Shkretë
Shkruar e kompozuar prej Neil Young (1969), kjo këngë titulluar në anglisht Helpless është pjesë e albumit Déjà Vu (1970) të Crosby, Stills, Nash & Young (CSNY).
Eshtë prej këngëve të mia më të dashura të rinisë, atëhere kur zbulimi i saj përmes qëmtimit të emisioneve cilësore muzikore në stacione radioje me sinjal të dobët (të Philips-it të mirë e të vjetër të gjysh Filipit) dhe ruajtjes në magnetofonë çfarëdo të fillimviteve 80, i ngjante kërkimit të gjatë, të ngadaltë e durim-hekurt të gurit të çmuar në nëntokë. Atëhere kjo përvojë shpirt-transformuese ishte ndër më vetmitaret, oqean i pandashëm me botën sipër… A., kujtimi yt ngulur viteve të çuditshme e të largëta, më bëhet sot, bash në Ontario (lojë e fatit?), më i afërt se kurrë. Rri me mua pak ta dëgjojmë sërish si dikur…
XXXX
Është një qytezë në Veri të Ontarios
Endërr e paqtë, kujtim për t’u ruajtur
Në mendje ende kërkoj një vend ku të shkoj
Të gjitha ndryshimet brenda meje atje i lashë
XXX
Të trishta, të trishta dritare matanë yjsh
E zbehta hënë tek nis të ngrihesh
Të mëdhenj zogj që fluturoni qiejsh
Hije duke na hedhur sysh
Na lini
Shkretë, shkretë, shkretë
XXX
A më dëgjon dot vallë, e dashur, tani?
Zinxhirët kyçur e për porte lidhur janë
E dashur, a s’këndon me mua disi?
XXXX
Të trishta, të trishta dritare matanë yjsh
E zbehta hënë tek nis të ngrihesh
Të mëdhenj zogj që fluturoni qiejsh
Hije duke na hedhur sysh
Na lini
Shkretë, shkretë, shkretë