Skip to content

Shkodërgate

December 8, 2010
Dihet që jeta njerëzore karakterizohet nga brishtësia, edhe duam s’duam, mbetet në thelb funksion i tragjedisë dhe vdekjes, sepse kërrkush nuk ekziston përveçse në atë interstic ku ndërveprojnë e ndeshen madhësi e forca të fundme e të pafundme.

Fakeqësitë, sikurse tërmeti në Haiti, tsunami në Azinë Juglindore, aksidenti ajror, diagnoza fatale e një sëmundjeje terminale, lëngata mendore, vdekja e një dashurie, humbja e njeriut të zemrës, etj. që përmasohen nga e pafundmja dhe e parrokshmja, s’kanë asgjë në vetvete që t’i bëjë “të liga” e kësisoj përfaqësojnë parakushte të pashmangshme të ekzistencës. Tragjedia tek e fundit thjesht është premisë sine qua non e qenies. E prej këtij pikëvështrimi, çka po ndodh tani në Shkodër e më gjerë, madje jo për herë të parë, natyrisht është katastrofë, të cilën banorët e atij vendi po e jetojnë e heqin mbi shpinë sërish (e prap sërish) e ndoshta edhe më rëndë kësaj here. Duhet thënë se për fat të mirë, krahasuar me Gërdecin, në përmbytjet e këtyre ditëve nuk u dëgjua për humbje jetësh – po të përjashtoj këtu shtatzaninë e një gruaje të re që përfundoi me foshnjë të pajetë, ngjarje për të cilën një drejtor spitali u kujdes të deklarojë se nuk kish pse lidhej me qëndrimin e nënës në ujë deri në gju, në mos kraharor. Ndoshta. Por, nuk di nëse po ky titullar e kujdestar i shëndetit njerëzor do të ish shprehur njëlloj, po aq prerë, e po me atë ton pak hokatar sikur në vend të gruas rome të ish për të lindur në të njetat kushte e shoqja ose e bija. As nuk e besoj se do ta shihte të nevojshme të na njihte publikisht me hollësitë e kartelave mjekësore të grave të dashura të tij…

Po sikur situata në zonat e përmbytura të ishte njëmend më kërcënuese për jetët njerëzore? Cilido do të rrekej të pyeste (natyrisht veten, kë tjetër?) se sa e përgatitur vallë do të ishte, është, a do të jetë Shqipëria e sistemi i saj administrativ për ta përballuar? Nuk dihet. Pas gjase, aspak, sikurse na rrëfen me elokuencë përvoja gërdecare, e cila jo vetëm nuk u parandalua, por për më tepër edhe kur u bë fait accompli, s’u trajtua qoftë edhe sa për sy e faqe në formën e leksionit “mëso nga pësimi”. Mos shkoni me tutje ju lutem tek analiza të impaktit njerëzor, financiar, teknik, ekologjik… Sidoqoftë, të na rrojnë e i paçim ndihmat ndërkombëtare dhe organizatat e huaja që përgjigjen me përkushtim në raste emergjente!

Çka ngjet me motin në Shqipëri këto ditë e javë, pamjet e udhëve shndërruar në pellgje e përrenj, mijërat e hektarëve katandisur nën ujë e mijërat e qytetarëve që presin furnizime, të evakuuar a të bllokuar nuk projektojnë vetëm përmasën e frikëshme të së verbërës, së pazaptueshmes e së ndërkryerës natyrë. Fotot e të rriturve e të miturve me bukë nën sqetull teksa lundrojnë me barka e pedalojnë biçikleta përgjatë rrëkeve janë më së pari dëshmi përmasash të fundme, të natyrës së korruptuar njerëzore, të “së keqes” që shprehet përmes veprimeve e mosveprimeve, të cilat në dallim me trillet e mëmës natyrë janë përkundrazi mirë e bukur të matshme, të kontrollueshme e përgjegjësimbajtëse. Në dallim nga tragjedia, kjo lloj e “e keqe” përkundrazi nuk është edhe s’ka pse të jetë parakusht i pashmangashëm i ekzistencës, sepse krahasuar me tragjedinë karakterizohet nga voluntarizmi edhe nuk përftohet si domosdoshmëri e verbër dhe fatale. Në fakt e keqja e rastit në fjalë, sado paradoksale e diabolike të tingëllojë, i shëmbëllen orvajtjes që udhëhiqet nga pikësynime të mirëllogaritura, ose përndryshe si mëtim i vetëdijshëm për t’i bërë kushtet e ekzistencës enkas më patologjike se ç’mund të ishin ose të jenë normalisht. Ndryshe ç’të thuash kur sheh Berishën nga foltorja e Kuvendit në vitin 2004 (për bukuri i këmbyeshëm me të tjerë politikanë pushtet-adhurues në të djathtë e në të majtë) të ligjërojë patetikisht:

Jam këtu për të denoncuar cinizmin ekstrem, amoralitetin total me të cilin qeveritarët u përpoqën të mbulojnë veprën e tyre, përmbytjen e Shkodrës për të shumtën herë, në një shenjë urrejtjeje patologjike, në një qëndrim fund e krye antikombëtar, në një qëndrim primitiv, të turpshëm… Mësojeni se Buna dhe fryrja e saj, dhe fryrja e liqenit nga fryrja e Bunës, është mekanizmi kryesor, shkaku kryesor i përmbytjes së Shkodrës… Nuk mbroj Shkodrën këtu more, mbroj kombin, mbroj vendin. Vendi është i pandarë, Shkodra është e pandarë. Si të duket ty, Kryetar Parlamenti, të dëgjosh deklarata të tilla: Se nuk përmbytet Shkodra nga hapja e portave kur sot s’ka njeri që nuk e di…se Shkodra nga Kiri dhe nga Buna përmbyten, nga liqeni. Buna fryn liqenin. Po sigurisht në qoftë se ti e mban Fierzën me 288 metra, atëherë ç’të shtyn ty të mbash në kuota maksimale Komanin dhe Vaun e Dejës. Janë shumë të thjeshta regjimet. Por regjimet i rrëzoni për Shkodrën, të cilën e urreni, doni ta përmbytni sa herë të doni.

Le ta lemë parlamentin shqiptar të rënduar e dënuar me dëgjime turpesh. Për krahasim, le të kujtojmë katastrofën natyrore Katrina të vitit 2005 në New Orleans, Lousiana, ku më shumë se 1,800 njerëz humbën jetën dhe dëmet materiale u llogaritën në mbi 81 bilion dollarë. Digat e argjinaturat e ndërtuara në vendin më të zhvilluar në botë nuk e mbajtën dot zemërimin e qiellit. Investigimet që u kryen më pas treguan se tragjedia në New Orleans nuk do të kish patur kurrsesi ato përmasa që shtangën kombin amerikan e botën mbarë, nëse ato argjinatura dhe mekanizma të tjera mbrojtëse nuk do të ishin konceptuar dhe ndërtuar shkel e shko, me gabime e mangësi teknike. E natyrisht qenë të tilla, ngaqë politikanë të korruptuar patën abuzuar bash me fondet e destinuara për shmangien e fatkeqësive natyrore. Prandaj jo më kot çka ndodhi në atë anë të Amerikës u pagëzua nga mediat me termin Katrinagate. Sa i takon asaj që po ndodh aktualisht në Shqipëri, do të ishte ndoshta më mirëpërshkrues, kuptimplotë e shumëpërfshirës togu “Albanian Watergate”!

Duke hedhur vështrimin në relieve të tjera gjeografike dhe etike, mund të pyetet: Po si ia bën e ulta tokë e Hollandës (me 25% të sipërfaqes nën nivelin e detit dhe 50% të territorit më pak se një metër mbi nivelin e detit) përballë tekave natyrore e kanosjeve oqeanike? Përse digat, argjinaturat dhe fortifikimi bregdetar në atë vend të bekuar funksionojnë si duhet, e pas gjase do ta kishin pritur furinë e qiellit po aq pa u dridhur e po aq faqebardhë edhe po të kishin qenë në New Orleans? Përgjigjia ndoshta së pari do kërkuar te puna pa hile, pa dredha dhe e ndershme e atij populli të mirëqeverisur, i cili për të mirën e përbashkët punon me përkushtim për t’i përballuar me sukses sfidat natyrore dhe njerëzore.

Në këtë kontekst kjo nëmë dimërore është në fakt (për)mbytje e Shqipërisë prej së keqes e hipokrizisë që përshfaqet me fytyrë qeverie e institucionesh, me mendje e shpirt zhytur e përmbytur në lakmi e babëzi, zhgërryer në ngjyrë demokratike, ngjyer në zgjyrë socialiste, gjë që Fatos Lubonja e përçon kthjellët kur thotë:

Tani që po përmbytet Shkodra dëgjojmë se kjo maxhoranca e përgjegjësive njerëzore në Tiranë, po na thotë se përmbytja e Shkodrës është fatkeqësi natyrore dhe nga ana tjetër, dëgjojmë opozitën e fatkeqësive natyrore në Tiranë, të akuzojë se kjo e Shkodrës është papërgjegjshmëria e qeverisë së njerëzve të korruptuar.

Historia përsëritet, por prej saj nuk mësohet. Pa qenë nevoja të shkoj larg, edhe te soap operat, tashmë skenarët me rivalë që fatkeqësia i bashkon janë shndërruar në klishé të tejlodhura. Mirëpo në mjedisin e helmatisur e të korruptuar të politikës shqiptare një dukuri e tillë ku kundështarët bashkërendojnë forcat e veprimet – qoftë vetëm përkohësisht – në emër të lëngatave e interesave madhore të vendit të tyre mbetet ende për t’u zbuluar.

Po të flisnim me gjuhën e mitologjisë dhe narrativave më të vjetra të njerëzimit, mund të pohonim se një organizim shoqëror si ai i Shqipërisë, i asfiksuar prej korrupsionit dhe kaosit, pashmangësisht si të thuash lejon që “të derdhë mbi vete mallkimin e Zotave”, sepse ndëshkimet që u bien shoqërive të korruptuara pak dallojnë prej zemërimit e ndëshkimit natyror, meqë ato sisteme janë vetiu gjithnjë të keqpërgatitura për të përballuar tërbime zotash, gjëma natyrore dhe humanitare. Prandaj mund të thuhet se Shkodrën, sikurse New Orleans – edhe pse në përmasa e shkallë humbjesh të ndryshme – e përmbyti korrupsioni dhe keq-qeverisja.

Mirëpo Shqipëria e shekullit të 21-të nuk e meriton e nuk mund t’ia lejojë vetes rrugëtimin nëpër një cul-de-sac të tillë etik që shpie pashmangësisht në përmbytje e vetë-shkatërrim. Në stadin e sotëm të zhvillimit shoqëror, ekonomik e teknologjik ripërtëritja e vetëdijes morale bëhet doemos nevojë e kërkesë e panegociushme, nëse shqiptarët duan ta shpëtojnë Shqipërinë nga vetë-përmbytja dhe katastrofa. Edhe veprimi që çasti dhe e ardhmja lypin ngutshëm është bashkërendimi i frytshëm i forcave të pozitës e opozitës, edhe lënia mënjëanë e lojës ”e ka kush e ka”, kutive me kapak e pa kapak, e tregimit me gisht, e llogoreve dhe pusive të hakmarrjes, e kërkesave për dorëheqje, e luajtjes me mjerimin e fatkeqëve, e kanosjeve dhe e kërcëllitjeve reciproke të dhëmbëve prej ujqish që duan kapital e pushtet politik me çdo kusht.

Referenca:

Stefani, A., “Është Fiks Fare, Berisha Përmbyti Shkodranët!”, gazeta Shqip, 8 dhjetor 2010

Lubonja, F. , “Fatkeqësi, por jo natyrore”, gazeta Panorama,3 dhjetor 2010

Horace Vernet, Joseph Vernet Tied to a Mast in a Storm, c. 1822, Musée Calvet, Avignon, photograph by André Guerrand

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: