Skip to content

Yrnek shqiponjash për tollovi helene?

November 15, 2011

Nga fundi i shtatorit të këtij viti, më bëri përshtypje (sikundër do t’i ketë bërë me siguri edhe shumëkujt) një informacion prej Balkanweb-it, ku citohej Steve Forbes të kish thënë se “e vetmja rrugëdalje nga kriza për Greqinë është të marrë shembullin e Shqipërisë dhe Bullgarisë, duke aplikuar në mënyrë urgjente tatimin e sheshtë.” Më tej, po sipas Balkanëeb-it, Forbes këshillonte: “Receta bazë për Greqinë është: shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri, reforma të ngjashme si ato të Shqipërisë fqinje”. Gjatë kësaj periudhe të gjithë e pamë edhe fotografinë e jashtëzakonshme të kryeministrit Berisha dhe ekipit të tij me flamurin kuq e zi prapa në ekranin e lartë e gjigant në Times Square të New York-ut, në mbyllje të NASDAQ-ut. Shprehje më triumfale e fytyra më të qeshura, rrëzëllitëse e krenare zor të kem parë ndonjëherë (Pëlcastë zilie opozita shemër!) Çast fatlum, përnjimend!

Qysh atëhere, më shumë ujë se ç’mendohej ka rrjedhur për Europën që zhytet në krizë keq e më keq. Brenda pak javësh marramendëse, e sidomos këto ditë nëntori, Greqinë e kemi parë si një aeroplan motorr-prishur, i cili pavarësisht përpjekjeve të pilotëve, duket se vijon t’i afrohet pandalshëm e kryengulthi cepave e kreshtave të maleve. E në këto kushte, jo modeli i Shqipërisë (nëse Shqipëria vërtet e paska një të tillë për të ofruar), por sikurse s’është më sekret, asnjë model në botë, madje as edhe sikur vetë Zeusi të zbriste nga Olimpi me gjedhë çudibërëse në tryezë, nuk do të mund ta ndalte katastrofën, sepse Greqia për fat të keq eshtë tani në gjendje komatoze – edhe çështja zor se mund të shtrohet më në formën: “A ka ky vend vullnet, kurajo, vetëdije e karakter për të bërë atë që duhet?”. Përkundrazi shtrohet në formën e pyetjes: “A ka realisht mundësi, fuqi, kapacitet, burime e mjete për të mbledhur veten? Likuiditet për të shlyer borxhet e shpëtuar veten?” Edhe përgjigjja është: Jo, dëshpërimisht nuk ka!

Lëngata e Greqisë sa ç’është e organizmit të saj të rrënuar, aq është edhe simptomë serioze e një sistemi të shprishur, e një Europe të sëmurë financiarisht, e një Europe të zënë peng në modelin difektoz të eurozonës. Në këtë pikturë dramatike e katrahurë ekonomike, imëcakja e shumëvuajtuara Shqipëriza jonë, e Ballkanit kokëkrisur, nuk ka natyrisht ndonjë gjë për të ofruar, veç rrugëtimit të saj çalë-çalë përmes korrupsionit, polarizimit ekonomik, sëmundjeve sociale, gjithnjë e udhëhequr prej elitës së vet politike që për tru ka intrigë e grykësi dhe për gjuhë helm e vrer stomaku. E megjithatë e vockla, hirushja-Shqipërushja jonë, të cilën tani po e detyrojnë të përgatitet për ballo e të mbathë me pompozitet (si Miss i vërtetë) petkat e stolitë e festës për 100 vjetorin e pavarësisë, në vend që ndoshta ta mbrojnë e ruajnë sa më shumë nga shpenzimet e luksit të tepërt, është megjithatë tragjikomikisht me fat në këto kohë plot tallaze për mëmën plakë Europë. Pse? Sepse natyrisht s’kish si të ishte e fatmirësisht s’është e s’mund të jetë në eurozonë – pellgun tashmë toksik – sado që ta ketë lakmuar e ëndërruar një gjë të tillë. Madje për shkak të sjelljes tonë prej çetash para-adoleshentësh që gjuajnë me llastiqe njëra-tjetrën, s’na shohin të denjë madje as të na qasin brenda Bashkimit Europian.

Për t’u kthyer te Greqia: Sipas specialistëve, midis të cilëve sidomos ekonomistit grek Yanis Varoufakis (ish-këshilltar i Papandreut gjatë viteve 2004-2007), ajo mund të nisë të gjejë shpëtim vetëm nëse eurozona shpërbëhet në tërësi (jo thjesht duke dëbuar vetëm Greqinë prej saj, sepse kështu do ta dënonin me vetëvrasje), gjë që ndoshta edhe mund të ndodhë (sado e padëshiruar një gjë e tillë) poqese mbretëreshës ekonomike të Europës, Gjermanisë me suficit buxhetor, e së bashku me të e për shkak të saj edhe motrave të veta të pasura, do t’u mbushej mendja të braktisnin euron e paqëndrueshme për t’u kthyer serish te marka e monedhat e tyre të vjetra.

E ndërsa një gjë e tillë tani për tani nuk dihet e mbetet ende për t’u parë, populli grek e ka thikën në kockë. Mbi të gjitha ndihet i çmerituar, sidomos e para së gjithash i çveshur lakuriq prej çka tek e fundit ka fundamentalisht më të çmuar një njeri a popull: dinjiteti. Mbi trup ka plagë e vraga e mbi shpinë e shpirt mban pështyma turpi e epitete ofenduese. Nga njëra anë ato përnjimend ia ka ngjitur e shkaktuar elita e vet qeverisëse, por nga ana tjetër ato s’kanë si të mos shihen edhe si pasoja dhe shenja të gangrenës së përgjithshme të sistemit europian ku Greqia bën pjesë. Në këtë kuptim Greqia s’është veçse hallka më e dobët e sistemit ose ndoshta “kurbani” i Europës plot tallaze e halle për të ndrequr. Në fund të fundit s’do harruar se Gjermania ka lulëzuar edhe sepse Greqia ka qenë një nga tregjet thithëse të mallrave gjermane. Parë kësisoj, kjo e keqe, ky ortek i madh, origjina e së cilit sipas ekonomistëve do kërkuar në politikat e keq-ngjizura të Europës veriore (me rrënjët sidomos në sistemet bankare gjermane e franceze) e te mungesa e lidërshipit europian, po të mos zinte Greqinë, do të kish zënë një shtet tjetër. Në fakt, sikurse dihet në darën e këtij kërcënimi gjenden sot në limbo edhe shtete të tjera me peshë edhe më të madhe ekonomike në Europë sesa Greqia, sikurse Italia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda – trena që ose kanë dalë ose seriozisht rrezikojnë të dalin jashtë shinave.

Në këtë situatë, ndërsa i sheh në sy tutorët e saj të Bashkimit Europian pothuaj si qeni i bindur të zotin, mirë është që Shqipëria të vëzhgojë e të këqyrë me vemendje atë që po ndodh në Greqinë fqinje për të mësuar. Para pak ditësh prej internetit ndoqa një program në TV Klan, “Kriza greke dhe ndikimi në Shqipëri” të Blendi Fevziut. Por më shumë se te analiza e krizës greke mua m’u duk se një pjesë e panelistëve e kishin mendjen gjetiu – ose ta shfrytëzonin fatkeqësinë greke si oportunitet në ekran për të bërë karshillëqe të tipit PD/PS me të cilat tashmë nervat e shqiptarëve janë mësuar si narkomanët me narkotikët, ose për t’u grindur e shkëmbyer me njeri-tjetrin romuze dylekëshe, ose për të nxjerrë në vitrinë suksesin shqiptar, i cili sipas tyre do të ishte edhe më shkëlqimtar po të mos na qenkesh kriza greke!

Nuk po ndalem të përmend shifrat e rritjes ekonomike që u diskutuan aty me gjoks-rrahjen tonë karakteristike, sepse ndërsa i kujtoj mendja më shkon te pensionistët e të moshuarit në gjendje ekonomike të turpshme, te shëndetësia dhe spitalet që do të përbënin arsyen numër një për t’ia mbathur nga ai vend, te polarizimi ekonomik dhe akuzat e korrupsionit që rëndojnë mbi elitën politiko-administrative, te parlamenti si shesh gangsterësh gjatë viteve të fundit, të mjedisi i shkatërruar e betonizimi i vijës bregdetare. E më në fund si mund të mos më shkojë mendja edhe te rrenat e freskëta mbi të cilat lartohet ligji i plehrave… Po prit, dale pak… “Po, jo! Jo, kështu!”, do të më thoshte krye-parlamentarja Topalli: “Gabim! Quhet ‘Ligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta’!”, duke më sjellë kështu vetiu në mend personazhin Tony Soprano, kryemafiozin, që përndryshe e paraqiste veten si Konsulent i Menaxhimit të Plehrave/Mbetjeve (Waste Management Consultant)…

Greqia s’ka nevojë të kërkojë të ndjekë modele të tipit Tony Soprano, ashtu sikurse edhe Shqipëria të tilla modele duhet të përpiqet të mos i qasë kurrë. Duke rrezikuar të më quajnë “moraliste patetike”, mendoj se modeli që u duhet të dy vendeve, pavarësisht se jo në situata të njëjta, është ai i ndershmërisë dhe i të parit të së vërtetës në sy. Greqia s’ka ç’shembull të marrë nga Shqipëria. Përkundrazi, Greqia, siç sugjeron ekonomisti grek Varoufakis, duhet t’i thotë Merkel-it e nëpërmjet saj popullit punëtor e taksapagues gjerman: “Mos na jepni hua, peshën e të cilave shpatullat tona s’e mbajnë dot më e që doemos do të përfundojnë të gëlltitura prej vrimës së zezë të bankava tona të korruptuara!” Më tej, po të ndiqej “Propozimi Modest për Kapërcimin e Eurokrizës” i mbështetur mbi tri shtylla që ofron po ky ekonomist dhe kolegu i tij Stuart Holland mund të shtohet: “Shpëtoni Europën, e kësisoj edhe Greqinë, (1) duke rikapitalizuar e unifikuar sistemin bankar që vuan nga mungesa e autoritetit fiskal me anë të Fondit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF/ESM), (2) duke mirë-menaxhuar e kontrolluar rreptësisht borxhin me anë të Bankës Qendrore Europiane (ECB), edhe (3) duke mirë-investuar suficitin buxhetor (budget surplus) gjerman nëpërmjet Bankës Europiane të Investimeve (EIB) në sektorët më të shëndetshëm e me të mirë-studiuar financiarisht me qëllim rimëkëmbjen dhe përshëndoshjen ekonomike të Europës në recesion”.

Vetëm kështu, e vetëm duke konsideruar sa më sipër si kushte të nevojshme në rang global e rajonal, POR jo të mjaftueshme – sepse shumëçka do të varej më pas në rang lokal pikërisht nga vetë-disiplinimi dhe zotimi serioz grek ende për t’u vërtetuar, ka shpresë për shpëtimin e shërimin e Greqisë e të Europës.

Sa për Shqipërinë, kjo të ketë kujdes e të mbajë nën frerë shpenzimet buxhetore, të mbajë nën kontroll e mundësisht të zvogëlojë borxhin publik, të mbajë politizimin larg nga bankat e t’i lërë ato të bëjnë profesionalisht e me përgjegjshmëri punën e vet, të mendojë si të kompensojë për zvogëlimin e remitancave nga emigrantët, e ç’të bëjë me emigrantët që mund të kthehen nga Greqia e Italia.

Së fundmi, Shqipëria, në vend që të japë, bën mirë të marrë mend, modestisht të dëgjojë mirë, të nxërë mësime prej ç’ndodh rreth saj edhe sa të mundet t’i përdori si ilaçe të vlefshme e profilaktike për organizmin e vet të brishtë ekonomik e politik që lundron dimrit të pabesë në ujrat e paqeta të Europës së krizës!

[Botuar fillimisht në ResPublica.al më 13 nëntor 2011.]

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: