E meqë fjala është për mënyrën si konsiderohet kjo dukuri në vende perëndimore, siç është Italia, duhet thënë se informacioni vetëdijesues në këto vende prej kohësh ka zbritur prej teksteve akademikë në mendjet e publikut, të prindërve e fëmijve përmes materialeve edukuative në nivelet që kërkojnë kopshtet, shkollat e mjediset e tjera publike e komunitare. Si prind që i ka rritur të dy fëmijët në kopshte amerikane e kanadeze, mund të pohoj se instruksionet që marrin fëmijët nëpër kopshte e shkolla, fletushkat që sjellin prej andej në shtëpi, librat e materialet e rëndomta edukativë janë aq të ilustruara e të prera sa është pothuaj e pamundur të ketë prind të pavetëdijesuar lidhur me dallimin se ç’është e ç’nuk është e lejueshme sa i takon kontaktit fizik me fëmijët.

2) Nëse në Shqipëri, siç e tregojnë protestat popullore, shprehi të tilla kulturore si ato që shpërfaq Qepi prej Dukati ende konsiderohen si normale, kjo do të thotë se ka ardhur koha që në edukimin shkollor të zënë vend me ngut e përparsi materiale informuese e vetëdijesuese që garantojnë respektimin e dinjitetit dhe e të drejtave njerëzore te femijëve e të mirërritjes së tyre. Në vend të përligjjes, përkundrazi, edukatorët, punonjësit socialë dhe psikologët shqiptarë, pikërisht mungesa të tilla duhet të marrin në shqyrtim duke u përpjekur që t’i vetëdijesojnë shqiptarët për vlerat e praktikat themelore të shoqërisë së lirë pjesë e së cilës duan të bëhen.

3) Është sidomos për të ardhur keq që Dragoti deklaron në televizion se “Fakti që [N. Qepi] ishte emigrant ka shtuar dozën e stereotipisë ndaj emigrantëve. Kjo shoqërohet edhe me qëndrime në nivelin institucional sic janë edhe gjykatat italiane.” Të flasësh për stereotipe e diskriminime në nivel kuluturor është një gjë, por të marrësh guximin t’i shtrish ato në rangun e organeve të drejësisë është një gjë krejt tjetër edhe kam frikë se Dragoti për fat të keq shpërfaq kësisoj papërgjegjshmëri të pafalshme. Si mund të lëshohen shashka të tilla publikisht? A është Dragoti i përgatitur ta mbrojë e ta provojë një akuzë të tillë serioze për sistemin italian të drejtësisë?

4) Të akuzosh italianët për stereotipizim, diskriminim e paragjykim të emigrantëve, do të thotë t’i luash keq kartat e diversitetit, t’i frysh një zjarri të rrezikshëm e të kontribosh në nxitjen e reaksioneve kundërprodhuese që minojnë integrimin shqiptar në shtetet ku kanë emigruar. Diversiteti i kulturave dhe gjithëpërfshirja nuk parakuptojnë aspak negociim pa kushte të çdo shprehije a kornize kulturore. Ka vlera të tilla kulturore si integriteti fizik dhe emocional i fëmijëve që janë absolutisht të panegociushme. Në të vërtetë, përtej diversitetit të mendimit, vlerat e të drejtat njerëzore lipset të jenë të njejta, e nuk mund të tolerojnë diversitet. Eshtë pikërisht ky njejtësim i vlerave bazë njerëzore që garanton kohezionin dhe mbarëvajtjen komunitare. Me siguri do të ketë italianë që abuzojnë me fëmijët, ashtu sikurse ka abuzues në çdo vend. Por, me siguri cilido italian i tillë – në dallim nga Qepi – do të ishte i vetëdijesuar për sjelljen e vet kundërvajtëse me normat shoqërore, e do të ishte përpjekur së paku ta mbante të fshehtë. Veprimin e Qepit, ndoshta edhe mund ta kuptojmë duke mbajtur syzat tona shqiptare kulturore e ndoshta mund të kemi edhe empati (jo simpati) për këtë baba sa fatkeq aq edhe arkaik, por kjo nuk do thotë aspak se veprime të tilla mund të lihen të shkojnë, me njërin sy të mbyllur, pa ndëshkim e konsekuenca.

Një gjuhë e mendësi e tillë nuk lëshon dritë të mirë as mbi Dragotin, as mbi komunitetin e psikologëve ku ai aktivizohet. Nuk i ndihmon shqiptarët të korrigjohen e të përparojnë kulturalisht, as nuk i ndih integrimit të tyre në familjen europiane ku këta aspirojnë të përkasin si të barabartë mes të barabartëve.

4 Comments leave one →
  1. ehe... permalink
    November 9, 2010 5:48 am

    Perseri, me shpate ne dore.

    OK. Teksti eshte i qarte, ideja del pa kurrfare mundimi. Mirepo, ajo qe verej une, eshte nje paaftesi kulturore e mendimit shqiptar, kudo qe te jete ky i fundit : ne Shqiperi apo jashte saj, qe te ceken te gjitha anet e nje çeshtjeje.

    Mendimi shqiptar eshte i gangrenizuar nga huqi i perjashtimit (ekskluzivitetit). Ne nje debat shqiptar, debatuesit veprojne si nje sovrane, si perandore. Marrin shpaten dhe presin lakun. Mirepo, mendimi nuk eshte bere te jete i tille. Ai ka nevoje per shoshitje, per kerkime dhe hulumtime, dhe mundesisht per asnje verdikt fuqiplote. Sepse ky i fundit eshte veçori vetem e gjykatave ku, pas shqyrtimit te te gjitha paleve, i duhet ne nje çast te dhene te vendose diçka.

    Nje shoqeri ben perpara vetem kur asaj i shtrohen te gjitha fijet e nje çeshtjeje. Dhe kete shtrim e bejne intelektualet. Keta te fundit, para se te marrin fjalen, duhet t’i bien rreth e perqark problemit, dhe ne fund te terheqin vemendjen e publikut mbi nderlikueshmerine e çeshtjes.

    Duam apo s’duam ne, kultura popullore shqiptare eshte ndryshe nga ajo amerikane, italiane apo pakistaneze. Ajo qe mund te jete e perbashket eshte kultura intelektuale, dmth studiuesit shqiptare mund te jene njelloj si studiuesit amerikane sepse kane te njejtat referenca : shkolla, lexime, autore, etj.

    Por ne kulturen popullore, bemoli eshte i pashmangshem. Nese ne duam qe keto kultura popullore te shkrihen ne nje, atehere ne jemi ne nje kulturocid. Problemi i dallimit te kulturave behet i mprehte vetem ne rast se shkelen te drejtat e njeriut qe, keto, duhet te jene universale. Psh, nje vrasje me gur ne Iran eshte e denueshme, pavaresisht se atje eshte tradite.

    Por ne disa çeshtje te tjera, qe nuk prekin ne keto sfera, relativizimi eshte i domosdoshem. Une nuk di qe Shqiptaret te jene pedofile ne mase, thjesht ngaqe dashurine e tyre per femijet e tregojne me te puthura. Ne France, psh, puthja shikohet me sy te shtrember. S’guxon nena te puthe vajzen apo djalin. Jo se e denojne, por kultura popullore nuk e sheh me sy te mire. Mirepo puthja e femijes eshte diçka normale nder shqiptare, dhe une nuk di qe kjo te na kete bere pedofile ne ate pike. Sigurisht qe pedofile apo kriminele ka dhe ne Shqiperi, por jo me shume se ne France, Amerike apo Afganistan.

    Une nuk di asgje per Qepen apo Qepin, s’me intereson, jashte halleve te mia, por flas thjesht ne parim. Ai mund te jete vertet pedofil, drejtesia i sqaron keto gjera, por gjerat duhen shikuar mire.

    Sa per nje “racizem” te nenkuptuar te organeve italiane te drejtesise, kjo eshte mese e deshmuar, dhe madje ne menyre skandaloze : vete mbytja e nje anijeje me 100 viktima, tregon qarte se çfare vlen jeta e nje te huaji ne Itali.

    Regtima, te ftoj te hedhesh nje sy mbi degjenerimin e paqes sociale ne Itali, qe ka çuar ne sjellje te perbindshme ndaj Romeve. Ka video per kete, ka gazeta, ka intervista. Ka fshatra te tere italiane, me pleq e me plaka dhe jo me tre naziskine qe shkojne vullnetarisht te djegin kampet e Romeve. Ka mbytje ne det te dy vogelusheve rome 10 vjeçare, dhe asnje italian nuk e luan gishtin e vogel per t’i shpetuar. Kufomat dalin ne breg te detit, mbulohen me nje lecke, dhe vetem 20 metra me tej, italianet shullehen ne diell duke u kujdesur per kremin UV. Gjera te tilla jane skandaloze, te pakten mua ma kapercejne cakun e mendjes.

    E tere kjo vjen nga nje acarim i dukshem i mendesive europiane, qe nga Suedia tani se fundi, e deri tek Greqia e cila vazhdon ne udhen e saj te ksenofobise se ligjeruar.

    Shendet.

  2. November 9, 2010 8:18 pm

    Ehe… gjykimin për rastin e Qepit unë e mbështes vetëm në çka lexoj në media, edhe jam gati ta korrigjoj, nëse kuptoj se janë raportuar fakte të pavërteta ose të shrembëruara. Jam gati të besoj që Qepi (përtej e përveç akuzës për sjellje abuzive me fëmijën e vet) të njihet si qyetetar i mirë në kumunitetin ku banon nëpërmjet punës së ndershme e veprimtarive në dobi të atij komuniteti. Këto me siguri do të jenë rrethana lehtësuese. Megjithatë, nëse çka evidentohet në shtyp përsa i takon trajtimit afeksional të djalit të tij është e vërtetë, mua më duket se drejtësia italiane ka bërë atë që i përket, siç do të bënte cilido sistem drejtësie në vendet perëndimore.

    Ndofta ka raste të tjera ku mund të vihen re tendenca diskriminimi e racizmi ndaj shqiptarëve dhe imigrantëve të tjerë nga ana e institucioneve italiane. E nëse vihen re, natyrisht që duhen vënë në dukje në mënyrë kritike. Por, mua nuk më duket as e hijshme as reaksion i mençur ta përdorësh parzmoren e racizmit e diskrimit në këtë rast – e përsëris nëse ky nuk është rast i stisur.

    Prandaj, nuk jam dakord edhe më duket dëmprurës reagimi i Dragotit. Çka thotë Dragoti lë të kuptosh se ai është në brendësi të çështjes dhe e di mirë të vërtetën. Por nëse ky përnjimend di ndonjë të vërtetë tjetër nga sa përshkruhet në shtyp, edhe është në gjendje ta mbrojë Qepin, atëhere le ta parashtrojë e ta arsyetoje çka di me gjuhën e argumenteve e të profesionit të tij e të mos mjaftohet duke ligjëruar në kufijtë e zëdhënësit të protestuesit të rrugës. Kështu nuk e ndihmon Qepin, përkundrazi.

    Edhe as nuk e kuptoj se përse ky psikolog i nderuar e i botuar kërkon ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme. Ç’hyn Ministria e Jashtme shqiptare këtu? Ç’duhet te bëjë Ministria e Jashtme sipas Dragotit? Të thotë se “ju të dashur italianë duhet ta dini se ne shqiptarët i duam shumë fëmijët (më shumë se ju ndoshta), i puthim e i shtrydhim gjithandej e s’u bë kiameti se disa nga ne puthim pa qeder edhe bibilushin e kolopuçit sidomos kur ky është aq i lezetshëm, (ja, përfytyrojeni bardhoshin erëmirë – topçe të sapo dalë nga banja, teksa i jati e than me peshqir, e pudros paq dhe i mbërthen pelenat) e aq më tepër kur vjen si gjel i vetëm midis një serie pulash. Po Pandi Raidhin te Yjet e Netëve të Gjata, nuk e keni parë ju? Po jua dërgojmë tani menjëherë — në çast me blackberry — që t’i hyni pak më thellë kulturës tonë, të na kuptoni siç duhet e të na jepni hakun. Ç’doni më akoma? Nuk ju mjafton kaq ta mbyllni këtë punë, se mjaft e bëtë qimen tra?”

  3. Vladimir Kosturi permalink
    November 20, 2010 5:35 pm

    Problemi kryesor eshte se mediat shqiptare jane shtojca te medjave te huaja, ashtu si qeverite shqiptare jane ne sherbim te qeverive te huaja. Lajmi ne mediat nacionale shqiptare u dha vetem ne daten 7 tetor edhe pse protestat ne Itali kishin filluar me 2 tetor, pavaresisht se komunikatat e shtypit ishin bere rregullisht. Lajmi ne Shqiperi shpertheu vetem pasi doli ne agjensine italiane te shtypit ANSA… Nga te gjithe gazetaret shqiptare u tha se Nexhip Qepi ka puthur tek gjenitalet djalin e tij, por asnje prej tyre nuk mori mundimin te shikonte videoregjistrimet e akuzes (te cilat me vone gjykata e rishqyrtimit e Bolonjes , i konsideron te pa ligjshme, ku flitet per shkelje te rende te kodit penal italian). Akuza flet per seks oral midis babait dhe djalit, ndersa shqiptaret qe e kane pare videon me sy, e quajne nje fyerje te rende kete pozicion te akuzes. Perse??? . Edhe pse nuk jemi teknike te fushes, ne videoregjistrimet (sekuenca prej disa sekondash)nuk duket as fytyra e babait edhe as pjeset e zbuluara te djalit ; qe te dy te veshur ; babai e perkedhel femijen siper mbathjeve pa i prekur fare organet gjenitale te femijes. Jane dy pozicione diametralish te kundert qe u ndeshen ne shesh e perforcuar kjo edhe me ndeshje te tipit kulturor, jo pse ne traditen tone eshte te puthim gjenitalet e femijeve, por sepse ne te vertete qyteterimi modern, i mbeshtetur prej ligjeve ne te vertete po e con njerezimin ne dobesim te ngrohtesise ne raportin prind-femije-prind. Sa per racizmin dhe diskriminimin e te huajve ne Itali, nuk ka pse te gjejme kaq shume prova; mjafton te shohesh ligjin per emigracionin, ku inkostitucionaliteti eshte i hapur ; aprovohen ligje raciale dhe gjykatat, jo vetem nuk i kundershtojne, por ne shumicen e rasteve emetojne sentenca perforcuese… Mjafton te kujtosh rastin e shqiptarit Panajot Bita, i cili shkaktoi vdekjen e nje femije ne aksident me makine (me asikuracion te rregullt etj.) dhe denimi i tij prej nje vit e gjysem burgim (i pari rast ne Itali, ku nje person denohet kaq shume per aksident ne rruge) dhe sikur te mos mjaftonte u ekstradua ne Shqiperi, ku e priti menjehere policia shqiptare (shtojce e asaj italiane), e cila e arrestoi dhe e rrasen perseri ne burg, kete radhe ne burgjet shqiptare… E verteta eshte se eshte arrestuar nje prind i shkelqyer PA ASNJE PROVE , ku u gershetuan ABUZIMI ME PUSHTETIN, DISKRIMINIMI, RACIZMI, DIFERENCAT KULTURORE dhe rezultati eshte qe nje njeri plotesisht i pafajshem vazhdon te mbahet ne burg…

  4. November 21, 2010 11:40 am

    I nderuar z. Kosturi,

    Ju falenderoj për komentin edhe për sqarimin e pikëvështrimit tuaj, të cilin e lexova me vemendje. Uroj që angazhimi yt publik në çështjen e Nexhip Qepit t’i ndihmojë përshfaqjes së të vërtetës pastërtisht, duke e kulluar nga pasaktësitë e shtrembërimet të cilat ju shprehni bindjen se e mbajnë peng. Shpresoj që një rast i tillë sado fatkeq t’u shërbejë imigrantëve shqiptarë si dije e vëtëndërgjegjësim që mëton integrim më të mirë shoqëror e kulturor në vendet perëndimore që këta kanë zgjedhur për një jetë më të mirë, duke u dhënë një mundësi nga ana tjetër edhe shoqërive pritëse, si ajo italiane, të vetëkqyren në mënyrë kritike.

    Të fala,

    Regëtima

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: