Skip to content

Gruaja Sot: Atrofi dhe Qorrsokak

April 1, 2012

“‘Profesori i gjinekologjisë: Ai e filloi kursin e leksioneve si vijon: Zotërinj, gruaja është një kafshë që urinon një herë në ditë, defekon një herë në javë, menstruon një herë në muaj, lind një herë në vit dhe kopulon sa herë t’i jepet rasti.’ Mendova se ish një fjali e drejtpeshuar për bukuri.”

– W. Somerset Maugham, Blloku i Një Shkrimtari (A Writer’s Notebook, 1949)

Shumëkush do ta ketë ndjekur serialin amerikan Sex and the City (Seksi dhe Qyteti), në qendër të të cilit është jeta dhe miqësia e katër newyorkezeve, diku në fund të 30-ave e fund të 40-ave në mbarim të shekullit të 20-të, seksualisht të çliruara, por shpesh të papërmbushura romantikisht; të pashme e të zonjat profesionalisht; të pavarura ekonomikisht, por po aq të varura e obsesive ndaj burrit si kryeobjektiv; gjithnjë duke ndërruar partnerë po aq lehtë e në mos edhe më shpesh se këpucët takëlarta, aksesorët ekstravagantë a fustanet e mbrëmjeve; dëshpërimisht në kërkim të dashurisë e vijimisht të mbetura peng kacavarur dramash sentimentale. Në njërën prej serive, Carrie Bradshow, kryeheroina dhe rrëfimtarja e serialit, pyet mendueshëm: “Vallë a jemi thjesht të pazonjat për të ndërtuar lidhje romantike, apo s’jemi tjetër veçse lavire?”
vijo leximin…

Advertisements

Media apo Merda?

January 9, 2012

Qysh prej mëngjesit të së dielës, 8 janar 2012, kam mbetur sa e trishtuar aq edhe e çmerituar e gojë-hapur me lajmin qe kish botuar Balkanweb dhe Panorama se publicisti A. Klosi, pas një tentative vetëvrasjeje, ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga kërkimi që bëj në google gjej edhe plot site të tjera, që si bisha nuk e kanë lënë llokmën e sensacionit pa ia shitur publikut bashkë me kafen e simiten e mëngjesit. Më vjen rëndë që duke shkruar sot për të, në një farë mënyre edhe vetë s’bëj veç riprodhoj e përhap të njejtin lajm ndyrësirash. Por nga ana tjetër kam shpresë se megjithatë po bëj diçka të mirë duke u shprehur për shëmti të tilla mediatike.

Balkanweb shkruan:

Pas masave paraprake të marra nga mjekët, ai është shtruar në Psikiatri, pasi gjendja nuk paraqitet ende e stabilizuar. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Qendrës spitalore universitare, të cilët shtojnë se prej disa kohësh publicisti merrte ilaçe antidepresive. Sipas mjekëve gjendja e publicistit Ardian Klosi ende nuk është e stabilizuar, raporton Gazeta Shqiptare.

vijo leximin…

Të Vërteta të Pathëna

December 20, 2011

Nga Christopher Hitchens, Vanity Fair, Maj 2011

Çastin e madhështisë time të shndrisë, e kam parë,
Edhe Lakeun eternal pallton të ma mbajë, e të nënqeshë, e kam parë,
Edhe shkurt, kisha frikë.

– T. S. Eliot, “Kënga e dashurisë e J. Alfred Prufrock.”

Sikurse shumë lloje të përvojës në jetë, risia e diagnozës së kancerit malinj e ka edhe ajo një prirje për t’u fashitur. Nis e bëhet bajate, madje edhe vjen duke u bërë banale. Njeriu mund të mësohet fare mirë me fantazmën e Lakeut eternal, si të ish ndonjë i çartur mortsjellës që përgjueshëm fundmbrëmjes në koridor zë pusí, duke gjuajtur çastin për ta thënë një fjalë. Edhe unë jo se kam kushedi çfarë për të mos qenë dakord që të ma mbajë pallton në atë farë mënyre të spikatur, si për të më kujtuar ashtu pazëshëm së është koha për t’u qëruar. Jo, është skërmitja ajo që më vë poshtë.

Shumë më shpesh se rregullisht, sëmundja më shërben edhe me speciale cingërisëse të ditës, ose shijen e muajit. Këto mund të jenë inflamacione kuturu ose ulçera në gjuhë a në gojë. Ose, pse jo edhe pak neuropati periferale, që t’i bën këmbët të mpira e të akullta? Ekzistenca e përditshme shndërrohet kështu në diçka si prej bebeje, e matshme jo me lugë kafeje të Prufrock-ut, por me doza picërrake ushqimi, që shoqërohen me zukama zemërdhënëse vëzhguesish, ose me diskutime solemne të operacioneve të aparatit tretës, që zhvillohen me të panjohur që të përkushtohen si mëma. Në ditë më pak të mira, ndihem si ai derrkuci këmbë-drunjtë që i përket një familjeje sadistikisht sentimentale, së cilës s’i bën zemra t’ia kullufisë njëherësh më shumë se një llokmë. Veçse kanceri s’është kaq… i tapinosur.

vijo leximin…

Lexime dhe Paragjykime

December 11, 2011

Duke falënderuar për komentet e ofruara për shkrimin “Vitrina dhe Pasqyra Ligjërimi” botuar më 25 nëntor, vura re se disa prej jush u shprehët të shqetësuar sa i takon kuturisjes për të folur lidhur me librin Kurban të E. Ramës pa e lexuar atë më parë. Kjo gjë, sipas jush, i çvlerëson vetiu opinionet duke i kthyer kështu ato thjesht në tufë paragjykimesh (ose lakrash në kokë).

Shpresoj të jem ose së paku mëtoj të jem mendje hapur e të mos qas “lakra” në komunikim. Por kjo s’do të thotë se s’kam (para)gjykime, që i mbaj në vete (me vetëdije ose pa vetëdije) si kanguri të voglin, aq më tepër kur është fjala për komunikim shkrimor ose gojor. Natyrisht që kam. A nuk ka çdokush? Në të vërtetë do të ishte e pamundur në mos e frikshme që një njeri çfarëdo, që jeton e punon mes njerëzve e që përdor fjalën e folur e të shkruar të mos ketë (para)gjykime,– jo lakra! – që themelohen mbi struktura konceptuale, këndvështrime, informacione, njohuri e vlera paraprake. E meqë s’jam e s’mund të jem tabula rasa, edhe ajo ç’kam shprehur për Kurbanin s’mund të mendohej po të mos mbështetej ndër të tjera edhe mbi një truall (para)gjykimesh.Po ç’janë këto (para)gjykime? Shumë gjëra. Kryesore, sidomos në rastin tonë, besoj janë çfarë kemi zgjedhur e zgjedhim për t’u informuar e për të ushqyer mendjen, qofshin këto sasi e cilësi e lëndës intelektuale e shpirtërore, qofshin përvoja të tjera jetësore të përftuara përmes shkëmbimeve e komunikimit me njerëz. Quajini po të doni kut matjeje ose gurë peshoreje, ose sistem bazë e paraprak vlerësimi. Këto –  por aspak vetëm këto – natyrisht ma kushtëzojnë qasjen edhe ndaj Kurbanit. E kur them “aspak vetëm këto” e kam fjalën tek e kaluara e freskët e sidoms faktet e vrojtueshme që ajo evidenton e që s’duan t’ia dinë për paragjykime.

vijo leximin…

Vitrina dhe Pasqyra Ligjërimi

November 27, 2011

Qysh kur banakët e panairit të librit gëzueshëm u thyen ose gati u thyen gjatë dhurimit të autografëve dhe blerjeve të Kurbanit të Edi Ramës, grafiku i shitjes së të cilit po t’i përmbahem raportimit mediatik duhet t’i ngjajë trajektores së raketës kur lëshohet prej tokës në orbitë, praninë e librit e gjeta siç mund të pritej edhe në kuvendet e studiove televizive. Sidomos u interesova të dëgjoja se ç’thuhej për të në emisionin Top Story të Top Channel-it të Tanit të ndjerë po të Topit, si dhe në emisionin Opinion të TV Klan.

Përpara se të them diçka për librin, në krye po përpiqem të vë në dukje ç’kam vërejtur në përgjithësi rreth programeve të tilla, edhe kur kam ndjekur tema të tjera, jo vetëm Kurbanin. Së pari, skuadra prej 4 të ftuarish, por më shumë 6-8 komentuesish të përkushtuar marrin e japin me njeri-tjetrin. Shumica janë burra e përgjithësisht shfaqen me kollare bukur-kombinuar me ngjyrë këmishash e cohë kostumesh të mira. Kur ka gra (shumë më poshtë se 30%-ishi i shumëdiskutuar gjetiu) shumica spikasin më fort për veshje elegante, gjunj të zbuluar hijshëm prej fundesh e fustanesh, krehje e stoli in vogue, look e makijazh të mirë-kuruar (siç është e modës të thuhet sot), aq sa mendon se fill pas debatit i pret me siguri një audicion modelimi, vallëzimi me yjet, a mbrëmje gala ku fare mirë mund të jenë dama nderi. Të gjithë të ftuarit kanë vështrim serioz e të përqendruar, rrinë shpenguar këmbë mbi këmbë, ndonjëherë hedhin ndonjë shënim të shpejtë në bllok e që prej bardhësisë së kolltukëve të rehatshëm ofrojnë përshtypje e shtrojnë pikëpamje, përsiasin argumente e shtjellojnë interpretime, numërojnë të vërteta e rendisin të pavërteta, miratojnë a kundërshtojnë, shtrojnë arsyetime, mbrojnë, sulmojnë, kundërsulmojnë.

vijo leximin…

Yrnek shqiponjash për tollovi helene?

November 15, 2011

Nga fundi i shtatorit të këtij viti, më bëri përshtypje (sikundër do t’i ketë bërë me siguri edhe shumëkujt) një informacion prej Balkanweb-it, ku citohej Steve Forbes të kish thënë se “e vetmja rrugëdalje nga kriza për Greqinë është të marrë shembullin e Shqipërisë dhe Bullgarisë, duke aplikuar në mënyrë urgjente tatimin e sheshtë.” Më tej, po sipas Balkanëeb-it, Forbes këshillonte: “Receta bazë për Greqinë është: shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri, reforma të ngjashme si ato të Shqipërisë fqinje”. Gjatë kësaj periudhe të gjithë e pamë edhe fotografinë e jashtëzakonshme të kryeministrit Berisha dhe ekipit të tij me flamurin kuq e zi prapa në ekranin e lartë e gjigant në Times Square të New York-ut, në mbyllje të NASDAQ-ut. Shprehje më triumfale e fytyra më të qeshura, rrëzëllitëse e krenare zor të kem parë ndonjëherë (Pëlcastë zilie opozita shemër!) Çast fatlum, përnjimend!

vijo leximin…

Libia libaneze e MAPOs

February 23, 2011

Shoh sot te MAPO online një titull që më bëri kureshtare “Kërcënimi i dyfishtë Libanez”.

Ishte përkthimi i një shkrimi të shkurtër marrë prej Pierre Rousselin në blogun e Le Figaro.

Vërtet, si t’i ketë punët Libani i vogël, mendova, e nga se pikërisht të jetë duke u kërcënuar në mënyrë të dyfishtë këto ditë vullkanike përqark tij?

Dhe ja ç’lexoj:

Në një botë që po rebelohet ndaj diktatorëve, kolonel Kadhafi ka pak shanse t’i shpëtojë verdiktit popullor. Drejtuesi libanez është një shembull i pazakontë i despotit oriental bashkëkohor: megaloman, paranojak, brutal dhe gjakësor.

Rousselin, të jetë shprehur vallë kështu?

vijo leximin…