Skip to content

Media apo Merda?

January 9, 2012

Qysh prej mëngjesit të së dielës, 8 janar 2012, kam mbetur sa e trishtuar aq edhe e çmerituar e gojë-hapur me lajmin qe kish botuar Balkanweb dhe Panorama se publicisti A. Klosi, pas një tentative vetëvrasjeje, ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga kërkimi që bëj në google gjej edhe plot site të tjera, që si bisha nuk e kanë lënë llokmën e sensacionit pa ia shitur publikut bashkë me kafen e simiten e mëngjesit. Më vjen rëndë që duke shkruar sot për të, në një farë mënyre edhe vetë s’bëj veç riprodhoj e përhap të njejtin lajm ndyrësirash. Por nga ana tjetër kam shpresë se megjithatë po bëj diçka të mirë duke u shprehur për shëmti të tilla mediatike.

Balkanweb shkruan:

Pas masave paraprake të marra nga mjekët, ai është shtruar në Psikiatri, pasi gjendja nuk paraqitet ende e stabilizuar. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Qendrës spitalore universitare, të cilët shtojnë se prej disa kohësh publicisti merrte ilaçe antidepresive. Sipas mjekëve gjendja e publicistit Ardian Klosi ende nuk është e stabilizuar, raporton Gazeta Shqiptare.

Është natyrisht tragjike të dëgjosh diçka të tillë për cilindo, të njohur a të panjohur. Por me ç’të drejtë publikohet një lajm i tillë (i saktë a i pasaktë) që shkel me këmbë të drejtën për privatësi? A e di personi në fjalë se detajet e fatkeqësisë së tij kanë dalë sheshit për sehir të njerëzisë si të ishin trup i pambrojtur e lakuriq që vërtitet rreth e qark arenës së cirkut? A do ta jepte ai vallë pëlqimin për një gjë të tillë? A është konsultuar vallë gruaja dhe familja e tij për një veprim të tillë të neveritshëm? Vallë këta skifterë e hiena të shtypit, si do të ndiheshin sikur ata vetë a të afërm të tyre të ekspozoheshin kësisoj në shtyp? S’është hera parë. Ndoshta më shumë se 10 a 15 vjet përpara e di që një kanal televiziv në Shqipëri ka arritur deri aty sa ka ekspozuar të sëmurë psiqikë, madje edhe duke i kthyer në lodra humori e shpotie në ekranin televiziv. Njëri prej pacientëve qëlloi të ish i biri i një të njohure të familjes time. Ime ëmë më rrëfente sesi ishin tmerruar e prekur të gjithë tek shihnin sesi trajtohej ai njeri fakteq, që ashtu me mendje te shprishur e pa aftësi normale gjykimi, daljen në ekran të televizorit e përjetonte me gëzimin e pafaj dhe ekzaltimin e njëmendtë të fëmijës, që e venë të këndojë duke e lëvduar para të rriturve…

Rastet padyshim janë krejt të ndryshme, porse dhunimi i privatësisë i bashkon. Edhe shembuj të tjerë mund te gjenden lehtë. Janë dëshmi e një mizorie që vetëm në shoqëri të pazhvilluara, të pandërgjegjësuara e primitive ndodhin! Janë pacipësi që me sa duket vijojnë të pasfiduara në shekullin e 21-të, kur i lëpihemi Europës të na pranojë, gjoja si shoqëri mes shoqëqërish vendesh të civilizuara! Janë turpe që karshi europianëvë na vizatojnë si trogloditë të vërtetë.

Në gazetën Panorama thuhet:

… mjekja roje e spitalit tha për gazetën “Panorama” se zoti Klosi ndodhej në Spitalin Psikiatrik duke marrë mjekimet e nevojshme dhe se gjendja e tij ishte në parametra jashtë çdo rreziku. Sipas mjekëve, vendimi për shtrimin e Klosit në Psikiatri është marrë bazuar në faktin se ai mjekohej edhe më parë për probleme të depresionit, por edhe duke marrë shkas nga veprimet e përsëritura të tij javët e fundit me marrjen e medikamenteve mbi dozën e rekomanduar nga mjekët.

Ku e gjejnë të drejtën këto palo mjekë të furnizojnë shtypin me detaje të tilla? Shqipëria, që s’ka lënë ligj pa kopjuar prej qytetërimit perëndimor, a s’paska legjislacion që rregullon, mbron, e garanton të drejtat e pacientit? Apo si për çdo ligj tjetër, edhe ky po të ekzistojë ka vetëm funksion dekorimi që rri qesëndisës e ngërdheshës ndër guva shpellarësh e klube huliganësh?

Kultura etike e mediave tona sot, e sidomos në këtë rast, ka rënë në baltë si asnjëherë. Por edhe më shume është zhytur në llucë të gjirizit etika dhe profesionalizmi mjekësor. Është një gjë të mos kesh fonde e teknologji, por krejt tjetër gjë të mos mbrosh të drejtat bazë të njeriut për privatësi e nevojë për minimum dinjiteti. Çfarë të duhet për këtë – specializim jashtë shtetit? Fonde speciale? Rroga më të mira? Apo para nën dorë?

Ndofta kirurgun s’e fajëson dot kur operon me bisturi e instrumente të amortizuara, ndofta specialistët s’i fajëson dot kur skaneri nuk punon për të sëmurët që presin shpirt-pezull të dinë në kanë a s’kanë kancer; ndoshta onkologu që ndjek nje vogëlush me leucemi s’ka faj kur ilaçet mungojnë në spital; ndoshta gjinekologu është po aq në rrezik për jetën sa edhe gruaja që lind kur tavani zë e iu shembet mbi krye. Mirëpo vallë a mund të thuhet e njejta gjë, kur po këta njerëz s’e kanë për gjë t’ua japin përmbajtjen e kartelave të pacientëve mediave si kocka të shijshme qenëve të uritur për scoop-e celebritetesh?

Vallë çfarë i mungon mjekëve të tregohen se pari njerëz të qytetëruar e më pas mjekë me minimum etike profesionale në shërbim të qytetarëve?

Shqipëria ta ketë për nder e t’i mbajë si ujë i pakët intelektualë të formatit të Ardian Klosit! Por, mesa duket as i çmon e as i meriton këta njerëz në zhdukje, që si rrallë kush patën kurajë të refuzojnë parajsa të qytetëruara për të ndriçuar me punë të përkushtuar e guxim intelektual mendje në kërkim të dijes, mendimit, së vërtetës dhe qytetarisë.

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: