Skip to content

Tiranë në Kairo e Tiranë

February 19, 2011

Ishte e vështirë t’i shqisje sytë nga Egjipti i derdhur rrugëve të Kairos javët e fundit. Brenda 18 ditësh – që shënuan epilogun e gatitjes së (pa)dukshme, të avashët, të gjatë, herë të zëshme e herë të pazëshme të pakënaqësisë popullore – egjiptianët kundër gjasava e duke zënë shumëkënd në befasi, i rrëfyen vetes dhe botës, se përmes protestës paqësore e këmbënguljes së disiplinuar qe e mundur të përmbysej një nga regjimet më totalitare të pellgut të Mesdheut e Lindjes së Mesme, edhe pse së jashtmi shfaqej po aq monumental, i shtangët e i patrazueshëm sa edhe vetë solemniteti i piramidave të Gizës. Në këtë atmosferë plot ethe e zjarrmi politike në rajonin e Lindjes së Mesme, ndër të parat gjëra për t’u shënuar – veçanërisht për shqiptarët, që sot teksa përballen me skizofreninë politike si kurrë ndonjëherë, paraqiten me vetëdije të topitur – ishte natyra e turmës protestuese. Dihet se turmat si fenomen janë ambivalente. Kanë së paku dy fytyra. Njëra, është ajo e pasionit irracional dhe shtazërisë së instinkteve. Tjetra shpërfaqet si prirje e njeriut për shoqërizim dhe solidaritet, me tipare racionaliteti, civilizimi dhe standardesh të larta etike. Masa e madhe protestuese që kërkonte liri në sheshin Tahrir (që do të thotë po liri) për fat të mirë rrëfeu fytyrën e dytë për tri javë rresht. Tipar i spikatur i protestës ishte natyra gjithpërfshirëse sa i takon përbërjes demografike. Protestuesit ishin në pjesën më të madhe të rinj (mosha mesatare në Egjipt është 24 vjeç, aq sa ç’ishte Mubaraku kur me revolucionin e Nasser-it të vitit 1952 për Egjiptin nisi një kapitull i ri jashtë tutelës britanike), djem e vajza; por edhe të reja me “make-up” e me “hijab”; burra e gra, muslimanë e kristianë; besimtarë e shekullarë; familje, nëna, baballarë e fëmijë.

vijo leximin…

Advertisements

Shkodërgate

December 8, 2010
Dihet që jeta njerëzore karakterizohet nga brishtësia, edhe duam s’duam, mbetet në thelb funksion i tragjedisë dhe vdekjes, sepse kërrkush nuk ekziston përveçse në atë interstic ku ndërveprojnë e ndeshen madhësi e forca të fundme e të pafundme.

Fakeqësitë, sikurse tërmeti në Haiti, tsunami në Azinë Juglindore, aksidenti ajror, diagnoza fatale e një sëmundjeje terminale, lëngata mendore, vdekja e një dashurie, humbja e njeriut të zemrës, etj. që përmasohen nga e pafundmja dhe e parrokshmja, s’kanë asgjë në vetvete që t’i bëjë “të liga” e kësisoj përfaqësojnë parakushte të pashmangshme të ekzistencës. Tragjedia tek e fundit thjesht është premisë sine qua non e qenies. E prej këtij pikëvështrimi, çka po ndodh tani në Shkodër e më gjerë, madje jo për herë të parë, natyrisht është katastrofë, të cilën banorët e atij vendi po e jetojnë e heqin mbi shpinë sërish (e prap sërish) e ndoshta edhe më rëndë kësaj here. Duhet thënë se për fat të mirë, krahasuar me Gërdecin, në përmbytjet e këtyre ditëve nuk u dëgjua për humbje jetësh – po të përjashtoj këtu shtatzaninë e një gruaje të re që përfundoi me foshnjë të pajetë, ngjarje për të cilën një drejtor spitali u kujdes të deklarojë se nuk kish pse lidhej me qëndrimin e nënës në ujë deri në gju, në mos kraharor. Ndoshta. Por, nuk di nëse po ky titullar e kujdestar i shëndetit njerëzor do të ish shprehur njëlloj, po aq prerë, e po me atë ton pak hokatar sikur në vend të gruas rome të ish për të lindur në të njetat kushte e shoqja ose e bija. As nuk e besoj se do ta shihte të nevojshme të na njihte publikisht me hollësitë e kartelave mjekësore të grave të dashura të tij…

vijo leximin…

Çështja Nexhip Qepi

November 22, 2010

Në vijim të shkrimit Dukat e Dragot, më poshtë po përcjell të plotë një koment që dërgon në blog z. Vladimir Kosturi i shoqatës Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë “Iliria” në mbrojtje të Nexhip Qepit, shqiptarit që akuzohet nga drejtësia italiane në Reggio Emila për abuzim seksual ndaj të birit 4-5 vjeçar.

Shënim: Për të respektuar gjuhën standarde edhe kësisoj për lehtësi leximi e për kthjelltësi më të mirë kuptimore, aq sa ka qenë e mundur letra është redaktuar sipërfaqësisht, pa ia prekur përmbajtjen. Çka shpreh letra i përket kryekëput autorit, V. Kosturi, të cilin e falenderoj për prurjen, edhe nuk përputhet doemos me botëvështrimin e këtij blogu. Theksimet në disa pjesë të letrës janë të miat.

Për ata që e ndjekin këtë blog, mbetem gjithnjë e interesuar të di se ç’mendojnë edhe ua mirëpres pikëvështrimet që do të mund të ndanin mbi këtë çështje.

___________________________________________________________
vijo leximin…

Dukat e Dragot

November 7, 2010

Ka disa javë që në media flitet për rastin e emigrantit shqiptar në Reggio Emilia të Italisë, Nexhip Qepi (ndonjëhërë shkruar në media edhe si Qepja), i cili gjendet sot i burgosur dhe i akuzuar për sjellje abuzive ndaj të birit 4 vjeçar, ngaqë u mor vesh se ia shfaqte afeksionin djalit të vogël edhe duke ia puthur organin gjenital.

Konteksti kulturor i këtij rasti fatkeq lidhet me gëzimin e mirënjohur prindëror shqiptar, e me sa duket ende extant e të pavjetërueshëm edhe te babai shqiptar i shekullit te 21-të, kur këtij i realizohet dëshira përvëluese e lindjes së një mashkulli që do t’ia bartë genet e shtrijë prezencën e mbiemrit në histori — dëshirë që kthehet në krenari dalldisëse sidomos kur më së fundi vjen e përmbushet vetëm pas një vargu përpjekjesh që fati rrengpunues ndonjëherë këmbëngul t’i përdorë në favor të shtimit të gjinisë femërore mbiemërndryshues.
vijo leximin…

Shqipja në Gjiriz

October 18, 2010

Kur dua të lexoj gazeta shqiptare përmes Internetit, këto më duken ndonjëherë si kutitë postare shpërndarë me bollëk mëhallave, ku cilido mund të hedhë letrën, fletushkën a kartolinën e vet, mjaft që t’i këndet. Veç zarfat mungojnë. Por krejt sikurse punonjësit e postës, të cilët nuk duhet të shohin se ç’informacion fshehin zarfat, ose si punëtorët e ngarkim-shkarkimit që bartin mallra pa qenë të intersuar shumë se çfarë tamam fshihet pas ambalazhit, ashtu edhe personeli i gazetës nuk duket të jetë doemos i interesuar të dijë se ç’lëndë tamam është duke shpërndarë, mjaft që lënda të jetë paraprakisht e sistemuar nëpër kosha klasifikues për lehtësi zgjedhjeje: opinion, politikë, kulturë, edukim, shëndetësi, intervista, sport, e kështu me radhë. Për rregulla të tjera të tilla si gjuhë korrekte, standarde drejtshkrimi e stili, kontroll cilësie, verifikim faktesh e burimesh, mosqasje profkash, korrigjime e përmirësime, etj… këto hë për hë janë lukse pa të cilat bota e mediave shqiptare njësoj rrotullohet. Edhe për sa kohë detaje të tilla as nuk i vëren e as nuk i kërkon kush, janë kështu ende pa nevojë. Përkundrazi, çka duket e mjaftueshme në median shqiptare të epokës elektronike të shekullit të 21-të, është marketingu i thjeshtë i kapitalizmit antik të shekullit të 19-të, gjë që do të thotë midis të tjerash se kërkesat e pritshmëritë e publikut të sotëm me sa duket nuk janë krejt në konflikt me ofertat e praktikat e tregut — së paku ende jo në atë lloj konflikti që mund të shndërrohet në katalizator ndryshimi.
vijo leximin…

Ad Referendum

October 11, 2010

Si shumëkush, shkrimet e Kristo Frashërit të botuara kohët e fundit te Gazeta Shqiptare për çështjen e komplikuar të KOASH-it e Janullatusit i kam lexuar me vemendje, ndonëse ky është një terren hartën e të cilit gjithnjë me zor e përsias dhe e dëshifroj.
vijo leximin…

Kur arbërori thotë: Nënë, jam gay! (II)

March 24, 2010

Raporti Pakicë-Shumicë, që varion në varësi të niveleve të pjekurisë së demokracisë në vende të ndryshme, mund të shihet edhe si interstic manipulimesh e nëpërkëmbjesh të ndërsjellta. Nëse në Shqipërinë e sotme, të KÇ-ve dhe Lezhës së protestave, çështja mund të formulohet: pakicë homoseksuale e diskriminuar ose keqpranuar nga shumica ose më mirë si “problem (që na gjen) ende të papjekur për mirëshqyrtim, në vendet perëndimore që kanë përshkuar e vijojnë të rrugëtojnë nëpër një proces kulturor dhe edukues të gjatë e gradual drejt pranimit e gjithëpërfshirjes së pakicave, pavarësisht se incidente të mostolerancës e gjithfarë troshitjesh ndër terrene ideologjike e politike ka e do të ketë, problemi rrezikon të paraqitet edhe si anë tjetër e medaljes e të përfundojë i formuluar ndryshe:shumicë e manipulueshme nga pakica.
vijo leximin…